Unë dhe gjuha shqipe

    ANETA WOLTER 

    Para disa viteve, një mikja ime në Gjermani me origjinë nga Lituania dhe pedagoge e gjermanishtes, më dërgoi një foto të pemës të gjuhëve botërore me shënimin entuziast: “Aneta, shiko ku ndodhet gjuha shqipe në këtë pemë!”. Ndoshta të njëjtin entuziazëm ndajnë edhe arkeologët kur zbulojnë diçka të hershme.

    Unë asnjëherë nuk kisha folur me të për gjuhën shqipe. Kanë kaluar disa vite nga ajo ditë, por ajo grua rizgjoi vëmendjen dhe dashurinë time në mërgim ndaj gjuhës sime amtare. Në vorbullën e dashurisë së rizgjuar dhe kuriozitetit ndaj gjuhës të paraardhësve të mi, dikur i dërgova një mikut tim me origjinë greke një listë krahasuese të disa fjalëve shqipe me greqishten e vjetër, për ta pyetur nëse ato shpjegime ishin të sakta apo jo?

    Asnjë reagim nga ai. Me sa dukej, nuk i pëlqeu pyetja ime. As mua mospërgjigjja e tij. Por miqësinë ne nuk e humbëm. Sot, kur dikush më pyet se çfarë gjuhë është shqipja, i përgjigjem pa mëdyshje që ajo është një gjuhë e bukur, e vjetër, një degë e pavarur në pemën e gjuhëve botërore. Dhe e flas atë, kudo ku mundem. A është shqipja më e vjetra në botë, apo e pesta në radhë, kjo nuk ka shumë rëndësi për mua, pasi kjo nuk e pakëson vlerën e saj.

    Ajo, si gjuhë e ardhur nga thellësitë e shekujve është një mister, është një investim i mijëra brezave, është pjesë e historisë sonë, e identitetit tonë. Ndryshe nga gjuhë të tjera të zhdukura tashmë, ajo ka mbijetuar, ka mbërritur në ditët tona, ndoshta rastësisht, ndoshta aspak rastësisht. Sot ajo është në duart tona.

    Ajo është përgjegjësia jonë. Ajo duhet mbrojtur. Ajo duhet zhvilluar. Ajo duhet përdorur jo vetëm si gjuhë letrare, por edhe në të gjitha dialektet gegë dhe toske. Ajo duhet studiuar veçanërisht nga gjuhëtarët shqiptarë, të cilët duhet të citohen nga ne po aq sa edhe të huajt. Ajo duhet të trajtohet nga shteti edhe financiarisht si një thesar kombëtar dhe ndërkombëtar.

    Por, kur së fundmi, disa akademikë shqiptarë dolën publikisht, pa debat, pa informacione, por me një peticion të çuditshëm ne lidhje me këtë gjuhë të çmuar, mendova njëherë: po sikur të bëjnë një “peticion” pro vjetërsisë së gjuhës së bukur shqipe të gjithë ata që janë të dashuruar me të si unë, folësit dhe miqtë e saj, mbrojtësit në media të etiketuar si “sharlatanë”, si dhe studiues shqiptarë dhe të huaj, vallë a bëhen bashkë më shumë se ata 200 akademikët? Po, për fatin e mirë të shqipes, po, bëhen! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Gravesen: Zidane më tha se janë vetëm tre skuadra që ai do të drejtonte

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski shpreson në votat e shqiptarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë