Lufta në Ukrainë ka një dimension tjetër nga ajo që ne si gazetarë të vjetër kemi përjetuar në luftën e Kosovë, kështu u shpreh në emisionin “200” në Alsat, Afrim Gjonbalaj, zyrtar i NATOS-s.
“Kjo ka një dimension tjetër, dhe ai dimension është ku një shtet shumë më i fortë siç është Rusia me gjithë makinerinë ushtarake ka filluar që të përndjek popullatën civile, dhe cili është qëllimi i vetë regjimit të Moskës aty ka shumë hipoteza, dhe çdo hipotezë që ne e nxjerrim në pah nuk del ndokund se është e vërtetë. Unë frikësohem se nuk është vetëm një Buça, por ka shumë Buça të tjera të cilat do të zbulohen në ditët në vijim”, tha Gjonbalaj.
Ai shtoi se këtu shihet qartë strategjia e vetë administratës së Putinit është që të përndjekë popullatën civile dhe të krijohet një kaos total ekonomik, të shkatërrohet ekonomia ukrainase, por edhe të rrezikohet vetë Evropa me refugjatë.
NATO është një aleancë politike, liberale, që mbron vlerat liberale ekonomike
“NATO nuk është vetëm një Aleancë ushtarake të cilën është perceptu te popullata në përgjithësi, pra gjithmonë thuhet që NATO është një aleancë nuklearë ushtarake e cila është e gatshme të veprojë. Duhet theksuar se NATO është një aleancë politike, liberale, mbron vlerat liberale ekonomike, lirinë e shprehjes së lirë, pra është një aleancë trans-atlantike të cilën i lidhë përtej Evropës, pra me Kanadën me SHBA-në, po ashtu në kuadër të partneritetit për paqe”, tha Gjonbalaj.
Ai shton se lufta hibride ka shumë dimensione, njëra nga këto është se sipas tij Moska po përdorë luftë hibride me refugjatë. /Nistori/