Deklarohet drejtoresha e shkarkuar Teuta Llalla: Do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për shkarkimin tim

    Shkarkohet drejtoresha e gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Llalla. Vendimi për shkarkimin e Llallës, sipas Komunës së Tetovës, vjen pasi janë konstatuar shkelje të shumta financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës dhe kanë penguar mbarëvajtjen normale të procesit edukativo-arsimor, njofton Nistori.

    Raporti i revizionit të brendshëm nga ana e Komunës ka hasur në parregullsi në menaxhimin e drejtoreshës Llalla, raport i cili ende nuk është publikuar nga ana e Komunës, pasi publikimi i aktvendimive nuk është në kompetenca të tyre dhe se raporti mundet të dërgohet vetëm në gjykatë ku është nisur procedura.

    “Sipas raportit në fjalë gjatë procedurave janë konstatuar shkelje të shumta financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës dhe kanë penguar mbarëvajtjen normale të procesit edukativo-arsimor. Këshilli i shkollës ka të drejtë Ligjore që urgjentisht të thërret mbledhje i cili ka shqyrtuar raportin e revizionit dhe pas konstatimit për shkelje të shumta ka të drejtë të propozojë shkarkimin e drejtorit dhe për këtë e njofton kryetarin e Komunës së Tetovës. Pas arritjes se propozimit te Këshillit të Gjimnazit me NR 03-201/1 të datës 11.05.2022 kryetari veproi në bazë të dispozitave ligjore, që për bazë ka propozimin e këshillit të shkollës.” – deklarojnë nga Komuna e Tetovës.

    Gjithashtu përmes avokatit, komuna ka iniciuar procedurë për të konstatuar shkeljet ligjore që janë bërë nga ana e drejtoreshës. Drejtoresha Llalla në lidhje me shkarkimin e saj dhe akuzat për keqpërdorim i mohoi për Nistori dhe revizionin e quajti selektiv.

    “Vendimi paraqet shkarkimin tim nga posti i drejtorit. Arsyetimi i kryetarit të Komunës është se, kërkesa vjen nga Këshilli i shkollës, për të cilën mbledhje unë nuk kam asnjë informacion se është mbajtur dhe nuk kam raport nga mbledhja e Këshillit të shkollës. Unë nuk jam anëtare e Këshillit të shkollës, mirëpo paraprakisht unë i kam paraqitur sugjerimet e mia, vërejtjet e mia se si është formuar Këshilli i shkollës kundrejt veprimeve politike të Lëvizjes Besa.” – deklaron drejtoresha Llalla për Nistori.com

    Sipas burimeve të Nistorit, në raportin e revizionit në të cilin janë konstatuar shkelje në realizimin e punimeve ndërtimore, kontesti me kontratat, mungesa e komisionit mbikëqyrës gjatë realizimit të punimeve dhe mbulesë dokumentacioni janë disa nga pikat që kanë sjellë deri në vendim shkarkimin e Llallës.

    Drejtoresha e gjimnazit, Teuta Llalla i mohoi të gjitha këto akuza dhe revizionin e quan e selektiv dhe paralajmëroi se do të rishikojë të gjitha rrugët ligjore ndaj vendimit të Komunës.

    “Revizionin do ta quaja një revizion selektiv, për arsye se, përfshin periudhën vetëm kur unë jam drejtoreshë. Një hapësirë e madhe kohore nuk është mbuluar nga revizioni. Kam dyshimet e mia se ky është një revizion selektiv. Në këtë drejtim, unë në konsultim me ligjin konstatoj se nga ana e kryetarit të Komunës janë bërë veprime të përshpejtuara dhe unë do t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore kundrejt kësaj çështjeje. Do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore.” – shton Llalla ndër të thera.

    Ditë më parë qarkulluan lajme për keqpërdorime, për llaminat me çmim marramendës, ku më pas, sipas Llallës, u konstatua se nuk bëhet fjalë llaminat me atë çmim, por janë dyer që janë montuar në shkollë. Ajo mohoi edhe keqpërdorimin prej 300 mijë denarëve, keqpërdorim që mund ta kishte dëmtuar buxhetin e shkollës.

    E pyetur nëse shkarkimi i saj nga pozita e drejtoreshës ndërlidhet për motive politike, pasi gjatë fushatës Teuta Llalla është parë duke e përkrahur ish-kryetaren e Komunës, Teuta Arifin.

    “Nuk jam njeri politik. Nuk jam njeri partiak. Këtë përgjigje do t’ua jep kryetari”, shtoi Llalla, por e pytur pse gjatë fushatës e ka mbështetur Teuta Arifin dhe si i shpjegon fotografitë me funksionarë të lartë të BDI-së, Llalla tha se ka fotografi edhe me Bilall Kasamin edhe me Ziadin Selën dhe me shumë personalitete tjera politike.

    Llalla mbështetjen e ish-kryetares Teuta Arifi e ka bërë, pasi e ka ndjerë për obligim moral të jetë në përkrahje të themelueses së asaj kohe, zonjës Teuta Arifi.

    Kush pritet të jetë drejtoresha e ardhshme e gjimnazit?

    Sipas burimeve të Nistorit, jozyrtarisht, Hatije Azizi Etemi, pritet të jetë drejtoresha e ardhshme e gjimnazit. Hatije Azizi Etemi është profesoreshë e gjuhës angleze në po këtë gjimnaz. Ka qenë ish-këshilltare në Këshillin komunal në Komunën e Tetovës. Ajo është anëtare e kryesisë qendrore të Lëvizjes Besa dhe njëherit pjesë e Forumit të gruas të kësaj partie.

    Më herët nga Komuna njoftuan se revizioni i brendshëm komunal është duke vepruar edhe në disa shkolla të tjera fillore dhe të mesme. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Muajin e ardhshëm zyrtarët dorëzojnë raportet financiare

    Lajmi i rradhës

    Paga jo të plota për grevistët në çerdhe?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë