Freedom House: Maqedonia e Veriut me situatë të pandryshuar

    Organizata Freedom House në raportin për vendet në tranzicion për vitin 2021, ka radhitur Kosovën sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.

    Kjo organizatë thekson përparim të Kosovës në disa fusha krahasuar me raportin paraprak.

    Përparim është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, si dhe është rritur vlerësimi për pavarësinë e Gjyqësorit.

    Megjithatë, raporti thekson se pavarësisht faktit se Kosova ka zhvilluar zgjedhje të besueshme dhe relativisht të administruara mirë, institucionet e saj mbeten të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj Qeverisë.

    “Figura të mëdha politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin [Hashim] Thaçi dhe ish-kryeministrin [Ramush] Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë role të fuqishme në politikë dhe kanë ndikuar në emërimin e udhëheqësve kyçë”, thuhet në raport.

    Po ashtu, raporti thekson se gazetarët përballen me presione serioze dhe ka rrezik të sulmohen në lidhje me raportimin e tyre. Sa i takon sundimit të ligjit, thuhet se progresi pengohet nga ndërhyrja e ekzekutivit në Gjyqësor.

    Sa i takon funksionimit të Qeverisë, në raport thuhet se sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të tij dhe se Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here u përpoq të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit.

    Raporti veçon, gjithashtu, faktin se Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë.

    “Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”, theksohet në raport.

    Sa i takon lirisë së shprehjes thuhet se Qeveria dhe interesat e biznesit ushtrojnë ndikim të panevojshëm në linjat editoriale, duke përfshirë edhe Radio Televizionin e Kosovës, ndërsa përmenden ngacmimet dhe kërcënimet e shpeshta ndaj disa gazetarëve.

    Aty thuhet se viteve të fundit, hapësira e kufizuar është hapur për diskutime mbi tema të ndjeshme si marrëdhëniet etnike dhe çështjet LGBT+.

    Sa i takon sundimit të ligjit, raporti veçon faktin se ndërhyrja politike në Gjyqësor mbetet një problem dhe korrupsioni i përhapur gjyqësor ndikon negativisht në pavarësinë e Gjyqësorit, performanca e të cilit, sipas raportit, pengohet për shkak të mungesës së gjyqtarëve të kualifikuar.

    “Prokurorët dhe gjykatat mbeten të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit nga elitat e fuqishme politike dhe të biznesit, duke minuar procesin e rregullt ligjor”, vlerëson raporti.

    Mes tjerash vlerësohet se dhuna në familje mbetet një problem shqetësues pavarësisht iniciativave për përmirësim të situatës.

    FH: Demokracia në Shqipëri, pa përparim

    Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e tij raporti i Freedom House.

    Sipas raportit më të fundit, Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, ku përfshihen vendet ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

    Raporti vlerëson se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste.

    Zgjedhjet shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera, thuhet në raport.

    Sipas Freedom House, media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur dhe ofron njëfarë niveli vëzhgimi të kujdesshëm të punës së atyre që kanë poste publike, por shumica e pronarëve të medias, thuhet në raport, i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar te Qeveria dhe partitë politike.

    FH: Maqedonia e Veriut me situatë të pandryshuar

    Situata në Maqedoni të Veriut nuk ka ndryshuar në raport me vitet e kaluara, thekson Freedom House, në raportin e fundit.

    Aty përmendet relaksimi i tensioneve politike që u shkaktuan në vazhdën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

    Raporti vlerëson përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të luftuar korrupsionin dhe klientelizmin.

    Efikasiteti dhe pavarësia e sistemit gjyqësor mbesin shqetësime që e shoqërojnë Maqedoninë e Veriut edhe këtë vit.

    “Të drejtat e procesit të rregullt ligjor mbeten të rrezikuara nga korrupsioni dhe patronazhi brenda sistemit të drejtësisë, në të cilin publiku ka pak besim. Problem mbetet ndërhyrja politike në punën e prokurorëve. Zbatimi selektiv i drejtësisë vazhdon gjithashtu, ndonëse Qeveria ka kryer disa reforma për të përmirësuar këtë çështje”, thekson raporti.

    Ndërkohë që media dhe shoqëria civile marrin pjesë në diskursin e fuqishëm publik, gazetarët dhe aktivistët ende përballen me presion dhe frikësim.

    “Peizazhi mediatik është thellësisht i polarizuar përgjatë linjave politike dhe mediat private janë shpesh të lidhura me interesa politike ose biznesore që ndikojnë në përmbajtjen e tyre”, thotë raporti.

    Megjithatë, thuhet se funksionon një koleksion i gjerë mediash kritike dhe të pavarura, kryesisht online.

    Ndërsa, gjendja është përkeqësuar në Serbi si dhe në Bosnjë e Hercegovinë, sipas Freedom House.

    FH: Situata në Serbi pësoi përkeqësim

    Në pjesën për Serbinë, Freedom House, ka vlerësuar se situata është përkeqësuar në disa aspekte.

    Raporti thotë se vitet e fundit Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet ka gërryer vazhdimisht të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, opozitën politike dhe organizatat e shoqërisë civile.

    Freedom House ka ngritur si shqetësim, siç e cilëson, personalizimin e qeverisjes dhe politizimin e institucioneve shtetërore nga presidenti i serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Vuçiqi ka mbetur figura dominuese në qeveri pavarësisht kompetencave të kufizuara ekzekutive të Presidencës sipas Kushtetutës, duke krijuar një sistem presidencial de facto”, vlerësohet në raport.

    Liria e medias thuhet se është e rrezikuar si nga kërcënimi i mediave dhe gazetarëve, po ashtu edhe nga presioni politik, si dhe nga pronarët e mediave të lidhura politikisht.

    Gjyqësori thuhet se është i ndikuar nga politika, në veçanti përmes emërimeve gjyqësore, si dhe thuhet se shumë gjyqtarë kanë raportuar se janë përballur me presion të jashtëm lidhur me vendimet e tyre.

    FH: Situatë e pandryshuar në Bosnje e Hercegovinë

    Freedom House, në raportin për Bosnje e Hercegovinën thekson se çështjet politike karakterizohen nga bllokime të rënda partiake midis liderëve nacionalistë nga komunitetet boshnjake, serbe dhe kroate të vendit.

    Po ashtu, thuhet se pjesëmarrja politike e qytetarëve nga komunitetet tjera është jashtëzakonisht e kufizuar.

    Korrupsioni veçohet si një problem serioz në Qeveri dhe gjetkë në shoqëri.

    Mes problemeve të tjera që evidenton raporti, përmendet edhe përpjekja e udhëheqësit serb, Millorad Dodik, i cili vazhdon të flasë hapur për dëshirën e tij që Republika Sërpska të shkëputet nga Bosnje e Hercegovina.

    Liria e shprehjes thuhet se është e garantuar me ligj, por e kufizuar në praktikë.

    “Gazetarët përballen me presion politik, si dhe me ngacmime, kërcënime dhe sulme të herëpashershme gjatë punës së tyre”, thekson raporti.

    Më tej thuhet se Gjyqësori është formalisht i pavarur, por i dobët në praktikë.

    “Dhjetëra vendime të Gjykatës Kushtetuese janë shpërfillur nga liderët politikë, ashtu si edhe disa jurisprudenca nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, gjen raporti.

    Në raport më tej thuhet se gjyqtarët në Bosnje janë gjithashtu subjekt i presionit politik, ndërhyrjes dhe frikësimit në lidhje me çështjet që janë duke i trajtuar.

    Raporti i organizatës Freedom House për vendet në tranzicion vlerëson gjendjen e demokracisë në 29 vende që shtrihen nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që nga viti 1995.

    Freedom House e bazon vlerësimin në shtatë kategori, siç janë procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja demokratike në nivel kombëtar, qeverisja lokale, sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij, si dhe niveli i korrupsionit. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Vizita e delegacionit bullgar në Manastir nxiti gjuhën e urrejtjes”

    Lajmi i rradhës

    Rusia u jep ultimatum të ri ushtarëve ukrainas në Mariupol

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë