Zgjohu Europë

     Christian Schwarz-Schilling

    Vitin e kaluar, në këtë kohë u festua 25 vjetori i Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës së tmerrshme në Bosnje-Hercegovinë (BH). Sot është ndryshe: vendi ndodhet para një lufte të re, nëse politika e papërgjegjshme e lëshimeve do të vazhdojë. Atëkohë, bashkësia ndërkombëtare, sidomos ShBA-ja, ndali një luftë që përmes republikës së vetëquajtur Republika Srpska kaloi në gjenocid. Në fund të korrikut të këtij viti, ish-përfaqësuesi i Lartë i OKB-së, Valentin Inzko, futi në fuqi zgjerimin e kodit penal që dënonte mohimin e Gjenocidit të Srebernicës dhe himnizimin e krimeve të luftës.

    Ky ligj u hodh poshtë menjëherë nga Millorad Dodik, përfaqësuesi i boshnjakëve-serbë në Presidiumin Shtetëror të Bosnje-Hercegovinës dhe ndeshi në refuzim e reagime kundërshtuese në Republikën Srpska. Boshnjakët-serbë u tërhoqën nga institucionet e vendit dhe kërkuar tërheqjen e Ligjit Inzko. Me këtë ata bllokojnë shtetin e Bosnje-Hercegovinës. Në thelb një puç shtetëror.

    Përfaqësuesi i ri i Lartë, gjermani Christian Schmidt, që nga ardhja në post e tij ofendohet publikisht dhe injorohet nga boshnjakët-serbë. Ata kanë mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës, që duan ta heqin Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë – instanca më e lartë e Marrëveshjes së Dejtonit për implementimin e marrëveshjes së paqes. Spiralja e ndarjes së Republikës Srpska vazhdon, presioni e shantazhi që ndërmerr Dodik kundrejt shtetit të Bosnje-Hercegovinës janë më kërcënuese se kurrë. Dy vendime të Gjykatës Kushtetuese për pronën shtetërore, Parlamenti i Republikës Srpska i hodhi poshtë pa të drejtë. Dodiku ka javë që kërcënon, që do të shkëpusë Republikën Srpska nga ushtria shtetërore, nga ligjet dhe nga institucionet financiare, e me këtë faktikisht të bëhet i pavarur. Një vendim për këtë do të merret më 10 dhjetor. Se me këtë shkelet Marrëveshja e Dejtonit dhe Kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës, kjo nuk i intereson Dodikut.

    Të gjithëve iu është bërë e qartë se me këtë kalohet vija e kuqe. Fjala “luftë” ka filluar të qarkullojë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të vendoste këtu menjëherë sanksione të ashpra kundrejt Dodikut, por nuk po e bën. Dodiku mund të shkatërrojë më tej shtetin e Bosnje-Hercegovinës me ideologjinë e tij etno-nacionaliste. Prej 10 vjetësh rajoni i Ballkanit Perëndimor, me një Dodik që vepron gjithnjë e më në mënyrë perfide, e që në sfond mbështetet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po kthehet në një top loje të fuqive të mëdha. Se Dodikz gëzon mbështetjen e Rusisë dhe Kinës ai e ka bërë të qartë në një intervistë në ditoren “Guardian” (29 nëntor 2021).

    Kështu flitet hapur se plani i Serbisë së Madhe, që në vitet ‘90-të të shekullit të kaluar shkaktoi 2,5 milionë refugjatë dhe i kushtoi jetën 100 mijë vetëve, është më i gjallë se kurrë. Me këtë bëhet e qartë se qeveritë nacionaliste të Kroacisë dhe Serbisë asnjëherë nuk e kanë dorëzuar qëllimin të ndajnë mes tyre Bosnje-Hercegovinën. Aktualisht kjo po forcohet sërish në mënyrë aktive.

    Me tmerr unë shoh të kthehem në vitet ‘90-të, kur bashkësia ndërkombëtare për një kohë të gjatë qëndroi duarkryq dhe zhvillimet çuan në një luftë të tmerrshme. Por, çfarë bën bashkësia ndërkombëtare sot?

    Ne e dimë që nga viti 2006 se Bosnje-Hercegovina po largohet nga zhvillimet demokratike dhe bashkësia ndërkombëtare ka një bashkëpërgjegjësi të madhe. Sanksionet, si ShBA-ja ka vendosur kundër Dodikut, nuk kanë efekt të madh kur BE, që po ashtu ka mekanizma, nuk vendos për këtë. Kjo kërkon miratimin e të paktën vendeve nga 27 vende anëtare. Në perspektivë duhet të mendohet për një kurs më të ashpër, u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të BE-së më 15 nëntor në Bruksel, dhe përcaktoi: sanksionet duhet të godasin ata që venë në pikëpyetje strukturat shtetërore dhe me urrejtje duan të nxisin njerëzit kundër njëri-tjetrit. (TAZ 17 nëntor 2021)

    Por, nuk u ra dakord. Gjermania ishte pro, Hungaria kundër. Me një politikë të tillë lëshimesh prej vitesh kundrejt Bosnje-Hercegovinës, nuk i bëhet mirë këtij vendi, përkundrazi. Shembull më i mirë janë bisedimet për reformën zgjedhore që po zhvillojnë ndërkohë Matthew Palmer, i ngarkuari i posaçëm amerikan në Bosnje-Hercegovinë, dhe Angelina Eichhorst nga BE, e që për të tretën herë qëndrojnë në BH brenda një kohe të shkurtër. Të dy përpiqen në mënyrë aspak transparente dhe me presion të bëjnë një reformë zgjedhore. Pse përpiqen ta bëjnë këtë, kur vendi ndodhet në krizën më të madhe që nga fundi i luftës, kjo nuk është e kuptueshme dhe nuk krijon besim. Në vend të vendosin sanksione për ata që e bllokojnë e kërcënojnë shtetin, kërkohet një rrugë për të kënaqur ekstremistët.

    Jam i mendimit se shumë qytetarë në Bosnje-Hercegovinë, ashtu si edhe dy paditësit e njohur, Jakob Finci dhe Azra Zornic, që nga viti 2009 dhe 2014 presin implementimin e vendimeve të tyre të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku zgjedhjet e vitit 2022, ashtu si edhe të tjerat, të mbahen në bazë të Ligjit aktual zgjedhor. Vetëm më pas dhe pa presion, me transparencë dhe me pjesëmarrje të të gjithë faktorëve të shoqërisë, duhet të ndryshohet Kushtetuta diskriminuese e Bosnje-Hercegovinës që krijon kushtet për një reformë zgjedhore. Jo e kundërta.

    Tani ka më shumë rëndësi të mënjanohet rreziku i përpjekjeve për ndarje të BH-së. Stabilizimi i shtetit duhet të jetë më i rëndësishmi, por pa dorëzuar vlerat demokratike. Një reformë e ligjit zgjedhor me thellim etnik e gropos përfundimisht atë. Duket se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare nuk përmban ndryshime esenciale, që mund të çohen më tej si bazë për zhvillim të mëtejshëm demokratik të vendit, por në prapavijë vepron një agjendë tjetër, ajo që vendi të ndahet. Nuk ka çudi që Palmer dhe Eichhorst tani ndeshen me kritika për atë që bashkëpunojnë me kroatët boshnjakë të partisë nacionaliste, HDZ. Sepse, HDZ qëndron për një propozime të ligjit zgjedhor mbi kritere etnike, duke e çuar më tej diskriminimin, në fund me qëllimin e një ndarjeje tjetër dhe fundin e BH-së.

    Votimi më 29 nëntor 2021 në Parlamentin e BH-së, e konfirmon këtë. Deputetë të Republikës Srpska erdhën që nga korriku për herë të parë në Parlament dhe përpiqen, së bashku me deputetët kroatë të HDZ-së, të rrëzojnë Ligjin e Inzkos për mohimin e gjenocidit. Fakti që boshnjakët serbë dhe boshnjakët kroatë e mohojnë gjenocidin ndaj boshnjakëve dhe ngrenë si heronj kriminelët e dënuar të luftës – 26 vjet pas fundit të luftës – është një sinjal paralajmërues që në gjitha këto vite nuk është hedhur asnjë hap përpara ne vlerat e BE-së dhe parimet e saj. se Kroacia si vend anëtar e mbështet këtë, të lë pa fjalë.

    Vetëm bashkësia ndërkombëtare mund të ndalë këtë fatkeqësi dhe ata që sulmojnë rendin kushtetues të shtetit. Vlerat evropiane dhe të drejtat e njeriut mbrohen sot në Bosnjë-Hercegovinë, për të gjithë BE-në. Nëse dështojmë këtu, është e pasigurt edhe e ardhmja e BE-së. Ne nuk duhet t’i mbyllim sytë përpara presioneve dhe nuk duhet të lejojmë standarde të dyfishta në çështjen e të drejtave të njeriut. Duhet të pozicionohemi – BE, Britania e Madhe dhe ShBA, e sidomos Gjermania. Të jemi aktivë e të ndalim sa më shpejt katastrofën drejt së cilës po shkon Bosnje-Hercegovnia! /DW/

    Priznanje čovjeku koji je zbog BiH napustio njemačku vladu | Politika | DW  | 26.02.2020
    Lajmi Paraprak

    Sali Berisha paralajmëron protesta në Shqipëri

    Lajmi i rradhës

    Sallatë me avokado

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë