Një mësimdhënës 52-vjeçar nga Shkupi është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse 18-vjeçare. Siç informon Ministria e Punëve të Brendshme, mësuesi i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale nxënëses 18 vjeçe.
“Më 09.03.2026 në orën 17:30, punonjës policie nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkupit arrestuan një burrë 52-vjeçar nga Shkupi, mësimdhënës në një shkollë të mesme në zonën e Qendrës, duke vepruar pas një denoncimi paraprak se gjatë periudhës 25.02.2026 – 02.03.2026 kishte ngacmuar një nxënëse 18-vjeçare dhe i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale. Pas hetimeve të plota dhe dokumentimit të rastit, do të parashtrohet kallëzim i përshtatshëm”, thonë nga MPB.
Ndryshe, tragjedia që tronditi opinionin publik në Shkup, ku humbën jetën një nënë dhe vajza e saj gjashtëvjeçare pas rënies nga kati i gjashtë i një ndërtese banimi në lagjen Taftalixhe, ka nxitur reagim të fortë në shoqëri dhe një valë të re denoncimesh për dhunë në familje. Apeli i institucioneve dhe i organizatave që qytetarët të mos heshtin përballë dhunës duket se ka dhënë rezultat: vetëm në dy javët e fundit janë paraqitur më shumë se 20 padi penale. /Nistori/






