Të rinjtë janë thesar, nëse i braktisim kthehen në lëndë shpërthyese

    Foto: News24 Albania

    Gjergj Meta

    Rritja e kriminalitetit në vitet e fundit, sidomos ajo e trafikut të lëndëve narkotike, kultivimit të tyre, veçanërisht në zonat e thella të vendit, ka vënë në rrezik shumë ekuilibra socialë dhe ekonomikë.

    Dy ndër kategoritë që po ndjejnë peshën e madhe të kësaj batërdie janë të rinjtë e familjeve të varfra dhe me probleme si dhe policët e thjeshtë të terrenit. Ndërsa kategoritë më të paprekura janë kryet e trafikut e të kultivimit dhe mbrojtësit e tyre me pushtet.

    Kam pasur raste të flas si me të rinjtë e po ashtu me policët. Janë të dyja kategori në thelb të varfra që mbijetojnë me logjikën e ushtarit, pavarësisht se njëra palë në anën e anti-ligjit e tjetra në anën e ligjit. Por ajo çka i bashkon në mbrëmje është varfëria dhe mospasja e një perspektive të qëndrueshme dhe reale.

    Ngjarja e ndodhur në Lezhë, e të tjera që i kemi parë e dëgjuar me bollëk, megjithëse në mes të një kaosi informativ të pashoq, e tregon më së miri këtë përplasje që ndodh në bazë, në basifondet e shoqërisë shqiptare e cila është aq e vogël sa njihemi të gjithë me njëri-tjetrin.

    Mungesa e politikave të punësimit, sidomos për të rinjtë, në veçanti të zonave periferike; një sistem arsimor gjithnjë e më problematik, sidomos në këto vitet e fundit që po rëndohet me pandeminë; paqartësia e të ardhmes evropiane të vendit; mungesa e hapësirave dhe nismave për formimin dhe pro-ligjshmërinë nga shoqëria civile si edhe qershia mbi tortë e korrupsionit, janë vetëm disa nga shkaqet që shumë të rinj shkojnë drejt e në duart e krerëve të krimit ose braktisin vendin. E situata nuk po shkon drejt përmirësimit.

    Nuk është e lehtë unë e di këtë. Aspak e lehtë. Ne jemi shqiptarë e në historinë tonë kemi shtresa e nënshtresa problematike të akumuluara me dhjetëra e qindra vite. Të gdhendësh në granitin e këtyre shtresave rrezikon shumë, ose të mos bësh asgjë, ose ta shkërrmoqësh krejt. E për këtë arsye duhet art, durim, këmbëngulje në një shoqëri të frustruar e plot probleme, por ende plot me energji.

    Të rinjtë e të rejat që kemi janë një thesar plot energji, por nëse i braktisim mund të kthehen në lëndë shpërthyese dhe dëmtojnë shoqërinë, përveçse veten e tyre. Ata meritojnë vëmendje. Po ashtu punonjësit tanë të policisë janë njerëz të jetës së përditshme si të gjithë ne, me një mision dhe një detyrë. Nuk është aspak e lehtë as për ta. Prandaj përveçse të kemi besim, duhet t’i mbështesim si shoqëri.

    Lajmi Paraprak

    NATO: KFOR-i do të sigurojë zbatimin efektiv të marrëveshjes

    Lajmi i rradhës

    Liga e Evropës; Rezultatet e pjesëve të para

    Lajme tjera

    Lufta dhe nafta

    AKADEMIK. PROF. ANASTAS ANGJELI  Po t’i kthehemi historisë pas Luftës së Dytë Botërore, në periudha të ndryshme, kanë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë