Ambientalistët: Lumenjtë në RMV janë pasuria jonë dhe ne po i shkatërrojmë pa asnjë mbrojtje

    Lumenjtë e Maqedonisë të përfshihen në rrjetin Emerald dhe në këtë mënyrë të kenë mbrojtje reale, kështu apelojnë nga organizata “Eko Vetëdija”. Kërkesa për ruajtjen e pasurisë së lumenjve është bërë këto ditë nga një grup shkencëtarësh dhe organizatash joqeveritare nga 11 shtete, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, nënshkruese të Konventës së Bernit. Ata publikuan një listë me 88 lumenj që duhet të shtrihen në Rrjetin Emerald në rajon, dhe kështu të kenë një prioritet të lartë për mbrojtje, transmeton Meta.mk.

    “Lumenjtë në vendin tonë janë nën ndikimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore që i kërcënojnë ata dhe speciet endemike që jetojnë në to. Përfshirja e lumenjve në rrjetin Emerald është një hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurojmë mbrojtjen e tyre si trashëgimia jonë natyrore”, thotë Gjorgji Mitrevski, koordinator për mbështetjen e komunitetit në “Eko Vetëdija“.

    Si një zonë me biodiversitet të rëndësishëm, Ballkani Perëndimor mund të mburret me diversitet të jashtëzakonshëm lumor. Malet, lumenjtë, liqenet dhe vijat bregdetare të rajonit janë shtëpia e llojeve të shumta të rrezikuara dhe habitateve të rëndësishme, shumë prej të cilave janë specie endemike që nuk mund të gjenden askund tjetër.

    Krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, shumica e lumenjve në rajon janë në gjendje të mirë ose të paprekur natyrore, gjë që i bën ata kandidatë idealë për mbrojtje sipas listës së zonave prioritare.

    Lista e lumenjve që u publikua është rezultat i një seminari kushtuar zonave Emerald të organizuar nga CEE Bankwatch Network dhjetorin e kaluar, ku u prezantuan të dhëna shkencore për llojet e peshqve dhe habitatet e peshqve.

    “Propozimi ynë bazohet në njohuritë gjithëpërfshirëse shkencore të popullatave të peshqve në rajon, që është një kontribut i rëndësishëm në këtë proces. Hapi tjetër është mbështetja e autoriteteve në rajon për të përgatitur propozime zyrtare për zona të reja Emerald”, thotë Andrej Ralev, koordinator për mbrojtjen e biodiversitetit, CEE Bankwatch Network.

    Si nënshkruese të Konventës së Bernit, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia filluan procesin e krijimit të Rrjetit Emerald në 2011 duke propozuar një numër të vogël vendndodhjesh. Që atëherë, asnjë nga vendet nuk ka propozuar një vend të ri për t’u mbrojtur, dhe përveç kësaj, shumica e tyre nuk kanë mbrojtje ligjore në përputhje me ligjin kombëtar, nuk kanë menaxhim adekuat, të dhënat janë të paplota dhe burimet janë të pamjaftueshme, duke rezultuar në mbrojtjen joefektive të shumicës së lumenjve dhe faunës së peshkut.

    Lajmi Paraprak

    50 mijë euro nga MEPSO për tërmetin në Turqi

    Lajmi i rradhës

    AKSIDENTI FATAL NË LLASKARCË | I mbijetuari: Çfarë duhet të ndodhë që të ketë drejtësi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë