Dashnorit tim që kthehet te gruaja

    Anne Sexton

    Ajo është e gjitha atje.
    Për ty, mjeshtërisht shkrirë dhe derdhur,
    për ty, qysh prej fëmijërisë sate farkëtuar,
    me njëqind guralecët e tu
    kanakarë është ndërtuar.
    Ajo ka qenë gjithherë atje,
    i shtrenjti im.
    Ç’ është e vërteta, është e hirshme,
    fishekzjarre në një shkurt të zymtë,
    e prekshme si një tenxhere gize.
    Le ta themi shkoqur.
    Unë kam qenë kalimthi.
    Një luks.
    Një fllugë zjarr e kuqe
    në liman.
    Fërfëllojnë si tym dritares së makinës flokët e mi.
    Përnjëmend. Jam midhjet jashtë sezonit.
    Ajo është më tepër se kaq.
    Është çka ti meriton,
    të zhvilloi rritjet
    e përditshme dhe tropikale.
    Nuk është një provë kjo.
    Ajo është harmonia e tërë.
    Ajo kujdeset për rremat dhe guzhmën e anijes,
    ajo vendos lule në parvaz të dritares në mëngjes,
    ajo ulet në rrotën e qeramikës në mesditë,
    lindi tre fëmijë nën hënën e plotë,
    tre kerubinë pikturuar nga Mikelanxhelo,
    e bëri me këmbët hapur
    krejtësisht
    në muajt e lodhshëm në kishëz.
    Nëse hedh një sy, fëmijët janë atje lart,
    si tollumbace të brishta
    varur në tavan.
    Ajo, po ashtu, i ka shpënë në shtrat pas darke,
    dhe ata, kokëvarur të tre,
    përplasin këmbët e vogla,
    qaramanë dhe ngurrues,
    dhe fytyra e saj kuqëlon
    me një këngë
    dhe me gjumin e tyre të vogël.
    Po ta kthej zemrën tënde mbrapsht.
    Të jap leje:
    për fitilin që regëtin zemërueshëm në të,
    për bushtrën që në ndyrësi
    pështjellohet
    dhe për plagën e saj
    të varrosur,
    për varrosjen së gjalli
    të plagës së saj të vogël alle,
    për lëbardhjen vetëtitëse
    drithëruar nën brinjë,
    për marinarin e dehur në pritje në kyçin majtas,
    për gjunjët e nënës,
    për çorapet,
    për zharrtjerën, për thirrjen,
    thirrjen kureshtare
    kur ti do të qerthullohesh
    në krahë dhe gjinj
    dhe tërheq nga flokët e saj fjongon e portokalltë
    duke iu përgjigjur thirrjes, thirrjes kureshtare.
    Ajo është aq e zhveshur, sa është unike.
    Është shuma jote dhe e ëndrrave të tua.
    Ngjite atë si një monument, hap pas hapi.
    Ajo eshte solide.
    Sa për mua, jam një akuarel.
    Tretem.

    Shqipëroi: Rielna Paja 

    Lajmi Paraprak

    Pesëmbëdhjetë persona nga Tetova nuk i respektuan vendimet e karantinimit

    Lajmi i rradhës

    Piktorin mund të bësh burrështetas aq sa prostitutën shtëpiare!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë