Roli i Drejtësisë Tranzicionale në ballafaqimin me të kaluarën

    Bleona Kurteshi

    Territori i Ballkanit Perëndimor është parë si një vatër trazirash dhe zonë e nxehtë politke sidomos gjatë viteve të ‘90-ta. Për shqiptarët e Kosovës më e rëndësishmja konsiderohet të jetë lufta e vitit 1998/99, ngjarje kjo që mori vëmendjen dhe ndërhyrjen ndërkombëtare. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme të përmendet se gjatë luftës së fundit në Kosovë, e drejta humanitare e cila nënkupton “kufizimin e veprimeve të palëve ndërluftuese, duke siguruar mbrojtje dhe trajtim njerëzor të personave që nuk marrin pjesë ose nuk mund të marrin më pjesë në luftime”, nuk gjeti aspak zbatim.

    Fëmijët që u rritën së bashku me Kosovën e pasluftës, ishin aty kur familjet e tyre duhet të fillonin çdo gjë nga e para. Problemet e përditshme që erdhën si rezultat i një lufte shkatërruese, ishin ndihmesë për të kuptuar se janë pikërisht njerëzit ata që e posedojnë forcën e ndryshimit.  Për këto kohë sa mbaj mend unë, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë kanë qenë gjithmonë të tensionuara. Kur flasim për konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë duhet të kemi parasysh kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve nga shumë aspekte të ndryshme, duke i dhënë theks të veçantë rrethanave ekonomike dhe politike qysh kohë më parë. Dallimet etnike nxitën aspirata politike të cilat kur u konbinuan me gjendje ekonomike e sociale të Kosovës sollën një konflikt e luftë shkatërruese.  Zakonisht konfliktet nacionaliste dhe etnike bazohen në hierarkinë “natyrore” të një shoqërie, në këtë rast ky ishte parim mbi të cilin u bazua Serbia në sulmet e saj ndaj Kosovës.

    Shteti i Serbisë mbi supet e veta mban një trashëgimi të shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë viteve të ‘90-ta. Një periudhë që karakterizohet me shtypje kulturore, politike dhe socio-ekonomike. Shkelja e këtyre të drejtave bëhej në mënyrë sistematike dhe të institucionalizuar.  Në këtë rast nuk flasim vetëm për raste individuale e as për kushte e rrethana normale, por për të drejta kolektive të shkelura në situatë apo gjendje konflikti. Mënyra më e duhur dhe më efikase e adresimit të shkeljeve të së drejtave të njeriut gjatë një konflikti është ajo e drejtësisë tranzicionale. Drejtësia tranzicionale është fushë e drejtësisë e cila implementohet në vendet e dalura nga konflikti dhe adreson shkeljet e së drejtave të njeriut të bëra gjatë konfliktit. Ajo i ka katër shtylla mbi të cilat vepron. E para është ajo e së Drejtës për Drejtësi. Pra, pas një konflikti, viktimat kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi për atë që u ka ndodhur. Mekanizmat me të cilët funksiononin ky parim janë gjykatat, përshembull: Gjykata Vendore Penale, Tribunale Ndërkombëtare të Përkohshme, Gjykata Ndërkombëtare Penale apo edhe Gjykata Tradicionale. Por, sistemi i Drejtësisë Tranzicionale nuk reduktohet vetëm në gjykime. Shtylla e dytë është “E Drejta për të Ditur” pra, të drejtën për të njohur të vërtetën e asaj që ka ndodhur gjatë konfliktit. Mekanizëm i saj janë Komisionet e së Vërtetës, të cilat krijohen për një mandat të caktuar. Në kontekstin tonë, e drejta për të ditur është shumë e gjerë. Nga lufta e vitit 1998/99 Kosova numëron 1620 persona të zhdukur. Andaj, është e drejtë e jona që të dimë për fatin e tyre sepse janë të zhdukur me dhunë në luftën e Kosovës. Puna për dokumentimin e së kaluarës duhet të jetë e vazhdueshme, qoftë në nivel institucional qoftë në nivelin e shoqërisë civile. Në rastet kur shoqëria e cila është viktimë e një konflikti e njeh të vërtetën e asaj që ka nodhur atëhere e kanë shumë më të lehtë të vazhdojnë përpara, andaj komisionet e së vërtetës ndihmojnë edhe në një lloj shërimi kolektiv.

    E Drejta për Dëmshpërblim është shtylla e tretë e Drejtësisë Tranzicionale. Kjo e drejtë nënkupton dëmshpërblim kryesisht material për humbjet apo pasojat e shkaktuara. Pos dëmshpërblimit material kjo e drejtë mund të manifestohet edhe si formë rehabilitimi, kthim në gjendjen e mëparshme etj. Në Kosovë rasti i familjes Bogujevci është një shembull i së drejtës për dëmshpërblim. Ndonëse asnjë e mirë materiale nuk do arrij kurrë që ta kompensoj humbjen dhe dhimbjen e familjes Bogujevci dhe të askujt që ka qenë viktimë e luftës në Kosovë.

    Reforma Institucionale është shtylla e fundit dhe shumë e rëndësishme e Drejtësisë Tranzicionale. Pas përfundimit të konfliktit duhet të nisen disa reforma institucionale si çarmatimi, demobilizimi, ri-integrimi, ndryshimi i kornizës ligjore etj, në mënyrë që vendit t’i kthehet një gjendje stabile.

    Për t’u ballafaquar me të kaluarën fillimisht duhet të pajtohemi se për cilin version të së kaluarës po flasim. Duhet të jemi real ndaj ngjarjeve dhe krimeve që kanë ndodhur. Mohimi i së kaluarës paraqet problemin dhe ngecjen kryesore në rrugën drejt ballafaqimit me të, e në të njejtën kohë shihet edhe si vazhdimësi të mendësisë së njejtë. Përgjatë këtyre viteve kërkim falja nuk gjeti asnjëherë vend tek shteti serb, nuk ka as nisma që do t’a vendosnin përballë fajit kriminal, e sikur të mos mjaftonte kjo, në fillim të muajit gusht të këtij viti parlamenti serb zgjodhi për nënkryetar Bozhidar Deliç, mbi të cilin ka dyshime të bazuara se gjatë vitit 1999 udhëhiqte një brigadë e cila dyshohet se është përgjegjëse për krime të kryera në Kosovë, më saktësisht në zonën e Gjakovës. Procesi i Drejtësisë Tranzicionale është shumë i rëndësishëm sepse me anë të saj adresohet e kaluara dhe ndërtohet e ardhmja. Pra, përpos synimit kryesor që është ai i sjelljes së drejtësisë në vendet pas konfliktit, ajo ka edhe një synim tjetër e që është ai i ndërtimit të mekanizmave për mos përsëritje të konfliktit. Deri tash, duket sikur e kaluara e dhunshme e Kosovës po gjen vend vetëm nëpër përkujtime, ekspozita e instalacione artistike dhe manifestohet në ndarje të jetës shoqërore tek komunitetet që jetojnë këtu. Kjo ndodh kryesisht për faktin se politika vazhdimisht e ka përdorur konfliktin midis dy etnive si instrument për arsye të saja. Si rezultat qytetarët janë përjashtuar nga pjesëmarrja në “problemin e madh” dhe si rrjedhoj çështja e Kosovës dhe Serbisë akoma shihet si diçka që i takon vetëm domenit të politikës. Andaj është shumë e rëndësishme që marveshjet të mos jenë vetëm formale, sepse si të tilla mund të provokojnë tensione tek qytetarët, por t’i kushtohet vëmendje veprimeve konkrete për rrugëtimin drejt arritjes së paqes, dhe jo vetëm paqes si gjendje e synuar.

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    “Kryeqyteti i grafiteve”

    Lajmi i rradhës

    Mbi dy mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë