Dhjetëra turistë të Maqedonisë evakuohen në kohë – ishulli grek Evia në flakë

    Në ishullin grek Evia i cili është në flakë, kanë qenë 39 turistë të Maqedonisë së Veriut që kanë udhëtuar përmes agjencive turistike. Të dielën më 8 gusht, 38 prej tyre u evakuuan. Disa janë kthyer në vend për shkak se u ka përfunduar pushimi, kurse disa të tjerë janë dërguar në lokacione të sigurta. Një qytetar nga Maqedonia ende po qëndron në ishullin Evia, por në pjesën jugore, ku tani për tani ende nuk ka zjarre.

    “Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut realizoi kontakt me disa operatorë turistikë nga Republika e Maqedonisë së Veriut të cilët operojnë në territorin e Republikës së Greqisë dhe të cilët kanë pasur prenotime në ishullin Evia. Sipas informacioneve, të dielën më 8 gusht, në ishullin në fjalë ka pasur 39 turistë nga Maqedonia e Veriut. 38 prej tyre në mënyrë të sigurt e kanë lëshuar ishullin, kanë shkuar në vendpushime të tjera ose u ka përfunduar aranzhmani dhe janë kthyer në Maqedoninë e Veriut. Vetëm një qytetar i cili mbeti në ishullin Evia, është vendosur në pjesën jugore të ishullit, i cili për momentin është vend i sigurt”, deklaruan nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, transmeton TV21.

    Qindra turistë nga shtete të tjera, por edhe banorë të ishullit janë evakuuar me anije dhe janë dërguar në lokacione të sigurta. Zjarri ka përmasa katastrofale. Janë kapluar sipërfaqe të mëdha, kurse flakët tashmë kanë përfshirë edhe disa shtëpi. Zjarrfikësit dhe vullnetarët po luftojnë me zjarrin që ka shpërthyer në Evia, i cili është ishulli i dytë më i madh në Greqi.

    “Ne të gjithë jemi një, nuk kemi emra. Të gjithë jemi luftëtarë, banorë të zonës. Erdhëm në fshatin fqinj për të ndihmuar. Askush nuk largohet. Sa herë që të na evakuojnë, ne sërish do të qëndrojmë këtu. Do të luftojmë deri në momentin e fundit dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi. Nuk ka avionë”, deklaroi një vullnetar i cili merr pjesë në shuarje.

    Kryeministri grek kërkoi falje për “çdo dobësi” gjatë ballafaqimit me gjendjen e jashtëzakonshme dhe premtoi dëmshpërblim për të gjithë që kanë pësuar, si dhe angazhime maksime për pyllëzim dhe ripërtëritje.

    “Çështja e parë për momentin janë zgjidhjet. Çështja e parë ishte dhe mbetet – mbrojtja e jetës së njerëzve. Prandaj, raporti për këtë eksperiencë duhet ta përmbajë jo vetëm atë që është humbur, por edhe atë që është shpëtuar në një katastrofë të këtillë të paparë natyrore”, tha Kirjakos Micotakis, kryeministër i Greqisë.

    Zjarri në ishullin Evia, i cili shpërtheu më 3 gusht, është më kritik nga dhjetërat e tjerë që ishin regjistruar javën e kaluar në të gjithë Greqinë. Javën që e lamë pas, qindra shtëpi dhe objekte janë shkatërruar ose dëmtuar, kurse 100.000 hektarë pyje janë bërë shkrumb e hi.

    *Foto: Arkiv

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq: Njohja e Kosovës nga Izraeli ishte zhgënjyese për Serbinë

    Lajmi i rradhës

    Punëtorët e pavaksinuar në Maqedoni rrezikojnë vendin e punës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë