Që dialogu të mos rrudhet

    LEONIDHA MËRTIRI

    Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mos kenë një ecuri të dukshme. Edhe pse Bashkimi Europian ka synuar t’i japë jetë dialogut midis tyre, bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përsëri ato kanë mbetur përgjithësisht në vend. Tensionet që shfaqen herë pas here, vetëm e rrudhin edhe ndonjë hap në interes të këtij dialogu, për ta shpeshtuar atë dhe bërë sa më produktiv. Ndërkohë, stabilitetit rajonal i vihen strikëmbsha. Ja pse dhe vendet e G7-ës, grupi i shteteve më të industrializuara në botë, dy javë më parë, në takimin në Berlin, konkluduan se Ballkani nuk mund të jetë i qetë pa angazhimin konstruktiv në dialog të Prishtinës dhe Beogradit. Dhe këtu është fjala për zbatimin e tërë marrëveshjeve bilaterale që janë nënshkruar më parë, duke normalizuar raportet me njëri-tjetrin.

    Njëmbëdhjetë vjet kanë kaluar nga fillimi i këtij dialogu. SHBA me BE-në, aktualisht duken më të ingranuara, që ky dialog të mos përdoret thjesht për retorikë, por të jetë sa më efektiv, për t’i çuar të dy vendet në marrëveshjen përfundimtare, njohjen nga secila palë. Përbën ogur të mirë rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian, në të cilën shprehet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”. Në të njëjtën kohë, liderëve të Serbisë u ripërsëritet në këtë rezolutë, se progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim. Me sa kuptohet, do të kemi një angazhim më serioz të institucioneve të rëndësishme të Bashkimit Europian.

    Por ç’ndodh me palën serbe? Për t’i mbajtur gjallë tensionet, nuk hiqet dorë lehtë nga akuzat e njohura të saj, edhe pse të dala mode. E rëndësishme është për të, të mos shuhet jehona e tyre dhe në një atmosferë të tillë, dialogu të ndrydhet vazhdimisht apo të mbahet sa më larg. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviç, edhe ditët e fundit, vazhdon me avazin e vjetër, me akuzat për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime kundër serbëve dhe trafikim organesh. Dhe ku hidhen ato? Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sepse, liderë serbë, Çuditërisht, duke mos u shkëputur nga trashëgimia e së kaluarës, e Sllobodan Millosheviçit, nuk pajtohen dot me realitetin e shumënjohur tashmë, se Kosova prej vitesh është shtet sovran dhe i pavarur, ligjshmërinë e të cilit, qysh më 22 korrik 2010, e ka njohur dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Kombeve të Bashkuara.

    Në këtë hulli vazhdojnë të jenë dhe rëniet e borijeve të njohura, zëra të vjetërsuar, se gjoja serbët në Kosovë kërcënohen, me qëllim largimin e tyre nga Kosova. Si mund të ndodhte ndryshe, që këta “serbë të kërcënuar”, muaj më parë bllokuan rrugët për në pikat kufitare midis dy vendeve, si kundërpeshë ndaj vendosjes për reciprocitet të targave të makinave të Serbisë. Përse shqiptarët nuk mund të udhëtonin dhe nuk mund të udhëtojnë në Serbi me targat e republikës së tyre? Prandaj, tani qeveria e Kosovës ka vendosur që dhe qytetarët e Serbisë duhet t’i përgjigjen të njëjtit standard, pa folur për serbët në veri për t’iu nënshtruar të gjithë këtij vendimi, duke qarkulluar si të gjithë qytetarët brenda Kosovës.

    Nervozizmi pas kësaj i Presidentit serb Aleksandar Vuçiç është i papërmbajtur. Këto vendime të qeverisë së Kosovës, ai i vlerësoi ditët e fundit si sulme të njëanshme, që do të ndiqen përsëri nga të tjerë sulme. Dhe më tej i vë vulën; sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi bëhet i pakuptim. Megalomania politike, ngërthyer në atë mentalitet të njohur të “superioritetit serb”, për të injoruar popujt e tjerë, sikurse Kosovën, çuditërisht vjen dhe në këto momente. Atëherë, si do të marrë kuptim dialogu Kosovë-Serbi dhe takimi Kurti-Vuçiç, i cili, siç bëri të njohur presidentja e Kosovës, pritet që gjatë këtij muaji të mbahet takimi i tyre i ri. Në Bruksel ata nuk janë takuar prej një viti. Takimet janë të domosdoshme, sidomos kur është fjala për ato midis drejtuesve kryesor të të dy vendeve. Por qëndrime të tilla, si ato që përmendëm, të liderëve serbë, vetëm e zhvleftësojnë dialogun.

    Në këtë kuadër tërheq vëmendjen dhe një fakt që të krijon përshtypjen e të mosqënit unik të të dërguarve të Bashkimit Europian. Si mund të pajtohet me këto qëndrime i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, teksa pohon se vendime si këto që përmendëm të qeverisë Kurti prishin punë për dialogun. Në këtë mënyrë, mendojmë se inkurajohet mentaliteti i mësipërm serb dhe bëhesh suport i radikalëve. Me dashje apo pa dashje bën që tensionet të ngrihen dhe Brukselin ta shohësh jo të njëzëshëm. Rezultati pas kësaj? Të pajtohesh me një dialog për dialog, pa kurrfarë progresi dhe marrëveshja përfundimtare të shkojë duke u larguar. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Eurodeputetja franceze kundër liberalizmit të vizave për Kosovën, reagon Von Cramon

    Lajmi i rradhës

    PD ka aftësi për të mbledhur njerëz kur i duhen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë