Florian Nesimi
Këtë vit bëhen 31 vite që kur u instalua sistemi demokratik në shtetet post-komuniste. E përderisa në shtetet e Evropës Lindore demokracia i dha frytet e saja, ne ende pyetemi pse shtetet tona nuk u zhvilluan ekonomikisht dhe pse demokracia tek ne nuk po funksionon si në shtetet me demokraci të zhvilluar?!
Sipas mendimit tim, tre janë arsyet më të rëndësishme për ngecjen e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik.
E para, privatizimi sot e kësaj disa po kryhet përpara vendosjes së shtetit ligjor. Përderisa elementi kryesor i tranzicionit nga socializmi në liberalizëm është privatizimi, grupe të ndryshme politike e shoqërore shfrytëzuan rastin (edhe sot e kësaj dite) që të privatizojnë duke uzurpuar pronat shtetërore dhe të mirat publike. Në mungesë të shtetit ligjor, këto privatizime edhe sot e kësaj dite kalojnë pa u vërejtur, larg syrit të opinionit publik. Këtë e pohon edhe ithtari më i madh i ekonomisë së tregut të lirë Milton Freedman, i cili në një intervistë në vitin 2001 thotë:
Unë në fillim pata tri fjalë për vendet që kryenin tranzicionin nga socializmi: privatizoni, privatizoni, privatizoni. Por e pata gabim, sepse doli që shteti ligjor është më i rëndësishëm se privatizimi”.
E dyta, partitë politike me vetëdije keqkuptuan sistemin shumëpartiak dhe zgjedhjet e lira dhe fitoren në zgjedhje e transferuan në moton e tyre – fituesi i merr të gjitha. Dhe kështu me hyrjen e tyre në qeveri, duke shfrytëzuar mungesën e shtetit ligjor, partitë politike përveç ministrive dhe drejtorive, futën nën ndikimin e tyre edhe gjyqësorin, mediumet, pushtetin lokal, organizatat jo-qeveritare, shkollat, spitalet etj. Në shtetet tona, më mirë se gjithkund, vlen parimi para=pushtet, pushtet=para. Kështu partitë shfrytëzuan paratë për të fituar pushtetin dhe pastaj pushtetin për të bërë sa më shumë para.
E treta, një pjesë të fajit e ka edhe faktori ndërkombëtar, sepse ndërkombëtarët sigurinë e kanë vënduar përpara demokracisë. Qarqe të ndryshme ndërkombëtare më shumë kanë qenë të interesuara që shtetet paraprakisht të kenë një nivel të sigurisë së jashtme, ndërsa demokracia në këto shtete do të jetë e rëndësisë së dytë. Kështu ndërkombëtarët nëpërmjet ambasadave të tyre kanë përkrahur politikisht parti të caktuara politike për të cilat ato kanë konsideruar se mund të garantojnë siguri, edhe pse ato parti mund të jenë të udhëhequra nga persona të korruptuar të cilët i bëjnë dëm demokracisë dhe zhvillimit të shoqërisë.
Në fund, me pak fjalë mund të konkludojmë se arsyeja pse në shtetet tona demokracia dhe liberalizmi dështuan dhe sot e kësaj dite nuk po i japin frytet e saja, është se këto shtete nuk ndërtuan institucione të qëndrueshme shtetërore. Fajtorë për mos ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme shtetërore janë qarqe të caktuara politike të cilat kryejnë privatizimin në mungesë të shtetit ligjor, si dhe faktori ndërkombëtar i cili në plan të parë vëndon sigurinë, në dëm të demokracisë.
Autori është kolumnist i rregullt i Nistorit!
Të drejtat e shkrimit i kanë vetëm Nistori.com dhe autori!