Vetëm dy roje pyjesh për Dibrën: pyjet lihen në duart e prerësve dhe të piromanëve

    Policia pyjore në Dibër ballafaqohet me probleme kadrovike, gjë që reflektohet në mbrojtjen e dobët të pyjeve në territorin që mbulon me aktivitetet e saj. Kjo situatë është problematike tashmë disa vite, prandaj paraqiten probleme me mbrojtjen e pyjeve nga hajnat, por edhe me mbrojtjen e pyjeve nga zjarret në rajonin e Dibrës dhe më gjerë.

    Kjo, mes tjerash, u theksua në seancën e Këshillit Lokal për Preventivë, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të institucioneve që kanë kompetenca në këtë sferë. Në seancë veçmas u potencua situata në Policinë pyjore.

    Përfaqësuesi i Policisë pyjore në Dibër theksoi se policia pyjore ka problem me mungesën e policëve, por edhe të pajisjeve të nevojshme. Për shkak të kësaj situate paraqiten edhe probleme në terren.

    Policia pyjore, e cila në Dibër ka vetëm dy policë, nuk mund të mbulojë tërë terrenin e pyjeve që faktikisht shtrihen në tre komuna. Janë territore me sipërfaqe të mëdha pyjore, të cilat sipas standardeve kërkojnë më shumë policë pyjorë. Këtë, mes tjerash, e thekson përfaqësuesi i Policisë pyjore në Dibër, Sefer Maloski.

    Ai sqaron se para zgjedhjeve lokale ka qenë i hapur një konkurs për pranimin e katër policëve për Dibër dhe rajonin, por deri tani, edhe pse kanë kaluar shumë muaj, nuk është pranuar asnjë dhe policia vazhdon të ketë vetëm dy policë.

    “Sipas të dhënave të mia, meqë jam polic pyjor prej shumë vitesh, ne jemi dy, por duhet të ketë së paku dhjetë policë pyjorë. Mbulojmë territorin e komunës së Dibrës, pastaj territorin e komunës rurale Qendër Zhupë, si dhe një pjesë të komunës Mavrovë–Rostushë. Po ashtu nevojiten edhe pajisje plotësuese për të ndjekur situatën në pyjet e Dibrës dhe rajonit”, thotë polici pyjor, Sefer Maloski.

    Anëtarët e Këshillit Lokal për Preventivë në Dibër vlerësojnë se policia pyjore duhet të kompletohet me policë të tjerë, por edhe me pajisjet e nevojshme. Me një ekip të kompletuar, kjo polici mund të ndikojë shumë pozitivisht në parandalimin e zjarreve, por edhe në uljen e vjedhjeve të druve nga pyjet në territorin e tre komunave.

    Vitet e fundit ka pasur shumë zjarre në hapësira pyjore, meqë vëzhgimi i terreneve nuk ka qenë në nivelin e duhur. Në njësinë për shuarjen e zjarreve, por edhe nga ana e policisë në Dibër, theksojnë se bashkëpunimi me policinë pyjore është në nivel, por nevojiten më shumë policë pyjorë. Vlerësohet se me kompletimin e policëve dhe pajisjeve, policia pyjore do të mund të parandalojë shumë zjarre në pyjet e rajonit, por edhe aktivitetet e hajnave që kryejnë vjedhjen e druve në pyje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    MASAT PAS PASHKËVE | Jetesa në RMV shtrenjtohet  

    Lajmi i rradhës

    Hera: 80% e grave paguajnë për shërbime gjinekologjike, ndonëse ato duhet të jenë falas

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë