Baush: 600 mijë persona nuk janë më në Maqedoni, kuadri cilësor nuk kthehet në vend

    Ekonomisti Abil Baush në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat, duke komentuar rezultatet e regjistrimit, iu referua edhe të dhënave të Bankës Botërore që tregojnë se mbi gjysmë milioni njerëz janë jashtë vendit. Siç shpjegon ai, shumë prej tyre janë kuadër cilësor që shkojnë në punë periodike jashtë vendit, por shpesh nuk kthehen fare.

    “Një të dhënë e kam marrë nga Banka Botërore – jozyrtarisht 600 mijë persona nuk janë më në Maqedoni. Kur themi se nuk janë në Maqedoni… ka raste që punojnë periodikisht në vendet evropiane, sepse në vendet evropiane kërkohet kuadro i kualifikuar. IT, mjekë, arkitektë, ekonomistë… herë pas here shkojnë e kthehen, por deri kur. Ata do të krijojnë familje, do të ikin dhe nuk do të kthehen më. Kuadri cilësor po ikën nga Maqedonia”, tha Baush.

    Kryesisht të rinjtë largohen nga vendi

    Sociologu Ilija Acevski, në lidhje me rezultatet e regjistrimit, tha se shumica e mërgimtarëve nga vendi janë të rinj, që largohen dhe nuk kthehen. Acevski i tregoi edhe disa nga arsyet, që sipas tij janë vendimtare që të rinjtë të marrin vendim për ndarje nga të afërmit dhe nga vendlindja.

    “Kur ua shtojmë përllogaritjeve partiako-politike momentin e paqëndrueshmërisë, problemet me punësimin, problemet me arsimin e lartë, problemin në shëndetësi…një duzinë përbërësish e formojnë atë strukturë nxitëse, për ta bërë atë që po bëhet. Duke lexuar sipas rajoneve, një qytet ka humbur 10,000, 20,000 banorë… kryesisht, ajo popullsi është një popullsi e re”, tha Acevski.

    Dimovska: Popullsia jonë po plaket

    Aneta Dimovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, foli edhe për kufirin e moshës së popullsisë, duke theksuar se popullsia në vend, në krahasim me regjistrimin e mëparshëm po plaket.

    “Regjistrimi i fundit, grupmosha dominuese ishte 15 deri në 19 vjeç. Ky regjistrim tregon se grupmosha dominuese është 40 deri në 44 vjeç. Popullsia jonë po plaket. Nga njëra anë do të thotë rritje e kostove në të ardhmen dhe nga ana tjetër fakti që nuk kemi popullsi të re do të thotë që në të ardhmen nuk do të ketë kush ta mbështesë, kushtimisht, këtë popullsi të vjetër“, është shprehur Dimovska.

    Lajmi Paraprak

    Burg nëse arsyetoni krimet e luftës në rrjetet sociale!

    Lajmi i rradhës

    MASh: Regjistrimi në shkollat e mesme do të kryhet në formë elektronike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë