“Agjërimi” politik i disa deputetëve të ASh-së

    Albion Memeti

    “Zot, na i mbajë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë”. Si duket kjo lutje i është pranuar deputetëve të Aleancës për Shqiptarët menjëherë pas përfshirjes së kësaj partie në Qeverinë LSDM-BDI, kundrejt së cilës kishin hedhur shumë gurë, për më shumë se dy vite.

    Ziadin Sela, Ilire Dauti, Elmi Aziri, Halil Snopçe…. Njërin nga këta politikanë ishte e pamundur mos ta hasje në lajmet e ditës nëpër portale apo në lajmet e mbrëmjes së televizioneve.

    Këta deputetë dhe kolegët tjerë të koalicionit opozitar ASh-AAA që doli nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, shkëlqyen kur e imponuan në Kuvend miratimin e Ligjit të ri për Shtetësi.

    Konferencat për media, intervistat, fjalimet në Kuvend por edhe prononcimet tjera të përditshme, zgjuan, për një moment, shpresën për konsolidimin e opozitës shqiptare, pas rënies së Partisë Demokratike Shqiptare.

    Të vendosur për të bllokuar deri në fund Kuvendin nëse nuk miratohet nisma e tyre, ata fituan betejën e parë. Ligji i ri për shtetësi u miratua. U zgjidh problemi i shumë shqiptarëve të cilëve shteti padrejtësisht u’a mohonte të drejtën për tu pajisur me shtetësi.

    Të inkurajuar nga kjo betejë e fituar, deputetët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut filluan të shpalosnin e planet e tyre të radhës, që nuk ishin modeste. Por, fatkeqësisht, fitorja për shtetësinë ishte e para dhe e fundit.

    Një betejë e fituar nuk është fundi i luftës. Dhe, luftën opozita shqiptare filloi ta humbë me krisjen e koalicionit ASh-AAA.

    Në fund të vitit 2021, katër deputetë të partisë Alternativa që fituan mandatin me vota opozitare, braktisën partnerin tyre me të cilin kishin garuar bashkë në zgjedhje, Aleancën për Shqiptarët, për t’u bërë pjesë e Qeverisë së ish-kryeministrit Zoran Zaev.

    Këtu filloi rënia e fuqisë politike të opozitës shqiptare. Megjithatë, 8 deputetë e Aleancës për Shqiptarët vazhduan të ishin zë i fuqishëm opozitar në Kuvend, ndonëse pa patur mundësi për të iniciuar apo për të çuar përpara miratimin e ndonjë nisme ligjore.

    Pafuqia për të bërë diçka më të madhe dhe ndryshimet që ndodhën në kreun e ASh-së, duket se ishin vendimtare që kjo parti të ndryshojë trajektoren e lëvizjes politike.

    Me ardhjen e Arben Taravarit në krye të partisë, Aleanca për Shqiptarët nga opozita kaloi në pushtet, ku mori pozitat e ish partnerit opozitar “Alternativës”, të cilën e çoi në opozitë.

    Morali politik i dy partive shqiptare që fituan 12 deputetë në emër të opozitarizmit, në zgjedhjet e vitit 2020, u bë i barazvlefshëm me “ministrinë e byrekut”.

    Kjo lëvizje e Taravarit u miratua edhe nga deputetët e kësaj partie. Ata që dikur nxirrni “zjarr” nga goja kundër Qeverisë LSDM-BDI, u detyruan ta mbronin në Kuvend, për disa ditë, vendimin për t’u bërë pjesë e pushtetit. Asnjëri prej tyre nuk kundërshtoi këtë lëvizje me të cilën “hidhej në ujë” gjithë opozitarizmi i tyre.

    Pas akomodimit të ASh-së në Qeveri, zëri opozitar në Kuvend u shua përnjëherë.

    Deputetët e ASh-së që deri dje ishin kritikë të ashpër të pushtetit filluan “agjërimin” politik.

    Ndonëse në fillim të mandatit ishin të pranishëm çdo ditë në media, tani jo që rrallë dalin në konferenca për media, por janë edhe të paqasshëm për gazetarët. Ata që kritikonin pushtetin për mungesë transparence, tani vetë shmangin gazetarët. Vendin e tyre nëpër media e kanë zënë ministrat, të cilëve tani ju jepet më shumë hapësirë edhe nëpër mediat e afërta me pushtetin.

    Si duket, privilegjet e pushtetit u treguan më të forta se “ideali” i deputetëve të zëshëm opozitarë. Heshtja e tyre vetëm për një copë pushteti, tregon sa të vështirë e kanë deputetët apo partitë shqiptare të rezistojnë në opozitë, si dhe shuan shpresën për një opozitë të fuqishme shqiptare, në të ardhmen e afërt!

    *Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Ibrahimi: Një stemë shtetërore me simbolin e shqiponjës dykrerëshe – një kokë për maqedonasit dhe një për shqiptarët

    Lajmi i rradhës

    Komisioni Europian përshëndet nënshkrimin e liberalizimit të vizave për Kosovën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë