Pse sillet Putini si shantazhues?

    Foto: Boris Müller/Tages Anzeiger, Zürich

    Enver Robelli

    Sepse Europa dhe Amerika (sidomos nën Trumpin) ia hapën dyert:

    1. Presidenti francez Emmanuel Macron, duke ëndërruar të bëhet një Charles de Gaulle i ri, e shpalli NATO-n të vdekur (intervista e famshme dhe famëkeqe në The Economist)
    2. Kur Gjermania besoi se duke blerë gaz rus, Putini qetësohet. Andaj e shpërbleu me një gazsjellës të ri që anashkalon Ukrainën dhe Poloninë
    3. Kur agjentët rusë helmonin dhe vrisnin kritikë të Putinit nëpër Europë, përgjigjja perëndimore kundër këtij agresioni të Kremlinit ishte e vakët, me dorëza pambuku
    4. Kur Donald Trumpi përbuzi demokracinë dhe nisi të adhurojë Putinin, ndonëse Moska kishte tentuar të manipulojë zgjedhjet në SHBA
    5. Kur ministrja e Jashtme e Austrisë e ftoi në dasmë Putinin dhe në shenjë nderimi i ra në gjunjë
    6. Kur politikanët racistë austriakë shkrepnin selfie nga Moska dhe kohën e lirë e kalonin në shoqëri me ultranacionalistë serbë në Banjallukë dhe Beograd
    7. Kur politikanët italianë si Matteo Salvini hapur adhuronin Putinin
    8. Kur Viktor Orbani i Hungarisë e njollos BE-në prej së cilës merr miliarda euro dhe ëndërronte ta bëjë Hungarinë njëfarë Mini-Rusie të Europës Qendrore
    9. Kur partia e politikanes franceze Marine Le Pen merrte kredi nga institutet financiare të Rusisë
    10. Kur qeveria britanike lejonte që Londra të shndërrohet në Londongrad, një fole e sigurt për oligarkët rusë
    11. Kur kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha sillet si pionier i Putinit
    12. Kur presidenti kroat Millanoviq jep deklarata anti-NATO në kontekst të krizës së Ukrainës dhe kryeministri Plenkoviq detyrohet të kërkojë falje
    13. Kur BE dhe jo pak gazetarë perëndimorë nuk e merrnin seriozisht tentimin për puç të Rusisë në Mal të Zi në vitin 2016
    14. Kur BE nuk ushtroi presion të qartë ndaj 5 vendeve anëtare (Spanjës, Greqisë, Sllovakisë, Rumanisë dhe Qipros) për të pranuar pavarësinë e Kosovës
    15. Kur ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder në një moment poshtërsie gjeostrategjike tha se ajo çfarë bëri Putini në Krime e ka bërë Perëndimi në Kosovë më 1999 – një krahasim skandaloz, i pavërtetë, ahistorik
    16. Kur Ukraina i demaskon shumë europianë: më 2003 në metropole europiane dilnin mijëra njerëz në protesta kundër luftës së Irakut (me të drejtë), ndërsa sot në Berlin nuk dalin në rrugë as 100 veta në mbrojtje të Ukrainës, në Paris as 10, në Vjenë asnjë. Atëherë luante rol antiamerikanizmi, sot luan rol oportunizmi, demagogjia dhe aty-këtu edhe adhurimi për regjimin e Putinit
    17. Kur Putini para syve i thoshte Macronit ditë më parë se Ukraina, “e bukura ime – deshi, s’deshi duhet të nënshtrohet” dhe Macron ende lejonte të mashtrohej nga Putini
    18. Kur politikanët socialdemokratë gjermanë, plus komunistët e diktaturës gjermanolindore për krizën në Ukrainë i akuzonin “të dy palët”, një vokabular ky që shpesh është dëgjuar edhe nga burokratët e BE-së në raport me Kosovën sa herë që ka eskaluar konflikti me Serbinë (burokratë që marrin rroga mujore deri në 20 mijë euro pa prodhuar rezultate)
    19. Kur me vite të tëra Serbia alimentohet me miliarda euro dhe tolerohet të destabilizojë Ballkanin me ndihmën e Rusisë
    20. Në fillim të javës së ardhshme në Beograd pritet të vijë kryespiuni i Putinit. A thua është e shqetësuar Europa?

      PS. Më fjalë të tjera: kur i tradhton vlerat perëndimore, mos prit mëshirë nga Putini.
    Lajmi Paraprak

    Sa milionerë ka BDI? | Fatmir Limani: Do të publikoj dëshmi, 80% e strukturave të BDI-së janë pasuruar nga pushteti

    Lajmi i rradhës

    Kovaçevski: Qytetarët kërkojnë efikasitet, kuvendi të miratojë ligjin për pagën minimale

    Lajme tjera

    Dorëheqjet hileqare në PD

    PËLLUMB NAKO Dorëheqja nga një funk sion mbetet historikisht një lloj institucioni që përcjell mesazhe si për zhbllokim situatash…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë