Partitë vazhdojnë të mos i shohin gratë si të afta për pozita udhëheqëse, që reflekton një mosbesim të lidhur me qëndrime arkaike, mizogjene dhe konservative të partive shqiptare ndaj grave – një model që përsëritet që nga fillimi i demokracisë në shtet. Analiza e të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) tregon se në total ka një rritje të lehtë të përfaqësimit të grave (2021 – 25 kandidate ose rreth 8,4 për qind), mes kandidaturave për kryetarë të ardhshëm të komunave – gjithsej 32 ose më pak se 11 për qind.
Mes tyre asnjë kandidate shqiptare. Sa i takon listës së këshilltarëve për pjesën shqiptare analiza tregon se përfaqësimi i grave në zgjedhjet e vitit 2025 mbetet i ulët, ngjashëm me vitin 2021. Tipike është se pavarësisht respektimit të kuotës gjinore, shumica e grave janë të vendosura në pozitat më të ulëta që parashikon kuota (3, 6, 9 +1), ndërsa numri i bartëseve të listave është shumë i kufizuar.
Ky konfigurim sugjeron se përfshirja e grave shqiptare në listat zgjedhore bëhet sipas modelit të vjetër – më tepër formal sesa thelbësor. Vendet e ulëta në listë kufizojnë realisht mundësinë e tyre për t’u zgjedhur, gjë që reflekton një mospërputhje ndërmjet respektimit teknik të kuotave dhe avancimit real të grave në pozita vendimmarrëse.
Në zgjedhjet e kaluara (2021) në listat e këshilltarëve komunalë përfaqësimi gjinor në nivel vendi ishte mbi 36 për qind. Analiza e realizuar nga UN Women vinte në dukje se kjo shufër ka përmirësuar deri diku balancën gjinore në pjesëmarrjen politike.
“Kjo statistikë tregon se një kuotë gjinore prej të paktën 40 për qind e kandidatëve në listat zgjedhore për këshillat komunale, ose Këshillin e Qytetit të Shkupit, të jenë persona të gjinisë më pak të përfaqësuar, ka përmirësuar deri diku balancën gjinore në pjesëmarrjen politike. Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se nga 80 këshilla komunale dhe një këshill qyteti, vetëm në një komunë këshilltaret gra janë të përfaqësuara në përqindje më shumë se këshilltaret burra”.
Si shembull merret Konça, ku u zgjodhën pesë gra, kundrejt katër burrave, ose ekstremi tjetër në Zhupë, apo Plasnicë, ku u zgjodhën me nga një grua. Sa u takon komunave shqiptare Saraji e kalonte kuotat gjinore me mbi 42 për qind këshilltare gra, apo Çairi, ndërsa nën kuotën ishin komunat e Tetovës – mbi 35 për qind, Gostivari mbi 38 për qind, ndërsa më pak të përfaqësuara gratë ishin në komunat Studeniçan 20 për qind, Haraçinë – mbi 26 për qind, Dibra – 26 për qind…
Përfaqësimi gjinor në Komisionet Zgjedhore Komunale, mandati 2021-2026 është në favor të grave – 48,6 për qind, ndërsa përfaqësimi gjinor i anëtarëve dhe zëvendësve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, mandati 2021-2026 është në favor të burrave – 28,6 për qind femra.
NUMRI I KANDIDATEVE FEMRA DHE KRYETAREVE TË ZGJEDHURA TË KOMUNAVE NË ZGJEDHJET LOKALE:
VITI 2005: 18 kandidate – 3 kryetare
VITI 2009: 13 kandidate – 0 kryetare
VITI 2013: 32 kandidate – 4 kryetare
VITI 2017: 16 kandidate – 6 kryetare
VITI 2021: 25 kandidate – 2 kryetare /Koha/






