Emir Kurtishi
Javën që lamë pas, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut doli me një vendim të qartë mbi çështjen “Taleski dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut”. Ky vendim nuk përfaqëson vetëm fundin e një kontesti gjyqësor shumëvjeçar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por përbën edhe një mesazh të qartë juridik se kriza kushtetuese dhe institucionale e shkaktuar nga faljet presidenciale të vitit 2016 nuk duhet të përsëritet më.
Për herë të parë, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se anulimi i faljeve presidenciale ishte i justifikuar, duke pranuar se vazhdimi i procedurave penale dhe garantimi i qasjes efektive në drejtësi përbëjnë interes publik me peshë, që justifikon një ndërhyrje të tillë, pra përmes nenit pa bazë 11-a të Ligjit për Plotësimin e Ligjit për Falje të vitit 2016. Me këtë vendim, debati juridik mbi ligjshmërinë e anulimit të faljeve, në thelb, mori një përgjigje përfundimtare.
Me një fjalë, Gjykata, në shikim të parë, “hoqi dorë” nga parimi i sundimit të së drejtës dhe sigurisë juridike, duke i dhënë përkrahje interesit publik, përkatësisht rasteve penale që i ngriti atëherë Prokuroria Speciale, sepse faljet që i dha Gjorge Ivanov ishin të pavlefshme që nga fillimi (null ab initio), për dallim nga rasti Leksa kundër Sllovakisë, ku GJEDNJ-ja i dha peshë vendimtare faktit se falja/amnistia në Sllovaki kishte prodhuar pasoja juridike përfundimtare (res judicata) dhe se revokimi i saj nuk kishte bazë ligjore sipas vetë autoriteteve sllovake.
Në historinë e jurisprudencës evropiane, deri më sot, vetëm RMV-ja ka arritur ta zërë “ngushtë” edhe vetë Gjykatën e Strasburgut! Megjithatë, në drejtësi vlen një parim: asnjë rast nuk mund të mbetet pa epilog. Strasburgu e mbylli debatin juridik. Topi tashmë është në fushën e shtetit tonë. RMV-ja a do të jetë e aftë të nxjerrë mësime nga ky rast apo sërish do të vazhdojë me avazin e vjetër? Në fillim të këtij rasti pati përpjekje për sjelljen e një ligji të ri për falje, me standarde ndërkombëtare dhe evropiane, por “asgjë të re nga fronti i Perëndimit” – do të kishte thënë autori gjerman Remark.
Do të ishte gabim të mendohej se ky problem i përket së kaluarës dhe se Ligji për Falje është më pak i rëndësishëm në sistemin juridik të shtetit, ndaj nuk ka nevojë për vëmendje të madhe. Ngjarjet e fundit, lidhur me faljet presidenciale të kryetares aktuale, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila fali persona të lidhur me botën e krimit, treguan se rreziku nuk është zhdukur. Ai qëndron ende në prag të derës. Edhe pse këto falje u justifikuan me pretekstin se kishte pasur lëshime nga Komisioni për Falje, përkatësisht se ishte parë dënimi dhe vepra penale, e jo personi i dënuar, kjo dëshmon se problemi nuk qëndron vetëm te personi që ushtron funksionin presidencial. Çka nëse kryetares do t’i ishte tekur anulimi i këtyre faljeve? Kush do ta parashihte epilogun e sërishëm? Çështja konsiston në faktin se ligji në fuqi, fatkeqësisht, nuk ofron garanci të mjaftueshme për të parandaluar gabime ose keqpërdorime me pasoja serioze.
Një shtet që aspiron vlerat evropiane nuk mund ta ndërtojë sigurinë juridike mbi supozimin se çdo kryetar duhet të jetë i kujdesshëm dhe të veprojë gjithmonë në mënyrën më të drejtë.
Për këtë arsye, qeveria aktuale, mes tjerash, duhet t’i kushtojë rëndësi reformës ligjore të ligjit në fjalë. Përvoja e vitit 2016 dhe standardi tashmë i vendosur nga GJEDNJ-ja e bëjnë këtë reformë jo vetëm të dëshirueshme, por edhe të domosdoshme.
Në këtë drejtim, reforma duhet të përqendrohet në qartësimin e kompetencës së kryetarit të Republikës, në përputhje me atë që ofrojnë modelet e shteteve anëtare të BE-së. Për shembull, Republika e Greqisë ofron modelin më ideal me dispozitën e nenit 47, paragrafi 1, të Kushtetutës, e cila përcakton se Kryetari i Republikës ka të drejtë, pas propozimit të ministrit të Drejtësisë dhe pasi të jetë konsultuar me mendimin e një këshilli të përbërë kryesisht nga gjyqtarë, të falë, të zëvendësojë, të ndryshojë ose të zvogëlojë dënimet e dhëna nga gjykatat dhe të heqë pasojat ligjore të çdo lloji që rrjedhin nga dënimet e dhëna dhe të vuajtura.
Republika e Turqisë, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, bazuar në nenin 104, paragrafi 15, të Kushtetutës, kryetarit të saj ia njeh të drejtën e faljes si kompetencë ekskluzive presidenciale, me atë që ndryshimin dhe lehtësimin e dënimeve e kufizon vetëm për persona të dënuar që vuajnë nga sëmundje kronike, paaftësi fizike ose pleqëria. Pra, “sulltani” i Turqisë nuk disponon me një kompetencë të zgjeruar të faljes presidenciale, siç disponon shefi i shtetit në SHBA, Rusi e gjetkë, në sistemet presidenciale të pushtetit.
Ligji i ri për faljen duhet të jetë më i qartë, më transparent dhe më i harmonizuar me standardet bashkëkohore evropiane. Ai duhet të përcaktojë qartë procedurën e dhënies së faljeve, detyrimin për arsyetimin e çdo vendimi të marrë, transparencën institucionale dhe kufizimin e mundësisë që falja të ndërhyjë në procedura penale ende të papërfunduara. Falja në RMV duhet të rikthehet në funksionin e saj tradicional, si akt mëshire pas përfundimit të procesit gjyqësor, dhe jo si instrument që mund të ndikojë në vetë administrimin e drejtësisë.
Uroj që qeveria aktuale, duke e pasur parasysh këtë rast, në kuadër të agjendës reformuese, ta ketë parasysh vendimin e GJEDNJ-së dhe të synojë ndërtimin e një reforme të mirëfilltë ligjore.
Historia kushtetuese e një shteti nuk matet vetëm nga mënyra se si i zgjidh krizat, por edhe nga aftësia për të mësuar prej tyre. Faljet e Gjorge Ivanovit lanë pasoja të thella politike, juridike dhe shoqërore. Vendimi i GJEDNJ-së i dha fund debatit mbi ligjshmërinë e anulimit të tyre. Tani është radha e institucioneve tona t’i “përveshin mëngët” dhe t’i qasen punës për sjelljen e një ligji të ri.
(Autori është doktorant pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL). Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë shkrim janë ekskluzivisht personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e asnjë institucioni me të cilin autori është i lidhur.)
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






