Si të parandalohet ndërhyrja e huaj dhe manipulimet me informacionet. Përgjigje konkrete për këtë pyetje nuk ka, ndërsa çdo vend në mënyrë të ndryshme përpiqet ta gjejë modelin e duhur. Për momentin nuk mund të thuhet se cili model është i duhuri, të cilin Maqedonia do të mund ta përdorë. Shteti ynë mund vetëm të mësojë nga përvojat e vendeve të tjera. Kanali kryesor përmes të cilit bëhet manipulimi me informacionet janë rrjetet sociale.
“Mendoj se na duhet ndoshta kufizim i fortë… Ndoshta jo kufizim, megjithatë një qasje më e fortë ndaj rrjeteve sociale. Sepse, siç dihet, dora e padukshme, tregu i lirë dhe informacionet e lira që janë të disponueshme në tregun e lirë. Mund të them se ‘Resist’ deri më tani ka funksionuar në Britaninë e Madhe dhe është treguar si mjaft i mirë. Çdo mëngjes, disa prej kolegëve të mi dhe unë, që jemi në të njëjtën zyrë, në orën 6 të mëngjesit bëjmë raport se cilat informacione vijnë nga horizonti dhe me cilat të merremi që në fillim. Nuk merremi me gjithçka, diçka do të kalojë, por funksionon”, tha Xhon Mekaron Shipman – Shërbimi I Komunikimit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas përvojave botërore, më së shumti raste të ndërhyrjes së huaj dhe manipulimeve me informacionet ka gjatë zgjedhjeve.
“Manipulimet me informacionet janë sfidë globale, nuk është vetëm sfidë për Maqedoninë apo për vetëm një shtet konkret. Sjell rekomandime, njohuri dhe përvojë nga të paktën 50 vende në botë, pjesë të ndryshme të botës. Dhe kjo është ajo që dua të ndaj, kjo është sfidë globale dhe askush nuk mund të përballet i vetëm me këtë problem”, deklaroi Françeska Bogeri – OSBE/ODIHR.
Në parandalim duhet të përfshihen të gjithë, nga institucionet, e deri te sektori civil dhe ai privat.
“Sigurisht, është shumë e rëndësishme, me rëndësi kyçe që të ketë gatishmëri institucionale për përballimin e problemit dhe kërcënimeve nga manipulimet me informacionet. Por, problemi i manipulimeve me informacionet është një problem shumë më i gjerë, është problem i gjithë shoqërisë dhe kërkon një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë. Për mua, pasi të vendosen procedurat e duhura institucionale për përballimin e problemit, hapi i radhës është hapja e hapësirës për debat dhe përfshirja e sektorit civil, akademikëve dhe sektorit privat”, tha Federiko Sikurela – konsulent i pavarur dhe ekspert.
Maqedonia, si shumë shtete në botë, nuk është imune ndaj kësaj, ndërsa qeveria me qëndrim se është e gatshme për bashkëpunim me qëllim përballimin dhe parandalimin e kësaj dukurie.
“Nga ajo që kemi bërë deri më tani, e që është një grup joformal me përfaqësues të institucioneve, mundëm të vërejmë se brenda, në kuadër të institucioneve, të punësuarit, ata që janë përgjegjës në sektorët për marrëdhënie me publikun kanë njohuri të mira, solide për atë se çfarë do të thotë ndërhyrje e huaj dhe manipulim me informacionet, që është një fillim i mirë. Ajo që shtesë mbetet është se si të krijojmë një trup koordinues që vërtet do të merret me këtë çështje”, u shpreh Marija Miteva – zëdhënëse e qeverisë.
Ndërkohë, sot u mbajt një panel diskutimi në organizim të Institutit për Studime të Komunikimit për përvojat e shteteve të tjera në luftën kundër ndërhyrjes së huaj dhe manipulimeve me informacionet, në të cilin u ndanë modelet dhe mënyrat për parandalimin e kësaj dukurie.






