Si t’i bëni muret e bardha të shtëpisë të duken si të sapo lyera

    Muret e bardha e bëjnë një hapësirë ​​të duket më e madhe, më e ndritshme dhe më e pastër.

    Problemi me to është se ndoten lehtësisht, qoftë kjo për shkak të gërvishtjeve nga lëvizja e mobiljeve apo gjurmëve të gishtërinjve nga të vegjlit.

    Është e vështirë të mbash një shtëpi të pastër dhe të rregullt kur muret tregojnë çdo shenjë konsumimi.

    Për fat të mirë, ka shumë mënyra për t’i bërë muret e bardha të duken si të sapo lyera dhe AgroWeb.org ju njeh me to në vijim.

    Si të pastroni si duhet muret e bardha

    Muret zakonisht pastrohen apo lyhen përpara ngjarjeve të rëndësishme të shtëpisë.

    Sidoqoftë, ato mund të ndoten edhe më tepër në muajt e ngrohtë kur hapim dritaret për të lejuar ajrin e pastër të hyjë dhe me të edhe pluhurin.

    Muret kërkojnë pastrim të vazhdueshëm, veçanërisht në shtëpitë me fëmijë dhe kafshë shtëpiake.

    Çfarë mjetesh pastrimi do t’ju duhen

    • 1 sfungjer
    • 1 leckë ose peshqir mikrofibër
    • 1 rrotull me letër kuzhine
    • 1 detergjent shumë përdorimësh
    • 1 detergjent i butë enësh
    • Sodë buke
    • Një furçë pastrimi
    • Metodat e pastrimit

    Në pjesën më të madhe, ju mund të trajtoni çdo njollë me një sfungjer të butë ose leckë mikrofibër, por për gjëra që mezi pastrohen, mund t’ju duhet një furçë pastrimi.

    Vlerësoni fillimisht situatën, me çfarë keni të bëni konkretisht? A keni nevojë vetëm për të fshirë pluhurin nga tavani? A po shihni disa gjurmë gishtash apo një gërvishtje më të gjatë se parakrahu juaj? Pas vlerësimit përgatisni mjetet e duhura.

    Metoda 1: Duke përdorur detergjent shumë përdorimësh

    Ju mund të përdorni çdo pastrues shumëpërdorimësh, por mundohuni të zgjidhni një që ka strukturë të ngjashme me sapunin.

    Këto funksionojnë më së miri për të larguar ndonjë ushqim ose pije të derdhur në murin tuaj të bardhë.

    Metoda funksionon më mirë nëse njollën e pastroni menjëherë.

    Metoda 2: Detergjent enësh dhe një sfungjer i butë

    Detergjenti i enëve në fakt është edhe një pastrues fantastik për sipërfaqet përreth shtëpisë tuaj, përfshirë këtu edhe tapetin.

    Përpiquni të zgjidhni një detergjent të butë, që nuk ka shumë aromë të rëndë ose kimikate të tjera të ashpra.

    Për një njollë që nuk largohet me lehtësi, zgjidhni një sfungjer të butë, lageni, shtoni një pikë detergjenti enësh dhe pastroni njollën.

    Fërkojeni butësisht derisa të shihni se po del shkumë, lëreni të qëndrojë për pak minuta dhe më pas fshijeni me një leckë mikrofibër të lagur. Mund t’ju duhet të përsërisni procesin dy ose tre herë.

    Metoda 3: Përdorni sodë buke

    Nëse keni një njollë vërtet kokëfortë që ende nuk largohet, provoni këtë metodë natyrale për të gjitha llojet e njollave dhe sipërfaqeve.

    Merrni pak sodë buke dhe një tas, krijoni një pastë duke shtuar nga pak ujë.

    Pasta duhet të ketë një strukturë pak ngjitëse, kështu që rregulloni mirë raportin e përbërësve.

    Aplikoni butësisht pastën në mur me një sfungjer të lagur

    Sa më gjatë të qëndrojë, aq më mirë

    Pasi njolla të ketë qëndruar mjaftueshëm, fshijeni me një leckë mikrofibër të lagur ose me një letër kuzhine.

    Metoda 4: Furçë pastrimi

    Ende pa fat? Kur gjithçka tjetër dështon, është koha për të marrë një furçë të lagur me ujë dhe të fshini butësisht njollën derisa muret të pastrohen.

    Kini kujdes në muret e lyera me shkëlqim dhe me gjysmë shkëlqim. Furça mund të lërë shenjë të dukshme nëse përdoret në mënyrë agresive gjatë fërkimit.

    Lajmi Paraprak

    Bota pranë bumit të ri teknologjik

    Lajmi i rradhës

    Trup i shëndetshëm pas moshës 40 vjeç – Zakonet që duhen ndryshuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë