Afërsisht 42 ditë që nga fillimi i vitit shkollor, nxënësit vazhdojnë të mos kenë libra. Edhe pse furnizimi i nxënësve me libra shkollor është detyrim institucional dhe për fat të keq vite me radhë ka neglizhencë dhe mos furnizim të nxënësve të shkollave fillore me libra, një pjesë e të cilave janë botime të reja të cilat kanë të bëjnë me konceptin e ri për arsim fillor dhe ka të bëjë me nxënësit e klasave të dyta dhe të pesta në këtë vit shkollor për të cilat u tha nga Ministria e Arsimit se, brenda muajit shtator do të botohen, por ende nuk janë në duart dhe çantat e nxënësve.
Nistori iu drejtua Ministrisë së Arsimit në lidhje me mungesën e librave dhe pse ndodh kjo për çdo vit, por nga atje thonë se përgatiten tekste të reja shkollore dhe të gjitha janë në fazë të ndryshme përfundimtare të miratimit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Eksperti i çështjeve arsimore dhe njëherit arsimitar i matematikës, Satki Ismaili për Nistori thotë se, pa marrë parasysh argumenteve të MASh-it për mungesen e librave shkollorë, nuk mund të kompenzohet kjo mungesë për nxënësit, sepse reflekton në vështirësitë e realizimit të qëllimeve mësimore nga ana e mësimdhënësve dhe përvetësimet e njohurive nga ana e nxënësve me resursin më të rëndësishëm siç është libri dhe materialet tjera përcjellëse, siç janë fletoret e punës, kur kemi parasysh se sfidë tjetër është realizimi i konceptit të ri në këto klasa.
Cilat janë pasojat e mungesës së teksteve shkollore?
Sipas Ismailit, mungesa e teksteve shkollore cenon të drejtën e gjithësecilit fëmijë që ka të drejtën e shkollimit të garantuar dhe në plotësimin e kushteve për realizimin cilësor të procesit mësimor ku një pjesë e konsideruar e prindërve me vetë iniciativë bëjnë fotokopjimin e librave dhe kur kemi parasysh edhe faktin se ndikimi i dizajnit të librit dhe kriteret tjera të librit që ndikojnë në kualitet, nuk përmbushen.
“Mësimdhënësit janë të kufizuar në realizimin e një numri të kosideruar të aktiviteteve në mungesë të librave si dhe mungesa e një numri të konsideruar të librave elektronik në web faqen “e-ucebnici” ku për shkak të kontratave me autorët nuk janë në shërbim të nxënësve sidomos librat të cilat janë me Konceptin e programeve të Kembrixhit.
- Çështja e furnizimit të nxënësve me libra është një sfidë permanente e institucioneve shtetërore dhe duke patur parasysh se, arsimi është mision kombëtar dhe shtyllë për zhvillimin e të ardhmes sonë të përbashkët, përgjegjësia e menaxhimit efikas të arsimit do të duhej të ishte kryefjalë e cilësdo qeveri. Është padrejtësi ndaj nxënësve që kanë mbetur pa tekste dhe ngarkesë për familjet e tyre në pamundësi të furnizojnë fëmijët e tyre me burimin kryesor për mësimnxënie siç është libri.
- Ministria e arsimit dhe shkencës duhet nëpërmjet të përfaqësuesve të saj të dalë e të shohë në teren se çfarë dëmi i ka shkaktuar procesit arsimor mungesa e nxënësve me libra, si dhe të marrë masa për ta përmbushur këtë detyrim në kohë sa më të shpejtë. Arsimi nuk është luks por e drejtë e secilit nxënës dhe ai duhet t’iu mundësohet atyre në të gjitha segmentet, sa më parë aq më mirë.” – shprehet Ismaili.
Revoltën për mungesën e librave për Nistori e ka shprehur edhe arsimitari i Informatikës, Burim Zulbeari në shkollën fillore “Ibrahim Temo” në fshatin Strimnicë. Sipas tij, në lëndën e Informatikës, klasa e VI-të nuk posedon libër të Informatikës dhe se lëndët zgjedhore “Projekte nga Informatika” dhe “Programim” nuk ka libër të akredituar nga BZhA.
Pavarësisht se ministri i Arsimit Jeton Shaqiri në fillim të vitit 2022 premtoi se nxënësit nga 1 shtatori do të mësojnë nga tekstet shkollore, një gjë e tillë nuk ndodhi. Mbetet të shihet nëse 1 nëntori do t’i gjejë nxënësit me libra, ashtu edhe siç premtoi para 10 ditëve. /Nistori/