Riarmatosje?!

    LEONARD DEMI

    Data 24 shkurt 2022 shënon një kthesë në historinë e kontinentit tonë. Lufta pushtuese e Rusisë kundër Ukrainës i dha fund një epoke dhe ritheksoi angazhimin e palëkundur të aleatëve ndaj NATO-s dhe BE-së, të cilët kuptuan se duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e vendeve të tyre, për Aleancën dhe Europën.

    Përballja me luftënxitjen dhe agresivitetin e Presidentit Putin kërkon forcën gjithnjë në rritje të NATO-s, detyrimin pa kushte ndaj mbrojtjes kolektive të Aleancës, si dhe përpjekjet individuale të çdo aleati për të siguruar paqen në Europë.

    OSTPOLITIKA DHE NDRYSHIMI NËPËRMJET TREGTISË

    Në vitet ‘60, socialdemokratët gjermanë, në politikën e tyre të jashtme, nisën një përqasje, që kishte në thelb qetësimin e tensioneve (detantë) me vendet e bllokut sovjetik, të cilën e quajtën Ostpolitik. Kjo politikë udhëhiqej nga parimi, që tani konsiderohet naiv, se Rusia mund të demokratizohej dhe të kthehej në një partner serioz, duke e përfshirë në proceset europiane, si dhe duke rritur lidhjet e saj ekonomike me Europën.

    Me kalimin e viteve, presidentë dhe ligjvënës amerikanë, liderë të vendeve të Europës Lindore kanë shprehur shqetësimin se Gjermania po bëhej shumë e varur nga karburantet sovjetike apo ruse. Importet gjermane i siguronin Rusisë të ardhura të konsiderueshme për të përditësuar makinën e vet ushtarake. Por, udhëheqësit gjermanë besonin se ndërvarësia ekonomike ishte mënyra thelbësore për të parandaluar një shkatërrim total; se tregtia dhe shkëmbimi domosdoshmërisht çonin në paqe. Kjo shpresë nuk u realizua dhe Ostpolitika, e bindur se Rusia mund të përmbahej me diplomaci dhe se mund të ndryshonte nëpërmjet tregtisë (Ëandel dürch Handel), sot është kthyer në rrënojë. Parimet e saj u vranë në fushat e betejës të Ukrainës. Berlini ishte viktimë e zgjedhjeve të veta të gabuara për gazin dhe naftën.

    POLITIKA E JASHTME JOUSHTARAKE

    Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, ngurrimi për të marrë pjesë në konflikte ushtarake vazhdoi të mbizotëronte në politikën e jashtme gjermane. Por, pushtimi rus i Ukrainës shënoi fundin e një periudhe kur Gjermania e konsideronte të pamundur një luftë në shkallë të gjerë në Europën Qendrore dhe çështje joparësore aftësinë mbrojtëse të vendit. Përballë kësaj kthese historike për Europën dhe Gjermaninë, Kancelari gjerman i tha Bundestagut se nuk ekziston më, realisht, asnjë alternativë tjetër, veçse ngritja e një ushtrie efektive për t’i bërë ballë agresionit rus, për të mbrojtur vendin dhe lirinë e Europës në kuadër të NATO-s.

    ‘Kjo, vërejti ai, do të kërkojë sakrifica, investime të mëdha për të përditësuar Bundesëehrin dhe një rishikim serioz të politikës së jashtme tradicionale’, e cila, deri tani, kishte refuzuar t’u jepte vëmendjen e duhur nevojave ushtarake të vendit. Kancelari u kërkoi deputetëve të miratonin një fond të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për të forcuar ushtrinë gjermane; rritjen e ndjeshme, në më shumë se 2% të PPB-së, të buxhetit të mbrojtjes dhe shpenzimeve vjetore ushtarake; si dhe ndryshimin e Kushtetutës për të ligjëruar mbështetjen ushtarake edhe në të ardhmen. Bundestagu e duartrokiti me ovacion Kancelarin Scholz dhe i miratoi kërkesat për fuqizimin e Bundesëehrit me një shumicë dërrmuese.

    Pos këtyre vendimeve të jashtëzakonshme, Kancelari Scholz miratoi edhe një ndryshim tjetër radikal në politikën e jashtme të Gjermanisë: jo vetëm të lejojë shtetet e tjera të dërgojnë në Ukrainë armë të prodhuara në Gjermani, por, vendosi ta furnizojë vetë Ukrainën me armatime, përfshirë tanket “Leopard 2”, që, sot, konsiderohen si armatimi më i përkryer. Këtu vlen të theksohet fakti se për një vend, që ka qenë shumë i tërhequr për të marrë pjesë ushtarakisht në konflikte, lejimi i armatimeve të veta për të luftuar trupat ruse është një ndryshim epokal dhe kërcënimi rus, që çoi në ringjalljen e ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Ftohtë, sot, po e modernizon atë.

    FONDI I POSAÇËM

    Ky fond do të shërbejë, kryesisht, për rritjen dhe modernizimin e kapaciteteve të tri forcave të armatosura të Bundesëehrit. Rritja e shpenzimeve buxhetore në 2% të PPB do t’i sigurojë Bundesëehrit gati 60 miliardë euro në vitin 2023, më shumë se 70 miliardë euro në vitin 2024 dhe përfundimisht 80 miliardë euro në vit deri në vitin 2030. Me këto fonde, Gjermania do të bëhet shpenzuesi i tretë më i madh në botë për pajisje ushtarake, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

    NJË GJERMANI TJETËR

    Një Gjermani tjetër, e gjashtë, po lind dhe kjo shënon fundin e ëndrrës gjermane për një Europë të pas Luftës së Ftohtë dhe, në një farë mase, të pacifizmit. Me të drejtë, editorialisti i gazetës ‘The Guardian’, Simon Tisdall, thotë: “Për herë të parë, që nga epoka naziste, Gjermania ka filluar të riarmatoset dhe Europa brohorit. E jashtëzakonshme”.

    Arsyet për këtë ndryshim qëndrojnë në vetë suksesin e drejtimeve kryesore të politikës së jashtme tradicionale gjermane: multilateralizmi; bashkëpunimi dhe siguria kolektive (NATO); respektimi i një rendi ndërkombëtar, i bazuar në rregulla dhe integrimi europian. Gjatë dekadave, që lamë pas, nëpërmjet një politike shumëpalëshe, Gjermania normalizoi me sukses marrëdhëniet e veta me botën, duke hedhur poshtë politikën e fuqisë ushtarake, d.m.th., respektim i ligjit mbi pushtetin (Recht über Macht); respektimin e rendit ndërkombëtar liberal bazuar në liberalizmin politik, ekonomik dhe ndërkombëtarizmin liberal (bashkëpunim nëpërmjet OKB-së, OBT-së dhe FMN-së), i cili i pengon fuqitë e mëdha autokratike të gllabërojnë fqinjët e tyre dhe në saj të tij, pothuajse, gjatë 80 vjetëve, asnjë fuqi e madhe nuk shpalli ndonjë luftë, të këtij lloji, sa që mund të destabilizojë të gjithë botën.

    Gjermania, me këto ndryshime, rikonfirmoi se do të bëjë gjithçka që mundet për të ruajtur dhe rritur forcën e NATO-s, kohezionin e Bashkimit Europian, marrëdhënie edhe më të ngushta me aleatët (në radhë të parë, me Shtetet e Bashkuara dhe Francën), me partnerët dhe me të gjithë ata, në botën mbarë, që ndajnë këto bindje. Për më tepër, Kancelari theksoi se Gjermania është e lidhur fort në Perëndim; nuk ka asnjë shenjë dëshire për një Sonderëeg gjerman (rrugë të posaçme).

    NDIHMA OFRUAR UKRAINËS

    Gjermania, falë peshës së saj ekonomike dhe faktit që rrëzoi të gjitha pengesat për të armatosur Ukrainën, është kthyer në çelësin e përshpejtuesit të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe, sot, renditet e treta, pas Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Gjermania do të vazhdojë të pajisë ushtrinë ukrainase me automjete luftarake Marder, me tanke të gjeneratës së tretë Leopard 2A6 dhe tanke Leopard 1 (autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se tanku i parë gjerman Leopard 2 ka mbërritur në Ukrainë).

    Në disa baza ushtarake gjermane trajnohem trupa ukrainase. Në bazën ajrore Ramstein, për shembull, një ekip ofron stërvitje taktike dhe teknike për forcën ajrore ukrainase. Në një bazë tjetër është ngritur një celulë planifikimi për të koordinuar ndihmën ushtarake për komandot dhe trupa të tjera ukrainase, ku operojnë përfaqësues nga 20 vende aleate. Kohët e fundit Beretat e Gjelbra të ushtrisë gjermane filluan trajnimin mjekësor për trupat ukrainase.

    GJERMANIA PO LUAN NJË ROL MË AKTIV NË NATO

    Sot, Gjermania drejton grupin luftarak të NATO-s në Lituani, ku, tashmë ka të dislokuar rreth 1500 ushtarë. Tetorin e kaluar, Berlini nisi një stërvitje ushtarake të NATOs po në Lituani, me rreth 5000 trupa në kuadër të Brigadës së ardhshme gjermane të Veprimtarive Zbuluese për mbrojtjen e Lituanisë. Pos kësaj, më 1 janar 2023, Gjermania mori komandën e Forcës të Bashkuar të Gatishmërisë shumë të Lartë, VJTF, përbërës i Forcës të Reagimit, NRF, të NATO-s. Këto veprimtari ushtarake janë pjesë e kontributit të Gjermanisë ndaj vendimeve të Samitit të Madrid, ku aleatët ranë dakord të punojnë për një model të ri force.

    LIDHJA USHTARAKE ME SHTETET E BASHKUARA

    Një e treta e fondit special prej 100 miliardë eurosh është përcaktuar për të blerë avionë amerikanë F35, sepse këta avionë mund të mbajnë armë bërthamore amerikane të magazinuara në Gjermani. Për sa kohë që shtete si Rusia kanë armë bërthamore në arsenalin e tyre të kërcënimit, NATO-s do t’i duhet një shkurajues (deterrent) i besueshëm.

    Shkurajimi (deterrence) është element i lidhjes shumë të fortë të sigurisë midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ushtria amerikane ka përqendruar në Gjermani pesë nga shtatë garnizonet e veta në Europë. Në Bazën Ramstein, kryesorja, ndodhet Komanda Amerikane për Europën dhe Afrikën. Për Berlinin, kjo prani është një garanci sigurie. Ajo, gjithashtu, ndikon në politikën gjermane dhe lidh interesat e Berlinit me përparësitë amerikane.

    NJË KËRSHËRI E PËRDITSHME

    Në NATO, në Paris, ashtu si edhe në të gjitha kryeqytetet europiane po ndiqet me vëmendje kthesa e mundimshme gjermane dhe angazhimi për ta bërë Gjermaninë, fuqinë kryesore ekonomike të kontinentit: shtyllën e mbrojtjes konvencionale të Europës dhe forcën e armatosur më të pajisur në Europë. A do të bëhet Gjermania një fuqi ushtarake për t’u llogaritur? Shumë shpresojnë se po. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Migrimi dhe azili temat qendrore të samitit të BE-së

    Lajmi i rradhës

    Sheshov: Ndërtimet e reja janë të sigurta

    Lajme tjera

    Dekonstruksion

    Zeqirija Ibrahimi Sa më shumë që afrohen zgjedhjet, aq më shumë tensionohet skena politike në kampin shqiptar në…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë