Çfarë thanë partitë politike në RMV në ditën e katërt të fushatës!

    Partitë politike dje kanë zhvilluar takimet e tyre me qytetarët e vendeve të ndryshme ku kanë prezantuar programet e tyre bashkë me kandidatët përkatës për kryetar komune. Përndryshe dje ishte dita e katërt e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 njofton Nistori.

    Nisma “Më mirë për Tetovën”: Fshati Lisec po braktiset nga rinia për shkak të papunësisë

    Nisma “Më mirë për Tetovën” sot në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet lokale ka zhvilluar takim me banorët e fshatit Lisec. Nisma ka dëgjuar hallet e banorëve, nga më të ndryshmet.

    Për shkak të papunësisë, rinia e fshatit detyrohet të shpërngulet jashtë vendit dhe si probleme tjera që janë veçuar në takim ka qenë shkolla e cila nuk ka kushte elementare në këtë fshat, si dhe shkatërrimi i rrugës në malësinë e Tetovës që e lidh fshatin me atë rajonale.

    Aktivistët e “Më mirë për Tetovën” rregullisht zhvillojnë takime me qytetarë në Tetovë dhe rrethinë, për të dëgjuar brengat e tyre dhe për t’i artikuluar ata mbrenda Këshillit Komunal.

    Përndryshe, nisma këto zgjedhje lokale garon vetëm me listën e këshilltarëve nën numrin votues 93. 

    Hoxha: Në Prespë po shkruhet historia

    Lëvizja Besa ka vazhduar karvanin e takimeve në Dollnen dhe Prespë ku ka shpalosur programin e saj politik për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Nën moton “Me ka krejt” kjo lëvizje ka shpalosur projektet e paraparë për këto dy vende, duke prezantuar edhe përfaqësuesit e tyre. Hoxha tha se si fëmijë është rritur duke fshehur flamurin kombëtar ndër jastëk, duke aluduar për veprimtarin Memedi që ka bërë shumë dhe masakra që ka ndodhur në Dollgirid.

    “Në këtë një vjeçar në Prespë vërtetë po shkruhet historia. Më emocionoi Mehmedi me fjalët për çështjen e punëve që i ka bërë, aspak nuk e kam pyetur asnjëherë sa rrugë janë shtruar apo sa punësime janë bërë, por çdo herë kemi qenë në lidhje të drejtpërdrejtë a do realizohet çështja e Dollgiridit apo nuk do realizohet”, tha Hoxha nga Lëvizja Besa.

    Menduh Thaçi, shofer i një veture me persona që kanë dëmtuar materiale zgjedhore, PDSH demanton rastin

    Gjatë orëve të mesnatës së fundit, SPB Tetovë ka ndaluar veturën të cilën e ka drejtuar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili bashkë me një veturë tjetër kanë transportuar persona të cilët kanë dëmtuar materiale zgjedhor të një partie tjetër, që sipas ASH-së bëhet fjalë pikërisht për zyrtarët dhe kandidatët e komunave nga radhët e kësaj partie.

    Nistori e konfirmoi rastin në polici duke treguar se bëhet fjalë për M.T. ka qenë duke e drejtuar njërin prej dy automjeteve në të cilët ka pasur persona të cilët e kanë dëmtuar materialin zgjedhor.

    “Sot në ora 01:50 në SPB Tetovë është raportuar se është kryer dëmtim i materialit reklamues zgjedhor të një partie politike në disa lokacione në Tetovë, prej katër personave që kanë lëvizur me dy automjete me targa të Tetovës. Automjetet janë ndaluar nga SPB Tetovë dhe është konstatuar se veturën “Audi” e ka drejtuar M.T (56) nga Tetova, ndërsa veturën “Golf” e ka drejtuar Xh.K. (34) nga rrethina e Tetovës. Në automjetet kanë qenë edhe dy persona tjerë. Në koordinim me prokurorin publik janë marrë masa për qartësimin e plotë të rastit”, thonë nga SPB-Tetovë.

    PDSH demanton SPB-Tetovë
    Partia Demokratike Shqiptare njofton opinionin se lajmet e plasuara në disa mediume maqedone, janë të pavërteta, shpifëse, vetëm me qëllim të dëmtohet një subjekt politik.

    Mbrëmë, persona të panjohur kanë përdhosur dhe dëmtuar në disa vende materiale propagandistike të kandidatit tonë në Tetovë.

    Shilegov: “Pallati i bardhë” i VMRO-DPMNE-së është përmendore e mafias urbane

    Petre Shilegov i cili garon për kryetar në Qytetin e Shkupit së bashku me kryetarin Velimir Smilevski realizoi sonte disa takime me banorët e kësaj komune. Nën sloganin “Më e mira për komunën tonë” Shilegov tha se në Butel dhe në Shkup do të festojë fitoren që në rrethin e parë.

    “Buteli sot është një nga komunat me më së shumti projekte të rëndësishme kapitale dhe për këtë më së shpejti zhvillohet. Në Butel gjatë mandatit të kaluar investuam shumë sepse 30 vite VMRO-DPMNE e harroi këtë komunë shumë të rëndësishme për zhvillimin e Shkupit tonë. VMRO-DPMNE-ja në kundërshtim me këtë që sot po ndodh e zhvilloi vetëm qendrën e Shkupit me projektin megaloman Shkupi 2014, ku në 1 kilometër metër katror investoi mbi 700 milionë euro në barok, përmendore dhe ndërtime të cilat tani po shkatërrohen”, tha Shilegovi.

    Sipas tij, VMRO-DPMNE-ja shpenzoi qindra milionë euro për muze të partive, sheshe të partive, kisha të partive, ndërsa “Pallati i bardhë” i partisë, theksoi, është përmendore e mafias urbane në Shkup. 

    Danella Arsovska takim me qytetaret e Gazi Babës

    Kandidatja e pavarur për kryetare të Shkupit, Danella Arsovska sonte realizoi takim me qytetarët e Gazi Babës, me çka porositi se nevojitet zgjidhje urgjente e problemeve aktuale në këtë komunë.

    “Qytetarët haptas flasin për problemet e përditshme të cilat i kanë dhe të cilat ua përkeqësojnë përditshmërinë, si problemi me ujin e pastër për pije, mosekzistimin e kanalizimit fekal në disa pjesë të komunës, lidhjen e keqe me qendrën e qytetit dhe ndotjen e lartë të ajrit”, theksoi Arsovska dhe shtoi se është johumane të jetohet në shekullin 21 me probleme të tilla çdo ditë. Nga aspekti i ruajtjes dhe zgjerimit të hapësirave të gjelbra, Arsovska paralajmëroi projekt të veçantë për parkun dhe malin e Gazi Babës.

    Merko në Strugë: Do të punojmë më mirë dhe më fortë në mandatin e ardhshëm

    Belica mbështet bindshëm Bashkimin Demokratik për Integrim E ardhmja e Belicës dhe gjithë Strugës është në duar të sigurta.

    Në hapjen e shtabit në Belicë, banorët e këtij vendbanimi treguan një interes të jashtëzakonshëm. Përgjatë takimit me banorët, zhvilluam një bisedë tejet të frytshme dhe konstruktive. Banorët, të kënaqur nga investimet e deritanishme në vendbanimin e tyre, erdhën me ide të reja në këtë takim. I sigurova të gjithë të pranishmit, se ne do të punojmë edhe më mirë edhe më fortë në mandatin e ardhshëm, në mënyrë që të plotësojmë çdo kërkesë të tyre. Zgjidh jetë, voto blertë!

    Zjedi: Ne dijmë të ju tregojmë banorëve se shqiptarët meritojnë të jetojnë më mirë

    Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, agjendën e takimeve të tij e vazhdoi dje në komunën e Studeniçanit, ku përpos hapjes së Shtabit Lokal, sonte u mbajtë edhe tubimi qendror i koalicionit AAA-ASH në komunën e Studeniçanit. Fjalë rasti para banorëve të Studeniçanit, kishte deputeti i zonës 1 nga koalicioni AAA – ASH, Skender Rexhepi – Zejdi, i cili tha:

    “Në Studeniçan i kemi fituar të gjitha partitë në zgjedhjet parlamentare të 2020-tës. Ne dijmë të ju tregojmë banorëve se shqiptarët meritojnë të jetojnë më mirë. Në vështirësi lindin trimat. Ne jemi në anën e ndershmërisë dhe pastërtisë”, ka theksuar deputeti i zonës 1 nga koalicioni AAA – ASH, Skender Rexhepi-Zejdi.

    Në fjalën e tij para banorëve të Studeniçanit, kandidati i koalicionit AAA-ASH, Fatmir Ejupi tha:

    “Është nder që sonte në Studeniçan të kemi dy kryetarët e partive politike, Afrim Gashi dhe Ziadin Sela. U shprehi falënderim gjithë aktivistët e opozitës shqiptare AAA-ASH të cilët bashkërisht japin frymë fituese. Ne më 17 tetorit do të fitojmë në Studeniçan”, theksoi kandidati Ejupi. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sejdiu: Kemi departizuar shkollat fillore dhe drejtorët nuk zgjidhen më nga kryetari i komunës, por me meritë

    Lajmi i rradhës

    Izairi sfidon Sejdiun: Do të dorëhiqem nga kandidatura nëse publikoni lejen e ndërtimit për 8 vendbanimet e Dervenit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë