Brenda pesë viteve të fundit, nga viti 2019 deri më 2024, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 25 raste vrasjesh të grave, shumica prej tyre pas një historie të gjatë dhune në familje. Ky numër alarmant tregon dështimin e sistemit për t’i mbrojtur viktimat, pavarësisht reformave ligjore dhe fushatave sensibilizuese. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, çdo vit regjistrohen mbi 800 raste dhune në familje, ndërsa në më shumë se 70 për qind të rasteve, viktimat janë gra. Por, vetëm një pjesë e vogël e dhunuesve marrin dënime efektive, dhe shpesh viktimat mbeten pa strehim, mbrojtje apo përkrahje psikologjike.
“Dhuna ndaj grave ende shihet si çështje private, e jo si krim shoqëror”, thotë Liridona Beqiri, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës “Ezra”. Sipas saj, ky mentalitet është një nga pengesat më të mëdha për parandalimin. “Shoqëria shpesh gjykon viktimën në vend që të dënojë dhunuesin. Gruaja që kërkon ndihmë shpesh shihet si ‘shkatërruese e familjes’, dhe jo si viktimë që kërkon drejtësi. Ky është një dështim moral dhe institucional”, thekson Beqiri.
Ajo shton se frika nga turpi, stigma dhe mungesa e mbështetjes institucionale e detyrojnë shumë gra të qëndrojnë në mjedise abuzive për vite me radhë. “Dhuna nuk është private, është çështje publike, shkelje e të drejtave të njeriut. Heshtja, në këtë rast, është bashkëfajësi”.
INSTITUCIONET, TË VONUARA DHE TË PAFUQISHME
Në shumë raste, viktimat i kishin raportuar më herët rastet e dhunës, por reagimi institucional ka qenë i vonuar ose i pamjaftueshëm. Vetëm në vitin 2024, tre gra u vranë nga bashkëshortët e tyre, edhe pse më parë kishin kërkuar ndihmë nga policia apo qendrat për punë sociale. Ekspertët thonë se mungon koordinimi ndërinstitucional, ndërsa urdhrat për mbrojtje shpesh nuk zbatohen. Qendrat për strehim janë të pakta – vetëm katër në gjithë vendin, me kapacitete të kufizuara. “Kemi nevojë për një sistem që nuk reagon vetëm pas tragjedisë, por që e parandalon atë”, thotë Beqiri. Ajo propozon një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin mbështetje psikologjike, ndihmë juridike falas, programe punësimi për viktimat dhe trajnime të detyrueshme për punonjësit institucional. “Në shumë raste, viktimat kthehen tek dhunuesit, sepse nuk kanë ku të shkojnë, as ndihmë për të filluar nga e para”.
STATISTIKA QË FLASIN PËR NJË REALITET TË DHIMBSHËM
Sipas një raporti të organizatës “Reactor – Research in Action”, në periudhën 2019-2024, nw Ballkan dhe Evropw, janë regjistruar mbi 4500 raste të dhunës në familje, ndërsa vetëm rreth 30 për qind e tyre janë dërguar në gjykatë. Nga këto, vetëm 10 për qind kanë përfunduar me dënime efektive. Në Maqedoninë e Veriut, dhuna ndaj grave nuk ndalet vetëm brenda mureve të shtëpisë, por vazhdon në sistemin gjyqësor, në administratë dhe në opinionin publik që shpesh fajëson viktimën. Organizatat për të drejtat e grave kërkojnë rishikim të zbatimit të Konventës së Stambollit, e cila është ratifikuar nga vendi në vitin 2018, por që ende nuk gjen zbatim të plotë.
KULTURA E HESHTJES, ALEAT I DHUNUESVE
Në analizën e saj, Beqiri thekson se kultura patriarkale ka ndërtuar për shekuj me radhë një sistem të heshtjes që e bën dhunën të pranueshme. “Gratë janë mësuar të falin dhe të heshtin për ‘unitetin familjar’. Por çdo heshtje e tillë është një hap drejt krimit të radhës,” shton ajo. Psikologët paralajmërojnë se vrasja është faza e fundit e dhunës, e cila nis me kontrollin psikologjik, izolimin dhe përbuzjen, për të përfunduar me dhunë fizike fatale. Sipas tyre, çdo rast i vrasjes së një gruaje është dështim i sistemit – i policisë që nuk reagoi, i prokurorisë që nuk ngriti akuzë në kohë, dhe i shoqërisë që heshti.
Organizatat për mbrojtjen e grave propozojnë një strategji të re kombëtare për parandalimin e dhunës gjinore, e cila të përfshijë masa konkrete dhe fonde të qëndrueshme.
“Kemi ligje të mira në letër, por zbatimi është problem. Derisa dhunuesit të mos ndëshkohen ashpër dhe viktimat të mos ndihen të mbrojtura, statistikat do të vazhdojnë të jenë të zeza”, thuhet në deklaratën e platformës “Gruaja Shqiptare”. Në fund, mbetet një pyetje thelbësore: pse duhet të vritet një grua për të marrë seriozisht dhunën që ajo përjeton? Heshtja, indiferenca dhe mungesa e reagimit shoqëror janë po aq të rrezikshme sa vetë dhuna. Vrasjet e grave nuk janë “tragjedi individuale”, por pasqyra më e qartë e një sistemi që ende nuk e ka kuptuar se mosreagimi është bashkëfajësi. /Koha/






