Derisa Gjykatat janë të varura nga buxheti i Qeverisë, ato nuk mund të jenë të pavarura dhe të drejta

    Një analizë e publikuar nga “Pravna Kronika”, ka rezultuar se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) nga fillimi i punës deri në fund të vitit 2021 ka nxjerrë 1.150 aktgjykime në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor, prej të cilave 185 janë kundër Maqedonisë së Veriut. Nga fillimi i punës deri më 31 dhjetor 2021, GJEDNJ ka nxjerrë gjithsej 86 aktgjykime në çështjet kundër Shqipërisë, 105 aktgjykime kundër Bosnje e Hercegovinës, 474 aktgjykime kundër Kroacisë, 185 aktgjykime kundër Maqedonisë së Veriut, 68 aktgjykime kundër Malit të Zi dhe 232 kundër Serbisë, thuhet në analizë.

    Sipas analizës, pjesa më e madhe e aktgjykimeve i referohen ndalimit të torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues, ku Gjykata vendosi për çështje që kanë të bëjnë me shkeljen e aspekteve procedurale të nenit 3. Gjykata thekson se fillimi i procedurës së kundërvajtjes dhe Pezullimi i padrejtë i procedimit penal për arsye formale përbën shkelje të detyrimeve procedurale të shtetit bazuar në nenin 3. Kur bëhet fjalë për të drejtën për një gjykim të drejtë, vihen re edhe disa gjykime dhe çështje të rëndësishme që lidhen me Ballkanin Perëndimor.

    “Parashtruesit u ankuan veçanërisht për kohën e pamjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes, drejtësinë e gjykimit, zgjatjen e procedurës në nivel nacional dhe plotësimin e kushteve në lidhje me gjykatën e krijuar në bazë të ligjit. Kjo mund të shihet veçanërisht përmes aktgjykimeve Galoviq kundër Kroacisë, Zliçiq kundër Serbisë, Deliq kundër Bosnjës e Hercegovinës dhe Xhoxhaj kundër Shqipërisë”, thuhet në analizën e publikuar.

    Numri i çështjeve të pazgjidhura para Gjykatës në fund të vitit 2021 ishte 70.150, një rritje prej 13 për qind krahasuar me 61.500 në fund të vitit 2020. “Kjo rritje prej 13 për qind mund t’i atribuohet pjesërisht rritjes së numrit të përgjithshëm të peticioneve të paraqitura. Përveç kësaj, përderisa ka pasur një rënie të numrit të lëndëve të caktuara në komisione, ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të lëndëve të referuara tek gjyqtarët individualë, këshillat dhe Këshilli i Madh Gjyqësor. Kur bëhet fjalë për rajonin, në vitin 2021 dallohen disa vendime që përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në praktikën e GJEDNJ-së, thuhet në analizë.

    Nga ana tjetër, profesori universitar dhe eksperti i çështjeve gjyqësore, Bashkim Selmani, ka deklaruar për gazetën KOHA, se sundimi i shtetit të së drejtës është një ndër elementet më kryesore të hallkës së funksionimit të shtetit është gjyqësori. Sipas tij, tre elementet që e pengojnë funksionimin e gjyqësorit është korrupsioni, miqësia dhe stërzgjatja e lëndëve gjyqësore.

    “Një ndër fatkeqësitë që i ndodhi Maqedonisë së Veriut është edhe shuarja e Gjykatës Speciale. Pra siç duket Maqedonia e Veriut, nuk ka fuqi që t’i zgjidh problemet e gjyqësorit dhe të vendos shtetin e së drejtës. Ndërkohë zgjidhja më e mirë do të ishte një ndërhyrje nga jashtë ku do të përmirësonte gjendjen e gjykatave në vendin tonë”, ka deklaruar Selmani.

    Ai nënvizoi se gjëja më e rëndësishme që duhet ta bëjë shteti është pavarësia financiare e Gjykatave nga Qeveria. Sipas tij, derisa Gjykatat janë të varura nga buxheti i Qeverisë dhe nuk formohet një buxhet i veçantë për gjykatat nuk mund të kemi Gjykata të pavarura dhe të drejta. “Gjithashtu duhet të kemi edhe një veting që të mos vazhdojnë të punojnë ende në Gjykatat tona, gjykatësit të cilët kanë marrë pjesë në rastet e montuara”, tha Selmani.

    Ndryshe, sipas anketës së fundit të publikuar nga IRI amerikan, te qytetarët e Maqedonisë së Veriut, besueshmëria te Gjykatat ka shënuar rritje në katër për qind, nga tre për qind sa ishte në vitin 2020.

    Lajmi Paraprak

    21-vjeçarja e arrestuar në Greqi është vajza e një politikani nga RMV-ja

    Lajmi i rradhës

    Krerët politik në RMV urojnë besimtarët mysliman për festën e Bajramit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë