Gratë në Dibër shkojnë te gjinekologu vetëm kur kanë probleme shëndetësore

    Femrat në Komunën e Dibrës edhe më tej nuk i kushtojnë vëmendjen e nevojshme shëndetit të tyre. Të dhënat nga institucionet shëndetësore tregojnë se interesimi për realizimin e Pap-testeve është shumë i vogël, edhe pse bëhet fjalë për një kontroll jashtëzakonisht të rëndësishëm për shëndetin e gruas. Kur flasim për shëndetin e femrës, duhet theksuar se në ordinancat gjinekologjike në Dibër janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet për të rritur përqindjen e grave që bëjnë Pap-testin. Megjithatë, sipas mjekëve, femrat deri në moshën 50-vjeçare nuk u përgjigjen sa duhet ftesave për këtë kontroll shëndetësor.

    Gjinekologia dibrane, Dr. Spec. Edlira Piperku, për gazetën Koha thotë se një numër i madh i grave nuk paraqiten në ordinancë për të realizuar Pap-testin, edhe pse kanë marrë ftesat.

    “Pap-testi është shumë i nevojshëm për kontrollin e shëndetit të gruas. Por, në Komunën e Dibrës kemi problem me një pjesë të femrave që nuk u përgjigjen ftesave. Diçka më pak se 20 për qind e grave nga gjithsej rreth 4 mijë paciente realizojnë këto teste. Më të rregullta janë ato mbi 50 vjeç. Dua të theksoj dhe të apeloj te gratë që duhet ta bëjnë patjetër Pap-testin, sepse është në interes të shëndetit të tyre dhe realizohet pa pagesë. Sa i përket vizitave te gjinekologu, më të rregullta janë gratë nga fshatrat sesa ato të qytetit”, thotë Dr. Piperku.

    Sipas saj, shumica e grave vizitojnë ordinancën gjinekologjike vetëm kur kanë probleme shëndetësore.

    “Kemi kontakte të rregullta me pacientet dhe realizojmë edhe takime informuese. Në këto aktivitete u jepen sqarime grave për nevojën e madhe që kanë për të kujdesur për shëndetin e tyre. Por fakti mbetet se interesimi është i vogël. Kjo situatë përsëritet prej vitesh dhe shpesh ndodh që një pjesë e grave të mos kenë as gjinekolog amë. Pap-testi ofron garanci të mëdha: nëse një problem shëndetësor kapet në kohë, gruaja mund të shërohet shumë shpejt. Por nëse nuk bëhen kontrollet e rregullta, kjo mund të çojë në probleme serioze që lidhen me sëmundjet gjinekologjike”, thekson Piperku.

    Sipas të dhënave të saj, Ordinanca gjinekologjike në Dibër jep maksimumin për të ofruar sqarime rreth të gjitha sëmundjeve që mund të shfaqen te gratë. Po ashtu, organizohen edhe ligjërata të posaçme për pacientet, ndërsa shpesh mbahen takime edhe në vendbanimet rurale të komunës së Dibrës dhe në komunat përreth. Problemi i interesimit të ulët të grave dibrane për kontrollet gjinekologjike, veçanërisht për realizimin e Pap-testeve, është diskutuar edhe në institucionet e tjera shëndetësore që veprojnë në këtë rajon. Është theksuar se ka nevojë për një edukim më të gjerë e më masiv mbi domethënien e këtij testi. Një kontroll i plotë për shëndetin e gruas është i domosdoshëm.

    Shumë gra ende mendojnë se duhet të shkojnë te gjinekologu vetëm kur ndihen keq. Në fakt, ekzistojnë kontrolle që duhen bërë edhe kur gruaja ndihet mirë, sepse ato mund të zbulojnë probleme të fshehura, të cilat, nëse kapen në kohë, shërohen pa asnjë pasojë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Interesim i ulët për të studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup

    Lajmi i rradhës

    Nuk mungon cilësia e mollës së Pollogut, por bie rendimenti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë