Le Monde 1990: Largimi i Ismail Kadaresë, habi dhe zemërim në Tiranë

    Prestigjozja “Le Monde” ka botuar, të shtunën e 27 tetorit 1990, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me largimin e shkrimtarit Ismail Kadare nga Shqipëria dhe marrjen e azilit politik në Francë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :LEXO EDHE:Le Monde 1990/ Ismail Kadare denoncon dogmat që pengojnë rrugën e mirëqenies dhe lirive

    Shqipëri: Largimi i Ismail Kadaresë

    Habi dhe zemërim në qarqet zyrtare në Tiranë

    Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare mori azil politik në Francë të enjten e 25 tetorit. Ai shkoi menjëherë, së bashku me familjen e tij, në një vendbanim të qetë (të fshehtë) ku, sipas editorit (botuesit) të tij, z. Claude Durand, pronar i Fayard, ai do të mbrohet për disa kohë nga policia.

    Megjithëse nuk u njoftua nga mediat zyrtare shqiptare, vendimi i Ismail Kadaresë për të qëndruar në Francë (Le Monde, 26 tetor) u bë pothuajse i njohur menjëherë në Tiranë, për arsye të pranisë – së jashtëzakonshme – të një numri të madh të gazetarëve të huaj që shkuan për të ndjekur konferencën e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit të mërkurën dhe të enjten në kryeqytetin shqiptar.

    “Kushte jetese milioneri”

    Të informuar, ata, nga transmetimi në mbrëmje i Zërit të Amerikës, të rinjtë e Tiranës, pa u trembur nga policia, u shprehën të huajve kalimtarë mbështetjen e tyre për shkrimtarin. Në qarqet zyrtare shqiptare, nga ana tjetër, pas momentit të parë të habisë, vendimi i Kadaresë provokoi një farë ndjenje zemërimi ndaj një njeriu që ishte pjesë e aparatit dhe përfitonte nga një pozitë e privilegjuar në krahasim me pjesën tjetër të bashkatdhetarëve të tij.

    “Kadare pati folur për refugjatët në ambasada si mbetje të shoqërisë shqiptare, tani ai veproi si ata,” i tha AFP-së një përfaqësues i ministrisë së jashtme shqiptare. “Nuk kuptoj. Ai kishte gjithçka, kushte jetese milioneri, ne botonim librat e tij, ai shkonte jashtë vendit kur të donte”, shtoi sekretari i përgjithshëm i Unionit të Gazetarëve, z. Ymer Minxhozi. Reagimet nuk ishin më pak të ashpra në qarqet letrare: “Edhe Vaclav Havel nuk u largua nga vendi i tij kur situata e tij ishte e vështirë, pas daljes nga burgu,” vuri në dukje një mik i Kadaresë, poeti Rudolf Marku.

    Shqiptarë të tjerë të intervistuar nga gazetarë të huaj theksuan se lajmet për largimin e Kadaresë ndërsa Tirana organizonte një konferencë ndërkombëtare rrezikonin të zhbënin të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për të dalë nga izolimi diplomatik. Sipas Elisabeth Champseix, mësuese (pedagoge) që kaloi gjashtë vjet në Tiranë dhe bashkëautore e një libri mbi Shqipërinë, largimi i Kadaresë, “është vitrina e vendit që po thyhet (shembet)”.

    Nënkryetari i Frontit Demokratik, një organizatë masive e regjimit e udhëhequr nga e veja e ish-udhëheqësit Enver Hoxha, Ismail Kadare kishte marrë pjesë aktivisht në pranverë dhe në fillim të verës, së bashku me intelektualë të tjerë shqiptarë, në një ofensivë ndaj reformatorëve të partisë kundër konservatorëve, veçanërisht në një intervistë shumë të veçantë në të përjavshmen e Unionit të Shkrimtarëve, Drita. Ai po largohet nga vendi i tij në një kohë kur, sipas vëzhguesve të huaj të vendosur në Tiranë, regjimi komunist përballet me një popullsi gjithnjë e më të irrituar dhe gjithnjë e më pak të prirur nga frika./(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

    Lajmi Paraprak

    Samiti i BE-së në Bruksel: Në rend dite situata Covid-19, rimëkëmbja ekonomike, emigrimi dhe marrëdhëniet e jashtme

    Lajmi i rradhës

    Izetbegoviç i drejtohet Vuçiçit: Ju kryet gjenocid në Kosovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë