Charles III do të shpallet edhe zyrtarisht mbret

    Charles III do të shpallet edhe zyrtarisht mbret i Mbretërisë së Bashkuar, në një ceremoni që do të mbahet në Pallatin Shën James në mëngjesin e së shtunës.

    Flamujt, që janë aktualisht në gjysmë-shtizë, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta II, do të ngriten sërish lart, pas takimit të të ashtuquajturit Këshill i Aderimit.

    Përgjatë ditës, mbreti pritet të marrë edhe vendime tjera, para se flamujt të kthehen sërish në gjysmë-shtizë të dielën.

    Ky njoftim vjen pasi mbreti është zotuar se do të ndjekë rrugën e “nënës së tij të dashur” për t’i shërbyer kombit.

    Ai i ka bërë këto deklarata, në një fjalim emocional më 9 shtator.

    Përgjatë fjalimit televiziv, ai e ka kujtuar dashurinë dhe humorin e mirë të nënës së tij, e cila ka qenë në fron për 70 vjet.

    Charles është bërë mbret në momentin që i ka vdekur nëna, mirëpo sipas traditave, Këshilli i Aderimit mblidhet sa më shpejt që është e mundur për të shpallur pasardhësin.

    Në këtë takim, mbreti do të mbajë një fjalim për vdekjen e mbretëreshës dhe më pas do të bëjë betim për të mbrojtur Kishën e Skocisë – sepse në Skoci pushteti ndahet në mes të kishës dhe shtetit.

    Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë Camilla, gruaja e Charlesit, dhe djali i tij William, princi i ri i Uellsit.

    Të premten, Charles është takuar me turmat që janë mbledhur jashtë Pallatit Backingham në Londër.

    Njerëzit janë dëgjuar duke bërtitur, “Zot ruaje mbretin!”

    Përgjatë fjalimit të së premtes, mbreti e ka pranuar se jeta e tij tani ka ndryshuar, duke thënë se nuk do të mund të japë më “aq shumë energji” në bamirësi dhe çështje që ka mbështetur teksa ka qenë në pritje të fronit.

    Monarku 73-vjeçar ka thënë se shpreson që, pavarësisht dhimbjes së popullit britanik për vdekjen e mbretëreshës, njerëzit në Mbretëri të Bashkuar dhe Komonuelth “do ta kujtojnë atë dhe do të marrin fuqi nga drita e shembullit të saj”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “ShBA-ja e ka vendosur RMV-në në mesin vendeve me transparencë fiskale”

    Lajmi i rradhës

    “Ekonomia në vend po fundoset për shkak të politikës së keqe energjetike të qeverisë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë