EDHE TË SËMURË EDHE TË DISKRIMINUAR! Raporti i KPMD-së për pacientët psikiatrikë

    Prej vitesh, institucionet psikiatrike në vend janë përmendur si shembull i kushteve çnjerëzore dhe i diskriminimit sistematik. Pacientët e këtyre spitaleve kanë mbetur në hije, shpesh të izoluar dhe të harruar nga sistemi shëndetësor, ndërsa paralajmërimet e përsëritura nga organizata vendore dhe ndërkombëtare kanë kaluar pothuajse pa veprim konkret nga autoritetet. Së fundmi, Komisioni i Parandalimit dhe i Mbrojtjes nga Diskriminimi (KPMD) ka publikuar një raport të gjerë ku konstatohet se pacientët në institucionet psikiatrike përballen me kushte poshtëruese dhe diskriminuese, duke e cilësuar këtë situatë si shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

    “Në institucionet psikiatrike pacientët përballen me kushte të mjerueshme higjienike, mungesë ngrohjeje, ujë të pijshëm dhe kujdesi adekuat shëndetësor. Ky trajtim paraqet formë të diskriminimit dhe cenon dinjitetin njerëzor”, thuhet në raportin e KPMD-së.

    Komisioni në raport përmend spitalet psikiatrike në Demir Hisar, Shkup dhe Negorci, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, si institucione diskriminuese. Vendimi u publikua në fillim të shtatorit, shtatë muaj pasi ishte hapur procedura pas një letre anonime të familjarëve të pacientëve. Sipas raportit, familjarët ankoheshin se spitali i Demir Hisarit transportonte pacientët me një automjet mallrash pa dritare dhe pa ajër të kondicionuar, se ishin detyruar të presin vetë flokët e pacientëve pasi kontrata e punonjësit për këtë kishte skaduar, ndërsa pjesë e stafit shëndetësor ishin persona me arsim të mesëm bujqësor apo ekonomik, në vend të mjekësisë. “Komisioni ka konstatuar se kushtet në institucionet psikiatrike janë çnjerëzore: higjienë e papërshtatshme, shtretër të thyer, dyshekë të vjetër, mure të mykura, si dhe mungesë ngrohjeje dhe drite të mjaftueshme. Për më tepër, pacientët kanë qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor për shkak të mungesës së stafit, ndërsa privatësia dhe dinjiteti i tyre nuk respektohen. Këto nuk janë raste të izoluara apo lëshime, por pasojë e pakujdesisë afatgjatë dhe neglizhencës institucionale ndaj një grupi specifik njerëzish”, shpjegon raporti.

    Ky nuk është rasti i parë kur gjendja në psikiatri është vënë në qendër të vëmendjes. Avokati i Popullit prej kohësh ka theksuar se institucionet nuk ofrojnë kushte bazike për pacientët, ndërsa Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës kanë dhënë alarme të ngjashme. Megjithatë, problemet vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

    Edhe vizitat e mëparshme të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, kishin evidentuar kushte të rënda në këto institucione. Në një prononcim të bërë pas inspektimit të Klinikës Psikiatrike në Shkup, ai kishte deklaruar se kushtet janë të papranueshme dhe kërkohet investim urgjent për të garantuar standarde minimale për trajtimin e pacientëve. Megjithatë, siç tregon edhe raporti i fundit, premtimet kanë mbetur pa realizim.

    Ndërkaq, raporti thekson se diskriminimi ndaj pacientëve psikiatrikë nuk kufizohet vetëm në aspektin material, por shtrihet edhe në trajtimin social dhe institucional që ata marrin, ku shpesh këta persona nuk kanë qasje të barabartë në shërbime dhe mbeten të izoluar brenda institucioneve, pa programe rehabilituese dhe pa mundësi integrimi në shoqëri. Ndryshe, problemi mbetet i hapur dhe me një histori të gjatë premtimesh të parealizuara, ndërsa raporti vetëm e vërteton edhe një herë se institucionet e vendit dështojnë të garantojnë standardet themelore për më të brishtët në shoqëri. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Buteli me shans historik, mbi 50% votues shqiptarë

    Lajmi i rradhës

    GRATË NË ZGJEDHJE / modeli i përfaqësimit i pandryshuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë