Dehari – Komunës së Tetovës: në emër të përmirësimit të kushteve në Kodrën e Diellit, e keni shkatërruar natyrën

    Drejtori i Parkut “Mali Sharr” ka akuzuar komunën e Tetovës se duke përmirësuar rrugën e vilave në Kodër të Diellit ka bërë shkelje duke ndotur natyrën. Ibrahim Dehari shfaqi madje edhe një video material, ku dukeshin kamionët e firmës e cila bën bartjen e materialit që nxirret nga gërryerja e rrugës së vilave dhe i njëjti përfundon në lëndinat mbi vilat në Kodrën e Diellit, raporton Nistori.

    Dehari kërkoi nga komuna që menjëherë ta heq materialin e deponuar në këtë vend ose në të kundërtën, do të pasojnë masat ligjore për shkelje dhe ndotje të natyrës.

    “Video materiali që shihni pas meje, është pjesë e punimeve për riparimin e rrugës në lagjen e vilave. Punimet filluan duke gërryer asfaltin ekzistues për çka do thoni investim kapital dhe e gjitha me qëllim përmirësimin e infrastrukturës, por pyesim komunën se ku dhe si e ka menduar hedhjen e këtyre mbetjeve të ngurta dhe të dëmshme. Për fat të keq i gjithë ky material dhe mbeturinat që nxirën nga kjo rrugë, përfundojnë duke shkatërruar natyrën, edhe atë në emër të përmirësimit të kushteve në Kodrën e Diellit”, Ibrahim Dehari. Drejtor i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.

    Komuna e Tetovës për Nistorin thotë se për të rritur transparencën dhe komunikimin me qytetarët, inspektorati komunal do të organizojë një konferencë për shtyp nesër 18.10.2023 (e mërkurë), me fillim në ora 11:00 në Kodrën e Diellit.

    “Sot në adresë tonë kanë ardhur disa reagime lidhur me një situatë serioze me ndotjen e natyrës në Kodrën e Diellit, një vend i bukur dhe i rëndësishëm për komunitetin tonë dhe për të gjithë ata që e vlerësojnë natyrën.
    Komuna e Tetovës ka vepruar menjëherë pas zbulimit të ndotjes së natyrës në këtë zonë. Inspektorët komunal kanë dalë në terren për të dokumentuar situatën”, thonë nga komuna.

    Komunikata e plotë e e PK Mali Sharr për Nistorin:

    Arsyeja pse ne sot e thirrëm këtë konferencë për shtyp, lidhet me neglizhencën skandaloze për natyrën që komuna e Tetovës demonstroi dje gjatë përmirësimit të asfaltit në Qendrën e Skijimit Kodra e Diellit.

    Një javë më parë, të gjithë ishim dëshmitarë të deklaratave pompoze të kryetarit të komunës se sa shumë e do Kodrën e Diellit dhe do të investojë në të. Për fat të keq, duket se këto deklarata ishin vetëm makijazh për publikun, sepse ai vetë i shkeli këto pretendime. Sa herë që komuna nuk di të shmangë përgjegjësinë për shkeljet dhe abuzimet që kryen, ajo i quan reagimet një sulm apo presion partiak. Kjo është arsyeja pse sot kemi zgjedhur këtë pres konferencë për shtyp ta shoqërojmë me videoinçizime, dhe çdo vizitor në qendrën turistike gjithashtu mund të bindet për këtë krim të kryer kundër natyrës.

    Video materiali që shihni pas meje është pjesë e punimeve përgatitore për riparimin e rrugës së asfaltuar në lagjen e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit. Punimet filluan duke gëryer asfaltin ekzistues. Po, do të thoni investim kapital, e gjitha me qëllim përmirësimin e infrastrukturës. Por duhet të pyesim komunën se ku dhe si e ka menduar hedhjen e këtyre mbetjeve të ngurta dhe të dëmshme?

    Për fat të keq, i gjithë ky material, së bashku me mbeturinat që nxirren nga kjo rrugë, përfundon duke shkatërruar natyrën, në emër të përmirësimit të kushteve në Kodrën e Diellit.

    Me këtë akt, pikërisht institucioni që është përgjegjës për trajtimin e mbetjeve tregon anën tjetër të fytyrës. Ashtu si Mali Sharr ka dy anë, njëra është një natyrë e veçantë ndërsa tjetra është mbeturina me bollëk dhe të të gjitha llojeve, si rezultat i neglizhencës nga institucionet kompetente. Kjo katastrofë mjedisore bëhet më e madhe nëse marrim parasysh se në të njëjtin vend vitin e kaluar është bërë pastrimi i kantierit të ndërtimit me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Për të njëjtin lokacion, më 17 qershor, për Zërin e Amerikës zyrtarë nga komuna e Tetovës thanë se po kërkonin nga banorët, që të mos përsërisin të njëjtin gabim dhe se hudhja e mbeturinave nuk duhet të bëhet në pronën publike.

    Ndërsa ne çdo ditë po i udhëzojmë banorët që të mos hedhin mbeturina të ngurta në vende ku nuk mblidhen, nga ana tjetër vetë komuna nuk i respekton rregullat. Në emër të investimeve shkatërrohet një tjetër e mirë, duke mos u kujdesur për përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të këtyre fshatrave.

    Të nderuar, për një Sharr kaq të shkatëruar, nuk do të na vijnë as turistë vendas dhe as të huaj. Me këtë menaxhim të papërgjegjshëm të mbetjeve nuk inkurajohet zhvillimi ekonomik lokal për të cilën gjithashtu është përgjegjëse komuna. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Komunës së Tetovës që të heqë materialin e hudhur sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ta hedhë atë në një vend të përshtatshëm. Rrojet e zonës së mbrojtur dhe policia kanë dokumentuar rastin.

    Në fund, kërkojmë mirëkuptim nga banorët dhe kërkojmë nga ata që të mos ndjekin hapat e komunës së Tetovës dhe të ndotin dhe shkatërrojnë natyrën sepse kjo nuk i ngjan Parkut Kombëtar ose Qendrës Turistike Kodra e Diellit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Gruevski – Mickoskit: je bërë aleat i Zaevit

    Lajmi i rradhës

    BBC: Qindra civilë palestinezë kanë vdekur në spitalin e Gazës, ndërsa Izraeli e mohon sulmin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë