FNA: vetingu në arsimin e lartë është urgjencë kombëtare

    Komunikata e plotë e Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA) për Nistorin:

    Arsimi i lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në dhjetë vitet e fundit karakterizohet me cilësi të ulët, jo transparencë dhe afera korruptive. Jo rastësisht çdo vit, universitetet tona publike kanë nga 1 mijë studentë më pak, përderisa numri i studentëve në vend ulet, numri i studentëve tanë që vazhdojnë studimet jashtë vendit po rritet.

    Krejt këto janë tregues që reformat në këtë fushë janë të pashmangshme. Nevoja për veting të tërësishëm të Arsimit të Lartë në këtë pikë është URGJENCË KOMBËTARE. Si Forum për Ndryshime në Arsim kemi plan konkret se si mund dhe se si duhet të bëhet kjo. Me veting, sigurohet cilësia, besueshmëria dhe integriteti në Arsimin e lartë. Kjo do të shërbejë si themel i mirëmbajtjes së reputacionit akademik dhe luftës kundër korrupsionit në Arsimin e Lartë.

    Propozimi jonë për vetingun në arsimin e lartë është i fokusuar në tri fusha:

    • Personat me pozita udhëheqëse brenda universiteteve si Rektorët, Prorektorët, Dekanët dhe Prodekanët t’i nënshtohen procesit të vetingut. Inspektorati i Arsimit dhe Enti Shtetëror i Revizionit të kryejë inspektime të jashtëzakonshme çdo fillim të vitit akademik për të verifikuar parregullsitë potenciale gjatë punës së tyre si dhe mënyrës së menaxhimit të financave.
    • Të hetohen të gjitha vendimet për akreditim të programeve të dyshimta nga ana e Bordit për Akreditim në Arsimin e Lartë. Anëtarët e këtij institucioni duhet t’i nënstrohen vetingut i cili do të vlerësojë etikën profesionale të tyre si dhe konfliktet potenciale të interesit.
    • Të ri-shqyrtohen titujt akademik të profesorëve ndaj të cilëve ka indicie publike se mund të kenë marrë titullin në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë. Në këtë drejtim, të avancohen kriteret në thirrjet akademike dhe e gjithë kjo të bëhet nga një komision i pavarur kombëtar i cili do të jetë përgjegjës për verifikimin e plotë të avancimeve në thirrje akademike të të gjithë profesorëve në 15 vitet e fundit. Nga ana tjetër, transparenca e universiteteve shtetërore në Maqedoninë e Veriut mund të përkufizohet si e joadekuate, në mos edhe jo-ekzistente, gjë që mbështetet nga fakti se universitetet në Maqedoninë e Veriut kanë një histori të gjatë të të qenit të padepërtueshëm, duke mos shfaqur aspak transparencë në
      sytë e publikut. Si masа për forcimin e transparencës së institucioneve të arsimit
      të lartë në Maqedoninë e Veriut, propozojmë:

      ● Transmetim të drejtpërdrejtë (livestreaming) të mbledhjeve të Senatit të universiteteve. Senati është trupi më i rëndësishëm brenda një universiteti, ndërsa universitetet janë institucione publike, pra të qytetarëve – rjedhimisht, qytetarët, sidomos studentët, kanë të drejtë të jenë të njoftuar në kohë për vendimet që ndërmerren nga ky trup, i cili deri sot, ka qenë totalisht anonim si për studentët, ashtu edhe për gjithë qytetarët e vendit.

      ● Publikimi i të gjitha dokumenteve të rëndësishme në ueb-faqet e universiteteve. Kemi vërejtur që përpos dokumenteve thelbësore të karakterit publik siç janë statutet, raportet financiare dhe tjera, në ueb-faqet e universiteteve nuk publikohen as CV-të e profesorëve dhe kërkojmë që kjo urgjentisht të bëhet. Rikujtojmë përsëri që universitetet janë institucione publike ndërsa profesorët punonjës publikë, studentët meritojnë të jenë të njoftuar për backgroundin e profesorëve që u ligjërojnë dhe të cilët
      paguhen me taksat e tyre. Forumi për Ndryshime në Arsim beson se këto masa do të kontribuojnë dukshëm në përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë në arsimin e lartë dhe për të inkurajuar një kulturë ekselence në institucionet tona akademike. Zgjerimi i procesit të vetingut edhe në arsimin e lartë, ku ka probleme të mëdha, përputhet me vizionin tonë.
    Lajmi Paraprak

    “Vuçiq me këto veprime po ia tregon BE-së gishtin e mesit” – deputeti gjerman për takimin e Vuçiqit me Putinin

    Lajmi i rradhës

    Grubi dhe BDI si bashkëpunëtorë të ngushtë të Mijallkovit, me sukses po i realizojnë skenarët e tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë