SHËRIMI I SISTEMIT TË SHËNDETËSISË

    SPITALET DUHET TË JENË AMBIENTE TË SIGURTA E JO BURIM I FRIKËS E PASIGURISË.

    “Njeri s’po vjen me u shëru këtu, po veç me u smu ma shumë”, shprehje që në vete mban një të vërtetë. Shprehje që më mbeti në kokë gjatë një jave që më ra ta kaloja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Shprehje që brenda vetes pasqyron një realitet që e përjetova vetë.  

    Sapo hyra në dhomën ku po qëndronte një i afërm i imi, pashë se dhoma ishte e stërngarkuar, me shtretër dhe vizitorë. Dukej që kishte më shumë shtretër se sa që parashihej. Çdo pacient kishte nga një kujdestar –– anëtar të familjes dhe hapësira sa vinte e ngushtohej. Kjo mungesë hapësire bëhet edhe më e rëndë duke ditur që jemi në kohë pandemie. 

    Qëndrova në cep të shtratit ku shtrihej i afërmi im, sepse nuk kishte vend tjetër. Qëndrimi në këtë cep ma dha mundësinë të dëgjoj brenga që si duket, janë lënë në cep të vëmendjes institucionale.   

    Një prej familjareve të njërit pacient, e shqetësuar ankohej se kishte bërë kërkesa të shumta për kujdes ndaj pacientit, por ato nuk ishin përfillur. Ajo ankohej se kishte pritur për orë e ditë. Kësaj pritjeje nuk i shpëtova as unë. Sapo morrëm lajmin se është e nevojshme marrja e gjakut për të afërmin tim, iu drejtuam personit përgjegjës. Na tha të presim 20 minuta dhe ne, normalisht, pritëm. Pas 20 minutash, askush nuk erdhi. 

    Shkova t’i pyes se çfarë po ndodhte dhe prapë m’u tha të pres. 20 minutat fillestar u shndërruan në plot katër orë. Një pritje prej katër orësh në një gjendje të këtillë ishte vështirë e përballueshme, por nuk kishim nga t’ia mbanim.

    Më ra të qëndroj aty një javë. I afërmi im kishte nevojë për inçizim të llojit CT (computerized tomography). Edhe kjo punë morri jo katër orë, por dy ditë të plota, sepse na u tha që pajisja nuk punonte. 

    Ndërkohë, papastërtia vërehej kudo. Pa letra higjienike, deterxhentë e gjëra bazike për mirëmbajtje të higjienës, detyroheshim që zgjidhjet t’i bënim vetë. Po ashtu, qasja në barna që nevojiteshin ishte e vështirë. Kështu, iu shtova vargut të familjarëve e pacientëve që ankoheshin për gjendjen e rëndë të QKUK.

    Disa zgjidhje të shëndetshme

    Përvoja ime në QKUK nuk ishte rast i izoluar, të paktën sipas observimeve të mia dhe lajmeve të njëpasnjëshme për pacientë e të afërm të pacientëve që ankohen se nuk pranojnë shërbimet e nevojshme dhe trajtimin e duhur në spital.

    Kur mendoj për zgjidhjet, gjëja e parë që më shkon në mendje është pa dyshim angazhimi më i madh i Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë. Mbase, po të kishte vetëm vizita më të shpeshta, do ta shihnin se në çfarë rrethanash mjekohen pacientët dhe punojnë ekipi profesional mjekësor. 

    Është e tepërt ta përmend se sa themelore është qasja në shërbime shëndetësore, sepse nuk mund të ketë kurrfarë zhvillimi pa shëndetësi të mirë. 

    Janë disa hapa që mendoj se do t’i lehtësonin rrethanat me të cilat më ra të përballem, e mbi të gjitha hapa që do ua lehtësonin përvojën në spital, pacientëve, të cilët veç përballen me shqetësime shëndetësore që janë mjaftueshëm të rënda.

    PACIENTËT NUK DUHET TË PRESIN ME ORË TË TËRA PËR PËRKUJDESJE.

    Mbikqyrja më e madhe e stafit mjekësor do të mund të ndikonte në krijimin e një ambienti më miqësor për pacientët. Pacientët nuk duhet të presin me orë të tëra për përkujdesje dhe nuk duhet të detyrohen të mbështeten në familjarët e tyre që vazhdimisht të bëjnë kërkesa për përkujdesje.

    Po ashtu, inspektimi i kushteve higjienike është domosdoshmëri, me qëllim që pacientët, por edhe ekipi mjekësor të punojnë në ambiente të pastërta dhe të sigurta. Përpos nevojës për furnizim me deterxhentë, letra, sapunë dhe mjete, pajisje tjera të nevojshme për mbajtjen e higjienës, duhet të ketë inspektim të vazhdueshëm që të sigurohet që këto mjete po shfrytëzohen dhe po shpërndahen tek pacientët. 

    Nevoja për investime në pajisje, si ajo e CT-së për shembull, është e menjëhershme, që pacientëve, sidomos rasteve më urgjente, t’u identifikohen problemet shëndetësore shpejt, pasiqë pritja mund të jetë fatale. 

    Përmirësimi i kushteve të punës për ekipin mjekësor po ashtu do t’i stimulonte dhe inkurajonte tutje këta të fundit që të ndihen të vlerësuar në vendin e tyre të punës.

    Nëse këto probleme do të zgjidheshin, njerëzit do të ndiheshin të sigurt dhe nuk do të hezitonin të kontrollonin shëndetin e tyre më shpesh. Kjo mbase do çonte në parandalim të shumë sëmundjeve e rrjedhimisht në më pak ngarkesë të spitaleve.  E këto ndryshime do na tregonin që taksat tona përdoren siç duhet –– për mirëqenien tonë. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    E MIRA S’KA FUND

    Lajmi i rradhës

    Nikollovski: KOM-i t’i shmanget kurthit të Kishës Ortodokse Serbe

    Lajme tjera

    Korruptimi i fesë

    Justinian Topulli Fjala fe përdoret me kuptime të ndryshme, por dy kryesoret e saj përfshijnë dy dimensione, atë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë