Shoqëria po zgjohet

    Blendi Kajsiu

    Reagimi i shoqërisë sh qiptare kundër abuzimit seksual të një vajze ishte një ngjarje e madhe. Qindra gra, vajza, djem e burra dolën të protestonin jo vetëm në Rrëshen, por edhe në kryeqytet e qytete të tjera kryesore të Shqipërisë.

    Reagimi masiv, dhe jo për herë të parë ndaj ngjarjeve të tilla, tregon se shoqëria jonë po zgjohet për t’u përballur me plagën e dhimbshme të dhunës dhe abuzimit ndaj grave dhe vajzave shqiptare. Është një nga plagët më të mëdha të shoqërisë sonë sa patriarkale, aq edhe maskiliste që e vuajnë me mijëra gra dhe vajza.

    E megjithatë ky problem kaq madhor në mediat tona ose injorohet, ose banalizohet si histori rozë telenovelash. Mjafton të shikosh se në mediat kryesore janë shkruar shumë më tepër artikuj rreth fatit të Berishës javën e fundit sesa mbi dhunën ndaj grave dhe vajzave në dy vitet e fundit.

    E ndërtuar për t’u shërbyer interesave të ngushta ekonomike dhe politike më shumë sesa shoqërisë, mediat shpesh janë tërësisht të shkëputura nga realiteti social. Ato e fshehin më shumë sesa e pasqyrojnë këtë realitet, duke i mbivendosur një realitet politik që i shërben politikanëve më shumë sesa qytetarit. /Panorama/

    Është një realitet tejet maskilist ku disa meshkuj analistë (siç është edhe autori këtyre radhëve) merren me fatin dhe shqetësimet e disa meshkujve të tjerë politikanë, ku probleme si abuzimi apo dhuna ndaj grave dhe vajzave duken të parëndësishme për mos të thënë të mërzitshme. Edhe kur realiteti ynë i dhunshëm social e ngre kokën me vrasje dhe dhunime makabre vajzash e grash, mediat shpejtojnë t’i transformojnë këto ngjarje në kronika ose telenovela rozë.

    Me kë ish lidhur, me kë kish flirtuar, çfarë i kish thënë viktima vrasësit, apo si dhe pse e kish refuzuar. Kështu vëmendja zhvendoset nga fenomeni i dhunës te rrethanat. Për të mos thënë që shpesh faji i faturohet vajzave për mënyrën si vishen, apo se “provokojnë” apo flirtojnë.

    U desh një tjetër ngjarje mjaft e rëndë për të kuptuar se abuzimi dhe dhuna ndaj vajzave dhe grave nuk mund të justifikohet. U desh të dhunohej përsëri një vajzë për të ndjerë atë që e dinim të gjithë dështimin e shtetit tonë në çdo qelizë, nga polici dhe drejtësia deri te qeveria për të mbrojtur më shumë se gjysmën e popullatës.

    E megjithatë përballë një ngjarje kaq tronditëse reagimi i shtetit dhe i politikës është pothuajse inekzistent. Asnjë prononcim nga Kryeministri jo vetëm për dënimin e ngjarjes, por edhe mbi masat që duhen marrë që të mos përsëriten kaq shpesh dhunime kaq tronditëse. Asnjë reagim i fuqishëm nga opozita për të denoncuar dështimin e shtetit për të garantuar sigurinë e vajzave, grave dhe të miturve.

    Me debatet pa fund rreth zgjedhjeve, Ramës, Bashës, Metës apo Berishës realiteti politik duket se gjithnjë e më shumë po i largohet realitetit social. Ai është kthyer në një flluskë, brenda së cilës gjithnjë e më shumë jetojnë mediat dhe politikanët dhe gjithnjë e më pak shoqëria shqiptare. Kjo e fundit tashmë po zgjohet dhe në vend që të mrekullohet nga flluskat e sapunit po proteston për problemet që shqetësojnë atë dhe jo për hallet e politikanëve. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Qyteti që po fundoset nga 60 cm çdo vit

    Lajmi i rradhës

    Appledore, fshati që fsheh një tjetër fshat brenda tij

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë