Deponitë e egra në Komunën e Dibrës janë të pranishme si në qytet, ashtu edhe në fshatra. Megjithatë, Ndërmarrja Komunale Publike, përveç përforcimit të aktiviteteve për grumbullimin e mbeturinave në qytet, ka filluar edhe grumbullimin dhe transportin e mbeturinave nga fshatrat në deponinë e qytetit.
Në përputhje me programin e punës së Ndërmarrjes Komunale “Standardi”, është zgjeruar ndjeshëm numri i fshatrave ku ka filluar grumbullimi i mbeturinave. Një aktivitet i tillë, sipas përfaqësuesve të shoqatave ekologjike, ndikon drejtpërdrejt në zvogëlimin e deponive të egra dhe kontribuon në mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Drejtoria e Ndërmarrjes Komunale “Standardi” ka informuar se, përveç grumbullimit dhe transportit të mbeturinave nga fshati Kosovrasti i Poshtëm, një vendbanim turistik ku ndodhen edhe banjat e Dibrës, në lokalitetin banjar të Kosovrasit, tashmë ka filluar grumbullimi edhe në fshatin Kosovrasti i Epërm, një fshat po ashtu shumë i madh. Para disa kohësh janë vendosur kontejnerë edhe në fshatrat Otishan, Xhepishtë dhe Mogorçë.
Në bisedë me përfaqësues të bashkësive vendore të këtyre fshatrave, u konstatua se aktivitetet për grumbullimin e mbeturinave kanë ndikuar dukshëm në pastrimin e deponive të egra dhe se fshatrat janë dukshëm më të pastërta.
Drejtori i Ndërmarrjes Komunale Publike, Burim Kaba, ka theksuar disa herë se duhet të rritet ndërgjegjësimi dhe korrektësia e banorëve në mbrojtjen e mjedisit jetësor, duke hedhur mbeturinat vetëm në kontejnerët e vendosur, e jo në vende të paautorizuara.
Sipas drejtorit Kaba, ndërmarrja ka shpenzime më të mëdha, pasi grumbullimi i mbeturinave kërkon më shumë aktivitete dhe transport, por shton se këto veprimtari duhet patjetër të shtrihen në të gjitha fshatrat e Dibrës, me qëllim mbrojtjen e mjedisit jetësor. “Deponitë e egra tani janë dukshëm më të pakta”, shton ai.
Banorët Besnik F. dhe Ramadan N. nga fshatrat Kosovrasti i Poshtëm dhe Kosovrasti i Epërm përshëndesin aktivitetet e ndërmarrjes komunale dhe theksojnë se duhet të rritet edhe vetëdija e banorëve lokalë për hedhjen e mbeturinave në mënyrë të rregullt.
Aktivitetet për grumbullimin e mbeturinave nëpër fshatra janë diskutuar dhe miratuar vitet e fundit nga institucionet lokale, të cilat i kanë dhënë përkrahje ndërmarrjes “Standardi”, e themeluar nga Komuna e Dibrës. “Ky hap do t’u mundësojë banorëve të këtyre fshatrave që të largojnë mbeturinat nga amvisëritë e tyre në mënyrë më të lehtë dhe më të rregullt”, thonë nga ndërmarrja komunale, duke shtuar se procesi do të vazhdojë deri në nënshkrimin e kontratave mes banorëve dhe ndërmarrjes “Standardi”, e cila më pas do të marrë përsipër kryerjen e këtij shërbimi. /Koha/






