Mënyra e të menduarit – çelësi i shëndetit mendor?

    Qëndresa Prapashtica
    Psikologe

    Më së shumti ndër përpjekjet njerëzore më kanë impresionuar persiatjet e kahmotshme për të gjetur “shkollat e të menduarit”, që përbënë në vetvete një përpjekje serioze për të zotëruar më mirë të kuptuarit dhe për ‘t’i përkthyer’ në mënyrë jetese, mënyrë e të shprehurit apo të perceptuarit të realitetit ballë nesh.

    Ndihem mirë poashtu që, psikologjia si shkencë moderne, përbënë një përpjekje serioze bashkëkohore për të depërtuar në përmbajte të tilla. Njohja e proceseve të menduarit dhe sjelljes është zemra e kësaj orvatje e cila, shpresojmë, që do t’i sjellë dritë udhëzuese njeriut të kohës së re. Të menduarit apo kognicioni i referohet aftësisë për të procesuar informacionin, për të mbajtur vëmendjen, për të ruajtur dhe për t’iu qasur kujtimeve dhe rrjedhimisht për të përzgjedhur përgjigjet dhe veprimet e duhura në praktikë. Poashtu aftësia për t’i kuptuar njerëzit tjerë, për të shprehur veten tek të tjerët mund të karakterizohet si proces i të menduarit.  Megjithëse një ‘problem’ ndodhë këtu – si të kultivohet të menduarit më të saktë dhe si të matet saktësia? Poashtu çfarë të bëjmë, si të biejmë në harmoni me dikë – kur aq sa ka mendje ka mënyra të të menduarit?!

    Këto pyetje dhe tjera e dijnë ata veçanërisht që kanë interesim për filozofinë, që janë diku në gjenezën e përpjekjeve të njeriut për të kuptuar veten dhe shoqërinë. Poashtu shkencat të cilat e marrin për bazë subjektivitetin e njeriut i dijnë mirë këto vështirësi njohëse. Kësaj sfide janë munduar t’i përgjigjen edhe sistemet politike, nga ato më të ashprat si përshembull komunizmi i cili tentoi të ‘njësojë’ të menduarit kolektiv në një trajtë të vetme (dhe sigurisht kjo është një ndër arsyet që nuk ka funksionuar)… të kthehemi te filozofët dhe mbase tek të preferuarit e shumë njerëzve – tek shkolla e të menduarit: stoicizmi. Mund të themi që pse ia vlenë të ndalemi këtu për pak është dhe fakti që në psikologjinë e ditëve tona një ndër format më efektive të psikoterapisë (Terapia e sjelljes dhe të menduarit) është ngjizur si një ide e psikiatrit Aaron Beck dhe ka lindur si një koncept i cili është zhvilluar si një protokoll i intervenimit klinik i dëshmuar për sukses në rastet e ankthit dhe të depresionit. Me gjasë Aaron Beck, njohës i kësaj shkolle të lashtë të të menduarit është kujtuar të inkorporojë qendrën e njohjes stoike të problemeve të ankthit duke qenë se stoikët kanë tentuar të ofrojnë një kurë apo zgjidhje për menaxhimin e mendimeve negative dhe atyre automatike. Stoicimi na mëson përmes një qasjeje të thjeshtë, se si të fokusohemi në gjërat të cilat mund t’i kontrollojmë, në të menduarit tonë dhe në reagimet tona, më tepër dhe më mirë sesa të obsesionohemi për njerëz, vende apo gjëra përtej sferës sonë të ndikimit.  

    Figurat më të shquara të kësaj shkolle si Epikteti, Markus Aurelius dhe Seneka japin shembuj të panumërt për të sfiduar brenda vetes mendimet negative me mendimet që kanë për bazë proceset e të menduarit logjik (induksionin, deduksionin etj) si kundërmbrojtja më e fuqishme ndaj të menduarit të çrregulluar i cili dhe mund të çojë në gjendje të cilat sot i njohim si anksioze, depresive dhe në raste – paranoide.  

    Për të ilustruar se si duket një betejë e tillë mendimesh, le të trajtojmë se çfarë tha Epikteti për rreth pyetjes se çfarë është njeriu? – “Njeriu është një qenie racionale e vdekshme.” Racionale, për të përshkruar aftësinë e tij/saj për të përdorur përshtypjet mbi përvojat në një mënyrë reflektive. Kur e pyetën se si të veprojnë njerëzit të cilët shpesh e mendojnë të ardhmen dhe kanë frikë nga ajo që do të ndodhë, ai po thoshte: Nëse dëshironi ta jetoni një jetë të lirë nga pikëllimi i së ardhmës, mendo për atë që do të ndodhë sikur të ketë ndodhur sot”. Kur është fjala te qështjet e komunikimit përshembull, ai ndërlidhet me shprehjen: natyra ia dha njeriut dy veshë dhe një gojë në mënyrë që të dëgjojë më shumë dhe të flas më pak”, mbase edhe si një mënyrë alegorike e të shprehurit të çështjes për të cilën besoj të shumtë pajtohemi.

    Ngjashëm dhe Seneka dha mesazhin për çështjen e menaxhimit të emocioneve, apo si e quajnë klinicitës sot – për çështjen e vetrregullimit: që t’i përmbajmë emocionet tona negative si zemërimi i shpejtë, xhelozia etj., duhet të kujtohemi që as ne as të tjerët s’janë perfekt dhe në atë që gabojnë të tjerët sot ndaj nesh mund të gabojmë ne ndaj tjerëve nesër. Ose për çështjen e shpërqendrimit të vazhdueshëm i cili mbase e karakterizon këtë kohën tonë, e thotë: ndërkohë që për njeriun tepër të zënë të jetuarit është aktiviteti më pak i çmuar dhe më i vështiri për t’u mësuar”. Ndërsa për ata që mbledhin pasuri thotë: “ata edhepse kanë mbledhur shumë, shpenzojnë kohën duke u brengosur që s’kanë fituar edhe më shumë”. Në këtë diskurs, shkojmë edhe te stociku i fundit dhe më i njohur për publikun Markus Aurelius i cili na e la pas gjetjen më bombastike: Ti ke fuqi kontrolli mbi të menduarit tënd dhe jo për ngjarjet e jashtme. Kuptoje këtë dhe do të fitosh forcë. Ndërkohë, pesë reflektimet më të thella të tij të cilat bëjnë eho sot dhe sa mijë vitë ishin:
    1) Trajnoji perceptimet e tua – mënyra se si i shohim gjërat që na ndodhin e ndikojnë mënyrën se si ndihemi për atë që na ka ndodhur dhe kjo mënyrë mund të na bëjë të kënaqur apo të pakënaqur me përjetimet e jashtme. Siç thotë ai: Karakteristikat e shpirtit racional janë aftësia për vet-reflektim, vet-ekzaminim dhe mundësia ta krijoj veten në atë që dëshiron të jetë.
    2) Ktheje faqen tjerët – “Kur të zgjohesh në mëngjes thuaj vetes se njerëzit me të cilët do të përballesh sot do të jenë ndërhyrës, mosmirënjohës, arrogant, të pandershëm, xheloz dhe jo miqësor. Por unë do të merren me ata megjithatë dhe nëse unë dikujt nuk i pëlqej – kjo është punë e tyrë, por puna ime është të mos them apo bëj diçka të papëlqyeshme. Nëse dikush më urren – kjo është punë e tyre, por e imja është të jem i durueshëm dhe i gëzueshëm me të gjithë përfshirë dhe ata. I gatshëm t’iu tregoj gabimin e tyre. Jo me përqmim, por me një ndershmëri të natyrshme, me vetkontrollin e duhur. Kështu duhet të jenë gjërat nga brenda nesh dhe kurrë mos t’i lëmë zotat të na zënë të zemëruar”.

    3) Shihi sfidat si mundësi – secila qeni e arsyeshme mund t’i shndërrojë pengesat që i hasë në mundësi të tejkalimit dhe të arritjes përmes tyre tek objektivat e veta.
    4) Duaje fatin tënd – nuk ka harmoni më të madhe sesa të jesh pranues i/e fatit tënd.
    5) Krahasoje jetën tënde me përjetësinë – Kujtoje masën dhe sa pak nga ajo ndahet me ty, kujtoje kohën sa e shkurtër dhe e shpejtë është me ty dhe fatin kujtoje se çfarë roli të vogël luan ti në të.

    E kështu i nderuari Markus Aurelius na la pas vetes disa perla të vlershme për t’i bartur me vete gjithsecili dhe gjithsecila derisa ecën në rrugën e rrëpirtë të jetës. Ashtu si e nisëm këtë bisedë, mënyra e të menduarit luan një rol determinues në kualitetin e shëndetin psikofizik që të kemi, në mënyrën sesi arrijmë të krijojmë përshtypje racionale për veten, tjerët dhe botën. Tashmë përmes psikologjisë klinike kemi arritur të njohim fuqinë e të menduarit përmes një prizme çrregullimesh të formave të të menduarit të cilat pothuajse në të gjitha rastet i karakterizojnë individët të cilët janë duke kaluar nëpër sfida të shëndetit mendor. Për të ilustruar këta shembuj mund të marrim rastin e depresionit kur personit mund t’i duket bota e zymtë dhe e pavlerë për ta jetuar, ku dominojnë mendime negative të tilla që i kam dëgjuar: “Pse me jetu e me punu kur n’fund kemi me vdekë…”, ose në të menduarit anksioz kur merren trajta të tilla si: “s’po guxoj me flejtë vet se po më delë gjumi natën edhe po mendoj mos është dikush tu dashtë më hi me vjedhë, i ka ndodhë nji shokut tem, tash gjithë m’kujtohet s’po muj me flejtë…”, ose tek personat e traumatizuar ekziston një frikë nga ritraumatizimi: “ma mirë s’po shkoj sot n’ditëlindje se mos po ndodh diçka apet (kur vendi ia kujton një ngjarje paraprake). Apo tek çrregullimet e deluzionit paranoik kur të menduarit merr kahje plotësisht joracionale dhe personi mendon në mënyra të tilla si: “është dikush që po don me më lëndu, sa herë të eci rrugës vet, ose kur jom tu shku në punë e di që dikush po më ndjekë përmas, krejt njerëzit janë të dyshimit për mu, sidomos ata me flokë të zeza”. E shembuj të panumërt se si mundët të manifestohen çrregullime në të menduar e cila në një mënyrë shënon një ndër karakteristikat themelore të diganozave klinike. A ekziston parandalimi? Sigurisht që po, përderisa ekziston dhe trajtimi. Siç u përmend krejt në fillim edhe trajtimi përmes terapisë së sjelljes dhe të menduarit përfshinë të ashtuquajtrën – ristrukturim të të menduarit, ku analizohen dhe sfidohen mendimet e çrregulluara të shëndrruara në besime jofunksionale. Sepse në esencë një linjë e të menduarit të ekzagjeruar ka për bazë shmangien nga faktet. Pra ekziston një moment diku kur njeriu i beson më tepër mendimit të vet sesa faktit objektiv, dhe në njëfarë mënyrë kura për të menduarit është trajtimi i fakteve, përfshirja e procesve të të menduarit logjik dhe të argumentuar për secilën çështje si mënyra e vetme për të ruajtur të menduarit e shëndetshëm, për të bërë zgjedhje të shëndetshme dhe për t’u ruajtur nga lajthitjet dhe gabimet në të menduar të cilat rrjedhimisht çojnë në zgjedhje të gabuara, raportë të brishta ndërnjerëzore dhe ndonjëherë pasoja afatgjata negative për individin dhe/apo shoqërinë. Në rrafshin kolektiv, ndodhë poashtu që të krijohen yrrneke të caktuara të të menduarit të cilat një kulturë e caktuar i pranon si të sakta, të tilla që çojnë në paragjykime dhe anashkalim të të menduarit racional, të tilla si: “Ky njeri qenka me lëkurë të zezë, më mirë t’i shangem kësaj rruge” – duke aluduar gabimisht që ngjyra e lëkurës e përcakton sjelljen e personit tjetër. Apo “kjo qenka veshur me minifund, edhe nëse e ngacmoj e pranon”, duke aluduar gabimisht që sjellja e tillë arsyetohet nga veshja e personit tjetër, etj. Disa herë mund të themi që “na konvenon” ky lloj i të menduarit për të realizuar sjellje të cilat racionalisht janë të papranueshme, por dhe ndonjëhere nuk reflektojmë apo vet-ekzaminojmë të menduarit tonë për të kuptuar në mënyrë autokritike se ku është çalimi. Prandaj dhe për një popull i cili nuk ka arritur të kultivojë proceset e të menduarit drejt një natyre racionale rrjedhimisht dhe problemet sociale mund të jenë evidente për një periudhë të caktuar. Marrja e përgjegjësisë është hapi i parë drejt të kuptuarit se ku është çështja, mandej përcaktimi i orientimit se si të dalim nga kjo humnerë e jo-racionalitetit.

    Ka shumë për të thënë e për të bërë, megjithatë lavdia i takon mendjes racionale sepse siç ka thënë z. Markus, ia vlenë të jetohet jeta e mirë – sepse nëse Zoti nuk më shpërblen për virtytin prapseprap mund të them që kam jetuar një jetë të mirë. “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë” mbase e ka pasur edhe interpretimin e kundërt – që pa të menduar të shëndetshëm nuk mund të ketë as trup të shëndetshëm… dhe sa herë e kemi vërejtur vetë këtë?

    Lajmi Paraprak

    AGGELER KRITIKOI GJYQËSORIN DHE TË KORRUPTUARIT MË SHUMË SE KUSHDO TJETËR NË RMV

    Lajmi i rradhës

    Ziberi: në RMV ka institucione pa asnjë të punësuar shqiptar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë