Si ka mundur BFI ta kthejë pronën e vet në kundërshtim me ligjin?

    Besfort Idrizi

    Së pari, do doja ta bëj të qartë që jam pro denacionalizimit të pronave dhe kthimit të tyre nga ana e çdokujt, mirëpo, ky kthim i pronave, sigurisht që duhet të jetë konform ligjeve përkatëse, që është obligim sa qytetar e legal, po aq edhe islamik.

    Sipas ligjit për denacionalizim, në pikën 4 të nenit 9, thuhet qartë se nëse patundshmëria e marrë shfrytëzohet për kryerjen e aktiviteteve me interes publik, të përcaktuara me ligj, atëherë gjatë denacionalizimit prona në fjalë nuk kthehet, por kompensohet. E sa i përket përcaktimit me ligj të aktiviteteve me interes publik, kjo mund të shihet që nga vet emri i teatrit (IN Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj – Shkup), ku në fillim qëndrojnë shkurtesat “IN” si akronim për “Institucion Nacional”. Që d.t.th. që interesi jo vetëm që është publik, por edhe nacional. Për këtë dëshmon edhe ligji për institucione publike ku në nenin 2, pikën 21 dhe nenin 3 thuhet që institucion është formë e organizimit që si aktivitet bazë ka kryerjen e shërbimeve publike. Që d.t.th. se edhe ligjërisht teatri është institucion me interes publik.

    Tani sa i përket kthimit të patundshmërisë, në rast se në pronën përkatëse veçse funksionon institucion me interes publik, atëherë sipas nenit 32 të ligjit për denacionalizim ekzistojnë dy opsione. Njëra mundësi është të jepet tjetër patundshmëri të llojit të njëjtë që është në pronë të shtetit, ose si mundësi e dytë është të jepen aksione që janë, po ashtu, në pronë të shtetit. Me këtë e kuptojmë që nuk ekziston mundësia që të merret patundshmëria e një institucioni, por përkundrazi, mbrohet institucioni dhe zgjidhet modeli për ta kompensuar patundshmërinë në fjalë.

    Pas gjithë kësaj, ku shihet se ligjet janë shumë të qarta, logjikisht parashtrohen pyetjet: Si ka mundur që BFI ta kthejë pronën e vet në kundërshtim me ligjin? Kush ia mundësoi këtë? Kush ia dha këtë patundshmëri? Këtu, në përpjekje për ta gjetur përgjigjen, përsëri i thirremi të njëjtit ligj për denacionalizim, ku në nenin 12 shkruan se ndaj kërkese të tillë vendos ministri për financa.

    Kështu që, në fund na mbeten sytë e kthyer nga po ky ministër në pritje të sqarimit për një vendim të tillë i cili më tepër ngjason me një vendim politik, sesa ligjor. Me ç’ rast nuk do duhej të kërkohet përgjegjësi nga BFI, por përkundrazi, të kërkohet përgjegjësi nga dëmtuesit e kulturës, teatrit dhe pronës publike, që në këtë rast mund të jetë vetëm ai që mundësoi një kthim të tillë të pronës, respektivisht ministri i financave.

    Në ndërkohë, do ishte mirë që në vend se të kërkohet ndonjë shërbim apo mirëkuptim nga BFI për vazhdimin e përdorimit të objektit nga ana e teatrit, të shihnim një iniciativë ku teatri do ta kontestonte vendimin për marrjen e pronës së vet. Këtë, fundja, e garanton edhe neni 58 i ligjit për denacionalizim, ku thuhet se një vendim i tillë mund të kontestohet.

    Kështu që, në vend se të krijohet një tollovi me deklarata e premtime abstrakte me qëllim hutimin e opinionit dhe heshtjen e reagimeve, duhet të kërkohet përgjegjësi për shkelje të ligjit nga ana e palës që e ka dhënë patundshmërinë – ministri i financave, e jo nga ata që e kanë marrë atë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Anketa: Bie mbështetja për Biden, amerikanët përkrahin më shumë Donald Trump

    Lajmi i rradhës

    Duhanpirja pasive rrit rezikun për kancerin oral dhe dëmtimin e dëgjimit

    Lajme tjera

    Këta politikanë!

    Teresa Galeote DalamaPërktheu: Bajram Karabolli Politika, si një art i së mundshmes, si një sistem organizimi për kombet,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë