Punonjësit e kulturës në rrugë: po cenohen të drejtat dhe dinjiteti ynë

    Sindikata e Kulturës mbajti sot protestë para Ministrisë së Kulturës, pasi në ditët e fundit kishte paralajmëruar se Marrëveshja Kolektive është nën sulm dhe se të drejtat dhe dinjiteti i punonjësve të kulturës po injorohen, përcjell Nistori.

    Protesta u njoftua si reagim ndaj mosrespektimit të të drejtave të dakorduara, por edhe ndaj procedurës së nisur nga Gjykata Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Marrëveshjes Kolektive për Kulturën.

    SKRM më herët kishte theksuar se arsyeja e daljes në protestë nuk është vetëm ligjore, por edhe thellësisht ekzistenciale. Sipas sindikatës, Gjykata Kushtetuese ka nisur procedurë bazuar në shifra pagash që, siç pretendohet, nuk përputhen me realitetin e punonjësve të kulturës.

    Në vend të pagave që variojnë nga 45.000 deri në 128.000 denarë, siç është deklaruar më parë, sindikata thotë se situata reale është ndryshe: paga më e ulët është 32.217 denarë, ndërsa më e larta 88.964 denarë. Sipas tyre, rreth 80 për qind e punonjësve fitojnë nga 35.000 deri në 55.000 denarë.

    Sindikata thekson se bëhet fjalë për bibliotekistë, kuratorë, konservatorë, teknikë dhe punonjës të tjerë që çdo ditë kujdesen për trashëgiminë kulturore, arkivat dhe institucionet me interes publik. Sipas saj, paraqitja e këtyre të drejtave si “privilegj” bie ndesh me logjikën themelore të ligjit të punës, sidomos duke pasur parasysh se sektori i kulturës ka funksionuar për dekada pa një marrëveshje kolektive efektive.

    Sindikata rikujton se për Marrëveshjen Kolektive për Kulturën u pritën 30 vjet dhe u negociua për 15. Ajo nisi të zbatohej financiarisht në vitin 2023, por menjëherë pas kësaj lindi një mosmarrëveshje për mënyrën e llogaritjes së pagave, duke çuar në qindra padi nga punonjësit. Zemërim shtesë shkaktoi edhe fakti se i njëjti nen i marrëveshjes ishte kundërshtuar në vitin 2021, por atëherë Gjykata Kushtetuese nuk gjeti bazë për të nisur procedurë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Favorizim kompanish në tenderë, kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Dellçevës

    Lajmi i rradhës

    MJERË AI KOMB

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë