Çfarë duhet të dini patjetër për qumështin formulë për bebet

    Ushqyerja me gji siguron ushqimin më të mirë për fëmijën dhe është mënyra më e rekomanduar për të ushqyer një të porsalindur. Megjithatë, disa faktorë mund t’ju bëjnë të konsideroni ushqyerjen me qumësht formulë. Përpara se të kalojmë më tej, ndalemi fillimisht te ai që po konsiderohet marketing agresiv i qumështit me formulë.

    Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

    Nëpërmjet mjeteve si aplikacionet, grupet virtuale ose “klubet e foshnjave”, influencuesit me pagesë në rrjete sociale, konkurset dhe forumet ose shërbimet e këshillimit, kompanitë e qumështit formulë për foshnjat po blejnë ose mbledhin informacione personale dhe u dërgojnë paketa të personalizuara grave dhe nënave të reja, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Prindërit dhe gratë shtatzëna në mbarë botën janë të ekspozuar ndaj marketingut agresiv të qumështit formulë për fëmijë, thotë OBSH.

    Ku qëndron problemi?

    “Promovimi i formulave komerciale të qumështit duhet të kishte përfunduar dekada më parë,” tha Dr. Francesco Branca, Drejtor i Departamentit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore të OBSH-së. “Fakti që kompanitë e qumështit të formulave tani po përdorin teknika marketingu edhe më të fuqishme dhe tinëzare për të rritur shitjet e tyre është i pafalshëm dhe duhet të ndalet.”

    Pse duhet ndaluar kjo formë marketingu?

    Sepse shkel Kodin Ndërkombëtar të Marketingut të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit miratuar vitin 1981. Kodi është një marrëveshje historike për shëndetin publik, i krijuar për të mbrojtur publikun dhe nënat nga praktikat agresive të marketingut nga industria e ushqimit formulë për fëmijë që ndikojnë negativisht te ushqyerja me gji.

    A ka rezultuar efektive kjo fushatë globale marketingu?

    Po. Kompanitë e qumështit formulë për foshnja postojnë përmbajtje në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale rreth 90 herë në ditë, duke arritur në 229 milionë përdorues, që përfaqëson tre herë më shumë njerëz sesa ata që arrihen nga postimet informuese për ushqyerjen me gji në llogaritë jokomerciale. Thënë kjo, ka gjithnjë e më shumë rënie të numrit të nënave që zgjedhin të ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri.

    A është qumështi formulë i rrezikshëm?

    Nuk është kjo çështja. Qumështi formulë për bebe është një alternativë e mirë zëvendësuese për qumështin e gjirit në raste të caktuara, duke nisur nga problemet me shëndetin e nënës e deri te preferencat personale. Por qumështi i gjirit është i pari përsa i përket përfitimeve shëndetësore për bebin dhe nuk mund të promovohet më tepër se qumështi i gjirit, aq më keq të mund të pretendohet se është më i mirë se qumështi i gjirit.

    Çfarë përmban qumështi formulë?

    Përmbajtja e formulave për fëmijë ndryshon në bazë të markës. Shumica e formulave kanë në bazë qumështin e lopës, të tjera kanë bazë soje. Për fëmijët që nuk konsumojnë dot bazën e qumështit të lopës/sojes, ekzistojnë formulat e hidrolizimit të proteinave. Formulat përmbajnë vitamina (A, B6, B12, D, C, E dhe K), minerale (kalcium, magnez, natrium, zink), suplemente ushqimore (acide yndyrore, proteina, probiotikë) dhe përbërës shtesë (laktozë, vajza me bazë bimore).

    Por ku qëndron ndryshimi me qumështin e gjirit?

    Qumështi i gjirit përmban ekuilibrin e duhur të lëndëve ushqyese për fëmijën dhe rrit sistemin imunitar të bebit. Konsiderohet standardi i artë për ushqimin e foshnjave, thotë Jay L. Hoecker, specialist i pediatrisë në Mayo Clinic.

    Formulat komerciale për foshnjat nuk përmbajnë elementet e qumështit të gjirit që forcojnë imunitetin që vetëm trupi i nënës mund t’i sigurojë foshnjës. Për shumicën e foshnjave, qumështi i gjirit është gjithashtu më i lehtë për t’u tretur sesa formula.

    Qumështi i gjirit, që mund të parandalojë 13% të vdekjeve të fëmijëve, përmban antitrupa që u ofrojnë foshnjave mbrojtje shtesë kundër infeksioneve dhe sëmundjeve. Pra, qumështi i gjirit vepron si vaksina e parë e foshnjave, duke i mbrojtur bebet nga shumë sëmundje të zakonshme të fëmijërisë.

    Lajmi Paraprak

    Kërcënimi në rritje i një recesioni ekonomik global

    Lajmi i rradhës

    Kosovë, opozita bojkoton mbledhjen e kryesisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë