Gazetari Hamzi: interesi personal i partive tona qëndron mbi atë të interesit publik

    Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut kanë qenë edhe në interes të mediave në rajon. Në një prononcim për televizionin Vizion Plus në Shqipëri, gazetari i portalit Nistori, Emir Hamzi, ka folur për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat u mbajtën më 2 nëntor. Gazetari Hamzi tha se rezultati në raundin e dytë ka qenë i pritshëm, duke marrë parasysh atë që ndodhi në rrethin e parë më 19 tetor, shkruan Nistori.

    “Një rezultat i tillë ishte i pritshëm, BDI ishte gjatë kohë në pushtet dhe duhet të kemi parasysh se qëndrimi gjatë në pushtet i konsumon votuesit. VLEN hyri në zgjedhje me energji të re, mobilizuan votues të ri dhe e bëri të lehtë kalimin në balotazh dhe fitimin e disa komunave në raundin e parë. Rezultatet e rrethit të parë e paralajmëruan njëfarë mënyrë humbjen e koalicionit AKI. Në momentin kur VLEN siguroi më shumë komuna në rrethin e parë, ishte e qartë se ku shkon situata”, tha Hamzi.

    I pyetur për BDI-në dhe dorëheqjet e mundshme, ai tha se kjo duhet të jetë reflektim i rezultateve të dobëta të BDI-së në ciklet e fundit zgjedhore.

    “Edhe pse në AKI nuk thanë kështu, se do të ketë dorëheqje, konsideroj se kjo është e domosdoshme për reflektimin dhe ringritjen e vet partisë, për shkak të rezultateve të dobëta në ciklet e fundit zgjedhore”, tha Hamzi. Ndërsa sa i përket bashkimit të partive shqiptare, Hazmi theksoi se lufta tek partitë shqiptare është për pushtet.

    “Politika shqiptare nuk është më BDI dhe opozitë e bashkuar, është luftë për dominim, e jo bashkim. Pushteti lokal është ndikim, punësim, tender dhe çdo parti kërkon ndikimin e vet. Ndërsa VLEN kërkonte që të shemb modelin e vjetër të BDI-së. Ndërsa BDI çdo herë ka dashur të jetë si përfaqësuese e shqiptarëve. Te partitë shqiptare më shumë shihet interesi për pushtet, se sa për çështje të patriotizmit”, tha Hamzi.

    Ndryshe, në zgjedhjet e fundit lokale, VLEN fitoi 10 komuna, prej të cilave në Strugë përkrahu kandidat të pavarur, ndërsa AKI fitoi në katër komuna. Ndërkohë, dy komuna me shumicë shqiptare, Kërçova dhe Bërvenica, gjatë katër viteve të ardhshme do të drejtohen nga kandidatë maqedonas nga radhët e VMRO-DMPNE-së. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Konfirmohen deputetët e rinj që do të zëvendësojnë ata që u zgjodhën kryetarë komunash

    Lajmi i rradhës

    Seferi Tahiri: rezultati i zgjedhjeve lokale është alarm i kuq për BDI-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë