Koalicioni VLEN, përmes një komunikate për media, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar për, siç thonë ata, “korrupsionin 20 vjeçar” dhe moskujdesin ndaj mjedisit, përcjell Nistori.
“BDI 20 vite e shkatërroi sistemin. Pasojat i vuajnë të gjithë, fatkeqësisht më së shumti qytetarët. BDI, e cila dy dekada me radhë i helmonte qytetarët me korrupsion, sot paska gjetur guxim të flasë për ajrin e Shkupit. Hipokrizia nuk ka kufij.
Po ku ishit kur Shkupi çdo vit dilte në listat e qyteteve më të ndotura në botë me disa ministra tuaj të Ambientit Jetësor?
Ku ishit kur qytetarët protestonin për ajër të pastër dhe kundër deponive të egra, ndërsa ju bënit matematikë se kush sa përqind do të marrë nga tenderët?”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Në komunikatë ata theksojnë më tej:
“Sa i përket ‘interesave personale’ që i përmend BDI, ju, me gjithë klikën tuaj të kriminalizuar, në 20 vite pushtet për pak sa nuk u futët në Librin e Guinessit për korrupsion dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore.
Deponitë krijoheshin ndërsa ju blinit qendra tregtare, biznese nafte dhe fotovoltaikë.
Deponitë rreth Shkupit, në Tetovë, në Kërçovë e në Strugë janë trashëgimi nga koha e BDI-së.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e udhëhequr nga Izet Mexhiti, reagoi menjëherë, të koordinuar dhe së bashku me të gjitha organet dhe institucionet kompetente, përfshirë edhe shërbimet e zjarrfikësve.
Situata tashmë është nën kontroll dhe qytetarët informohen me kohë.
Djegia e deponive, qoftë në ‘Drisla’, në Shuto Orizarë apo në Trubarevë, në prag të zgjedhjeve e hap temën për përpjekjet për destabilizim, për të cilat kemi paralajmëruar edhe më parë.
Qytetarët e dinë mirë kush është përgjegjës për këtë gjendje dhe më 19 tetor do të japin përgjigjen e merituar.”
Nga VLEN theksojnë se BDI sot flet për ajrin e ndotur, por në të kaluarën nuk ka reaguar për problematika të tilla.
Ndërkohë, BDI në reagimin e saj ka sulmuar ministrin e Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, duke e akuzuar për mungesë përgjegjësie.
“Ndërsa ajri në Shkup mbrëmë kundërmonte helm, Izet Mexhiti, i cili duket se ka harruar se është ministër i Mjedisit Jetësor, nuk tha asnjë fjalë. Nuk doli para opinionit, nuk dha rekomandime, nuk ofroi informacione, nuk bëri asnjë apel.
Në kohën kur Shkupi kundërmonte plastikë të djegur, bateri dhe mbeturina elektronike, kur qytetarët kishin frikë për shëndetin e tyre, për Izet Mexhitin ishte më e rëndësishme të transmetonte drejtpërdrejt një aktivitet partiak në Çair, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.”
BDI i drejton pyetje publike Mexhitit:
“E pyesim: pse ikët nga konferenca e jashtëzakonshme për shtyp ndërkohë që banorët e Trubarevës evakuoheshin vonë natën? A keni qoftë edhe një grimë përgjegjësie për funksionin që ju është besuar?”
Sipas BDI-së, sjellja e Mexhitit nuk është befasuese:
“Por qytetarët nuk duhet të habiten nga një sjellje e tillë. Mexhiti për 20 vite në Çair ka pasur vetëm interesa personale, dhe kurrë kujdes të vërtetë për nevojat e qytetarëve.
Ashtu siç dje nuk lëvizi as gishtin për të ndihmuar dhe për të treguar se është lider dhe politikan i përgjegjshëm, po ashtu edhe gjatë dy dekadave të kaluara në Çair i ka ikur problemeve dhe ka ndjekur interesat e tij të biznesit. Me njerëzit takohej vetëm para zgjedhjeve.
Prandaj Çairi sot duket kështu, i lënë pas dore, i pasigurt dhe i harruar.
Më 19 tetor, qytetarët e Çairit do ta mposhtin Izet Mexhitin, sepse ka ardhur koha që politika e papërgjegjësisë dhe egoizmit më në fund të mbetet në të kaluarën.”






