“Tastierave të paguara”

    Besim Dogani

    Dashamirët e mi shpeshherë më këshillojnë duke më thënë: “Mos shkruaj sepse jo vetëm që rrallë kush ta vlerëson mundin, rrallë kujt i bëhet vonë për çështjet të cilat i shtjellon, por nga ana tjetër vihesh në shënjestër të sulmeve të “tastierave të paguara”, krijon humbje në tregun e punës dhe thjesht krijon armiq”. Por vaj halli që nuk duroj pa i thënë të vërtetat, nuk duroj që sakrificat shekullore të hidhen në guaskë të tualetit pa asnjë vlerë. Edhe pse jo vetëm që nuk është detyra ime, por as që ndoshta kam të drejtë të bëj vlerësime përpara atyre që janë të zgjedhur dhe e kanë për detyrë të vlerësojnë rrjedhat shoqërore e politike, sërish vendosa t’ua rrëfej vlerësimin tim se përse vlen të mbështetet propozimi francez.

    E para dhe më e rëndësishmja për mua personalisht është që ky propozim jep një mundësi shumë të mirë për eliminim të përkufizimit dhe të kuptuarit etnocentrik të shtetit, shteti i të gjithë qytetarëve dhe popujve të saj, Republika e Maqedonisë së Veriut e jo Maqedonia e maqedonasve.

    Kjo është një mundësi e shkëlqyer për kërkim-falje, pendim dhe keqardhje nga maqedonasit, por jo populli maqedonas, sepse me ta bashkëndjej e solidarizohem plotësisht meqë e di shumë mirë se si është ndjenja kur dikush tenton të të mohoj një ndjesi, përkatësi gjuhësore, kulturore historike apo etnike, sepse askush nuk e ka përjetuar më drejtpërsëdrejti këtë mohim se sa shqiptarët e Maqedonisë. Ky pendim dhe përmirësim i padrejtësisë shumëvjeçare duhet të vijë nga radhët e elitave politike maqedonase të cilat gjithë mirëqenien e tyre, rehatinë shoqërore, karrierat politike dhe institucionale e kanë krijuar në bazë të mohimit. Ata duhet të jenë më të zëshmit në heqjen e përkufizimeve të palogjikshme dhe qesharake për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe nga Kushtetuta e vendit, ashtu siç ne shqiptarët jemi të zëshëm dhe solidar kur maqedonasve etnik tentohet tu mohohet ndonjë e drejtë identifikuese.

    Është një mundësi e fundit që shteti në letër e vepër të jetë i të gjithëve që e kanë trashëgimi natyrore, të dhënë nga Zoti. Me këtë, më besoni që shumë shpejt do të eliminohet mundësia e politikë bërjes dhe vendimmarrjes në emër të “kauzave etnike” dhe “kuotave etnike” dhe e njëjta do të zëvendësohet me vendimmarrje të bazuar në nevoja reale, të planifikuar me shkathtësi dhe profesionalizëm e me drejtësi, dhe jeta në këtë vend do të nis të merr rend dhe kuptim, përndryshe duhet të shuajmë shpresat për hapërim drejt Evropës dhe parandalim të ikjes së rinisë.

    E dyta dhe po ashtu shumë me rëndësi është që ky propozim nuk është i hartuar për elitën politike as të pozitës e as të opozitës, përkundrazi është një propozim që hap shtigjet e integrimit në gjirin e popujve të përparuar dhe mbyll çdo mundësi për veçim apo mbyllje në vete. Ky propozim e shënon fillimin e mbylljes së çdo mundësie për padrejtësi institucionale, shkelje të drejtave individuale dhe kolektive nga “mazhoritari”, shënon fillimin e ç’kapjes së shtetit dhe institucioneve nga grupet e interesit, shënon fillimin e periudhës kur shteti funksionon për qytetarët duke zëvendësuar periudhën kur qytetarët ekzistonin për shtetin.

    Njëjtë si qenia njerëzore, edhe popujt janë krijuar të garojnë dhe bashkëpunojë me njëri-tjetrin, le ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe le të shijojmë përfitimet e të qenit pjesë e shumicës, bashkimit të popujve.

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Mickoski: Unë nuk dua të jem pjesë e Europës, sepse dua të mbetem maqedonas

    Lajmi i rradhës

    Kosova synon Kartonin e Gjelbër përmes një shteti tjetër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë