“Hedh gurin dhe e fsheh dorën”, fushata zgjedhore në RMV shndërrohet në makth politik nga incidentet e fundit

    Gazetar | Emir Hamzai

    Sapo ka filluar fushata e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, janë nxehur gjakërat politike. Katër ditët e fushatës janë shoqëruar me parregullsi dhe të shtëna armësh nga individë ende të panjohur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Partitë politike shqiptare së fundmi kanë denoncuar demolimin e plakatave politike në lokacione të ndryshme.

    Në opinion u bënë virale dy video ku dëgjohen të shtëna armësh në tubimin e hapjeve të shtabeve zgjedhore të BDI-së në Çair dhe Zhelinë. Rastin në Zhelinë, kandidati për kryetar në komunën e Zhelinës nga radhët e BDI-së, Fatmir Izairi e ka mohuar një gjë të tillë dhe se kjo aspak nuk lidhet me hapjen e shtabit apo me aktivitetin e tij. Izairi thekson se më logjike do të ishte që opinioni të besojë se të shtënat me armë zjarri mund të vijnë më parë nga kundërshtarët tjerë politik se sa nga BDI në Zhelinë.

    Fatmir Izairi – BDI

    Dëshirojmë të demantojmë lajmin se në solemnitetin tonë ka patur të shtëna me armë zjarri. E vërteta është se u dëgjuan të shtëna nga pjesa e godinës së komunës dhe kemi dyshimet tona se ky veprim i shëmtuar ishte në përputhje të plotë me urtësinë popullore “hedh gurrin dhe e fsheh dorën”. Kishte disa media prezente të cilat munden dhe presim të informojnë në lidhje me këtë rast.

    Në lidhje me të shtënat në Çair, MPB për Nistori thotë se është e njoftuar me rastin dhe ka marrë masa për qartësimin e rastit.

    “Në lidhje me rastin në Çair, njoftojmë opinionin publik se Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masa për qartësimin e rastit në Çair. Ne do të informojmë opinionin në përputhje me rrethanat pas qartësimit të rastit”, thonë nga MPB.

    Nga SPB-Tetovë thonë se nuk kanë pranuar ndonjë denoncim me rastin në Zhelinë, vepër kjo e dënueshme me ligj.

    “Në sektorin për punë të brendshme në Tetovë nuk është regjistruar asnjë denoncim lidhur me shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, gjegjësisht të shtëna me armë zjarri gjatë tubimit në fshatin Zhelinë. Kjo vepër është dënueshme, sipas nenit 288 të Kodit Penal të RMV-së”, thonë për Nistori nga SPB-Tetovë.

    SPB shton se në koordinim me prokurorinë publike në Tetovë kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet për qartësimin e rastit, çka në të vërtetë ka ndodhur dhe identifikimin e personit.

    Profesori i shkencave të komunikimit, Sefer Tahiri për Nistori thotë se fushata zgjedhore do të jetë pa tensione të theksuara të cilat jemi mësuar t’i shohim në ciklet e kaluara zgjedhore.

    “Konsideroj se kjo fushatë do të jetë me përplasje të ashpra ndërmjet pushtetit dhe opozitës, lidhur me atë se çfarë nuk ka bërë partia në pushtetin lokal – BDI dhe çfare ofron opozita dhe e kundërta në komunat ku udhëheq opozita shqiptare. Mendoj se përplasja do të jetë vetëm mbi narrativin politik që do të përdorin dy blloqet. Vlerësoj se shoqëria shqiptare ka pjekuri demokratike që të zhvillojë një fushatë demokratike dhe të qetë. Fushatë ku do të mbizotërojë fuqia e argumentit dhe jo argumenti i fuqsise”, deklaron Tahiri.

    Çfarë parashikon ligji për incidente të këtilla?

    (1) Kushdo që me zjarr, përmbytje, eksplodim, helm ose gaz helmues, rrezatim jonizues, fuqi motorike, energji elektrike ose tjetër ose me veprimtari tjetër të përgjithshme rrezikuese ose mjet, do të shkaktojë rrezik të dukshëm për jetën ose trupin e një personi tjetër ose për pronën e përmasave të mëdha, do të dënohet me gjashtë muaj deri pesë vjet burg.

    (2) Me dënimin sipas paragrafit (1) do të dënohet zyrtari ose përgjegjësi i cili nuk do të vendosë pajisje të duhura për mbrojtje nga zjarri, përmbytja, helmet, gazrat helmues ose rrezatimi jonizues ose këto pajisje nuk i mirëmban në gjendje funksionale ose në rast nevoje nuk i fut në përdorim ose nuk vepron aspak sipas rregullave ose rregulloreve teknike për masat e mbrojtjes dhe me këtë shkakton rrezik për jetën ose trupin e njerëzve ose për pronën e përmasave të mëdha.

    (3) Nëse vepra e paragrafëve (1) dhe (2) është kryer në vend ku janë mbledhur numër më i madh njerëzish, kryerësi do të dënohet me një deri pesë vite burg.

    Përndryshe fushata zgjedhore do të zgjasë 19 ditë, gjegjësisht deri më 15 tetor dhe do të mund të votojnë 1,824,864 qytetarë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Në Tetovë tre klasa në izolim për shkak të nxënësve të infektuar me Covid-19

    Lajmi i rradhës

    Shilegov: “Pallati i bardhë” i VMRO-DPMNE-së është përmendore e mafias urbane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë