Pse po rrisim analfabetë funksionalë

    Nga EDLIRA TUFINA – A është një kambanë alarmi fakti që 15-vjeçarët shqiptarë renditen gjithnjë e më poshtë përsa i përket arritjeve të tyre në matematikë, lexim dhe shkencë?

    Dikur krenoheshim për sistemin e fortë arsimor, për arritjet e shkëlqyera të studentëve, të cilët nuk është se mungojnë edhe në ditët e sotme.

    Por faktet flasin ndryshe, e zeza mbi të bardhë, tregon që arritjet në matematikë, shkencë e lexim janë të ulëta. Këtë e dëshmuan rezultatet e Pisa-s 2022.

    Një dëshmi e gjallë që po shtohen analfabetët funksionalë. Një arsye që dëshmon se nxënësit po mësojnë përmendësh dhe po lenë mënjëanë profile që vendosin trurin në punë.

    Në fakt programet mësimore apo ndryshe kurrikulat kanë ndryshuar, por a janë përshtatur ato si duhet me kohën?
    A është më mënyra më e drejtë e të nxënit që të rinjtë të ngrihen përpara 40 vetave për të “kënduar” mësimin….

    Fatkeqësisht kjo ndodh ende në klasat e sistemit parauniversitar, për të mos thënë edhe në auditorët e universiteteve. Kjo ndodh që nga klasa e parë, ku një fëmije vetëm 6 vjeç i kërkohet të mësojë, të bëjë mbledhje, zbritje madje dhe zgjidhje problemesh matematikore ende pa mësuar se si të lexojë rrjedhshëm kërkesat e ushtrimeve.

    Një fëmijë që mësohet që në bankat e klasës së parë të lexojë tekste në abetare, pa artikuluar mirë rrokjet.

    I kujt është faji? Sigurisht jo i mësuesve, as i nxënësve e për më tepër as i prindërve që shpeshherë ju duhen orë për të punuar më fëmijët që këtyre të fundit t’iu ngulitet diçka në mendje.

    Atëherë i kujt është faji për këto arritje që në fakt nuk është se na zbardhin faqen, teksa e shohim veten të fundit në rajon? Përse mos të shkëlqejmë?

    Ndoshta ka ardhur koha të rishohim me seriozitet metodën e mësimdhënies, e cila mund të jetë e vjetruar, dhe synon më shumë të vendosë autoritetin e mësuesit tek nxënësi, se sa këta të fundit t’i motivojë për të arritur rezultate më të kënaqshme.

    Mos ndoshta edhe sistemi i vlerësimit vetëm me nota është pak i vjetruar?
    A nuk do të ishte më mirë që shkolla të testojë nxënësit për arritjet e tyre, mësuesit të bisedonin me të rinjtë, të mos ndjenin presionin e hedhjes së notave në regjistër për të mbyllur semestrat, por të edukonin vlerat e vërteta se si duhet të mësosh, se si të përmirësohesh dhe të aftësohesh për të ardhmen.

    Një nënë shqiptare që jeton në Kanada më tha para disa kohësh se ishte e shqetësuar se fëmija i saj në klasë të parë nuk merrte nota, nuk ulej në bankë, por thjesht diskutonte si dikur në kopsht. Por teksa shprehte indinjatën e saj për sistemin arsimor atje duke e krahasuar me sistemin tonë; me çantat e rënda me libra, “luftën” për nota etj, më mbeti diçka në mendje; Fëmija i saj shkonte dhe kthehej nga shkolla e lumtur.

    Në fund të fundit a nuk është kjo ajo që do të donim për fëmijët tanë?
    Të shkonin me dëshirë në shkollë. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Sondazhi – Shqiptarët patriotë vetëm për dukje

    Lajmi i rradhës

    A mund të jenë tifozeritë, serbatorët e protestave?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë