Qofsh “shka” e me hesap!

    Ramadan Ramadani/Fotografia: Rromir Imami

    Ramadan Ramadani
    E solli në shqip Emir Hamzi

    Për shumicën e lexuesve sigurisht që është e qartë se shprehja e vjetër maqedonase në këtë titull është modifikuar. Natyrisht, për të përcjellë një mesazh që nga titulli për propozimin e fundit të ashtuquajtur francez në lidhje me mundësinë e përparimit në procesin e integrimit europian të vendit. Kjo më poshtë është një vështrim mbi disa pikëpamje të tjera dhe nuk është një vështrim i plotë i të gjithë procesit, për të cilin kemi shkruar në shkrime të gjata e të shkurtra, përgjatë shumë viteve. Por është një qëndrim, para së gjithash, për hesap-in (faturën, numrin, çmimin dhe statistikat) që duhet marrë parasysh në hesap sa herë që mbahet një qëndrim për këtë proces më të rëndësishëm për shtetin.

    Le të fillojmë me “turqit” e lënë qëllimisht nga titulli. Ata midis shumë thënieve për hesapin dhe rreth tij përdorin edhe dy thënie të njohura te ne. E para është “se hesapi i shtëpisë nuk del në pazar” dhe tjetri se “hesapi i gabuar kthehet edhe nga Bagdadi”, duke sqaruar se Bagdadi në këtë thënie është sinonim i largësisë, vendit të largët.

    Nga shtëpia, i pari dhe hesapi i vërtetë është se ky proces i hyrjes në BE është për shtetin. Qytetarët dhe kombet hyjnë në BE përmes shteteve. Në rastin tonë, ai hesap është edhe më i hollë, sepse ka dy aspekte shtesë. I pari ajo që qytetarët gjithmonë kanë shpresuar se ky proces do të na ndihmojë të ndërtojmë shtetin e vërtetë dhe të drejtë. Me fjalë të tjera, besimi në procesin e integrimeve europiane në Maqedoni ka qenë gjithmonë me shpresën për një shtet më europian, më të drejtë dhe më të sigurt. Dhe aspekti tjetër është që popujt kujdesen që me veçoritë e tyre të hynë në BE. Dhe kjo është përmes gjuhës. Nëse tani kemi një propozim në të cilin do të thuhet se gjuhët tona do të regjistrohen posaçërisht si të tilla, atëherë kjo është thelbi i veçantisë së popujve në BE. Tradita, historia dhe gjëra të tjera janë të diskutueshme edhe brenda vet anëtarëve të BE-së. Dhe me gjasë do të vazhdojnë të jenë edhe pas anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.

    Hesapi si numër dhe statistikë për ne në shtëpi është i rëndësishëm dhe duhet ta kemi parasyh edhe për shkak të regjistrimit të fundit, si dhe të mëparshmëve, sepse kur ka anëtarë të lazdruar të shumicës që të tjerët i quajnë “minoritete”, atëherë ata emërtojnë këta të parët si “mezi shumicë”.

    Le të kthehemi te thënia origjinale, e cila përdoret edhe në formë autentike në shqip, e cila thotë: “Po je turk, je me isaf!” për të nënvizuar se “isafi” duhet të mbizotërojë në qëndrimet ndaj BE-së. Fjala turke, e cila përdoret për karar, mëshirë dhe vëmendje. Kështu duhet patur isaf dhe të mos bëhet panik, rrena apo të tregohet padrejtësi ndaj askujt.

    Paniku duhet të peshohet me frikat e mëparshme dhe, ndonëse krejt frikat janë në thelb irracionale, ne duhet t’i kuptojmë ato në mënyrë të matur dhe racionale në mënyrë që të ecim përpara. Duke qëndruar në vend dhe vetëm duke zhagmitur frikërat, ato vetëm sa shtohen në histeri dhe panik dhe natyrisht lindin të reja për të ardhmen. Nga këtu vjen frika bazë, se në fakt ky komb nuk ka të ardhme pa integrimin europian. Frikërat ushqehen me njëra-tjetrën dhe rriten. Dhe pikërisht frika për asimilimin në BE prodhon frikën se ky vend pa integrim europian është në fakt vetëm territor.

    Karari dhe isafi duhet të ketë edhe për atë që të mos gënjehet në asnjë rrethanë, as për përmbajtjen e marrëveshjeve, as për pasojat e procesit. Por, të kemi kararin për të kapur këtë momentum, tani dhe këtu. Dhe fakti që BE-ja po e ofron tani këtë është, në fakt, për të shmangur inkoherencën e saj, sepse do ta afrojë Ukrainën dhe do të lërë disa vende të tëra europiane në Ballkan. Pra, BE-ja nuk është dyftyrëshe tani, por pikërisht dëshiron të shmangë dyfytyrësinë sepse dikush nga Arabia apo Kamboxhia mund ti pyes se çfarë kanë në fakt kundër atyre në Ballkan, nuk u janë Europë? Epo, na kujtohet se vetëm pak vite më parë i njëjti Macron ishte kundër Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE edhe më shumë se Bullgaria?!

    Gjithashtu, me karar duhet të jenë dhe ata që janë më kundër BE-së dhe që e quajnë “kurvë” dhe “shtëpi publike”, të dinë që në aso vende pagesa bëhet paraprakisht dhe nuk ka garanci, sepse aftësia e klientit është vendimtare për procesin.

    Dhe në fund isaf edhe për bullgarët, të cilët kanë qenë gjithmonë këtu dhe prandaj duhet të jenë në Kushtetutë. Dhe që do vazhdojnë të jenë fqinjët dhe komshi tanë, si me BE ashtu edhe pa BE. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Krimi në Maqedoninë e Veriut është ulur për 8,31%”

    Lajmi i rradhës

    Disa të vdekur nga të shtënat në një qendër tregtare në Kopenhagë

    Lajme tjera

    Bedria dhe Kurbeti

    Monika Stafa Kur sapo kishte hapur një faqe të saj në rrjetet sociale, ndoshta për të shtyrë kohën…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë