Gjykata Themelore e Gostivarit e ka dënuar me pesë vjet burg ish-zyrtarin e policisë Ardijan Pinjolli (38) nga Kërçova, për përfshirje në grabitjen spektakolare të një artarie në Gostivar, ku u vodhën 18 kilogramë ar me vlerë rreth 1.8 milion euro. Grabitja ndodhi në tetor të vitit të kaluar, përcjell Nistori.
Sipas aktgjykimit, Pinjolli e ka shfrytëzuar automjetin zyrtar të policisë, një Chevrolet Spark, për t’u krijuar kushte të favorshme autorëve të grabitjes. Gjykata vlerësoi se ai kishte çaktivizuar radion e komunikimit të policisë dhe kishte lehtësuar lëvizjen e automjeteve BMW X5 dhe Volkswagen Sharan, të cilat dyshohet se u përdorën nga grabitësit e maskuar.
Mbrojtja e të dënuarit e kundërshton vendimin, duke pretenduar se gjatë procedurës gjyqësore nuk janë marrë parasysh provat dhe dëshmitë që, sipas saj, dëshmojnë pafajësinë e Pinjollit.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit ka bërë të ditur se gjatë shqyrtimit të rastit ka evidentuar një sërë rrethanash që ngrenë dyshime serioze lidhur me respektimin e standardeve për një proces të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.
Pinjolli u arrestua dy javë pas grabitjes, së bashku me disa persona të tjerë, përfshirë pjesëtarë të Policisë së Kërçovës. Më herët, Gjykata kishte dënuar me tre vjet e gjysmë burg një tjetër pjesëtar të Policisë së Kërçovës, i cili e kishte pranuar fajësinë.
Grabitja ndodhi në orët e mbrëmjes të tetorit të vitit të kaluar, kur persona të maskuar dhe të armatosur bllokuan rrugën pranë artarisë dhe grabitën 18 kilogramë ar me vlerë rreth 1.8 milion euro, për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.






