Shkaku i ngricave në muajin prill që përfshinë rajonin e Pollogut dhe jo vetëm, rendimenti i mollëve nuk është në nivel të kënaqshëm. Kultivuesit e mollëve thonë se rendimenti ka rënë dukshëm krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa cilësia dhe çmimi megjithatë mbetet në nivel. Amet Ismaili, një kultivues i mollëve nga rajoni i Tetovës thotë se ka më pak sasi, edhe pse cilësia është e mirë.
“Këtë vit, shkaku i ngricave pranverore, sasia është 80 për qind më pak, ndërsa cilësia është në nivel si duhet, mirëpo shkaku i ngricave pranverore ka dështuar sasia”, thotë Ismaili,
Por ajo që i shqetëson më së shumti kultivuesit e këtij rendiment është plasmani në treg. Sipas tyre, vendi ynë ka sasi të mëdha të mollëve, madje më shumë se sa i nevojitet, por këtë vit do të ketë mungesë në treg, shkaku i rendimentit të vogël.
“Me plasmanin nuk kemi problem se sivjet ka mungesë të madhe të mollëve. Çmimi është i lartë dhe besoj që të mbetet gjithmonë ashtu pasi ka pasur ngrica dhe njëkohësisht nga viti në vit janë zvogëluar edhe sipërfaqet shkaku se nuk ka njerëz për të punuar”, pohon Ismaili.
Ashtu si kultivues të shumtë që merën me këtë rendiment, edhe Amet Ismaili nga Sellarca e Epërme, problemin më të madh e ka në fuqinë punëtore, prandaj edhe punojnë familjarisht. Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që shumë kultivues të mollëve të zvogëlojnë sipërfaqet e mbjella. Tentojnë që të mbajnë gjallë këtë biznes me familjarët sa për të mbijetuar.
“Vjeljen e mollëve e bëjmë me familjarët tanë shkaku se nuk ka punëtorë. Edhe sipërfaqen e kemi zvogëluar. Në të kaluarën kemi pasur me shumë drunj të mollëve, por të njëjtat i kemi hequr dhe kjo për shkak të mungesës së punëtorëve”, tha ai.
Ashtu si Amet Ismaili, edhe kultivuesit tjerë të mollëve në vendin tonë ndihmesë të vetme nga shteti kanë subvencionet e zakonshme. Rikujtojmë se në muajin prill, shkaku i ngricave dhe më pas edhe reshjeve të shiut dhe breshrit, shumë pemë u shkatërruan. Më shumë u dëmtuan qershitë dhe mollët, por edhe pemët tjera. Prandaj, edhe çmimet e këtyre pemëve në treg mbeten të larta. Tashmë disa vite me radhë, reshjet atmosferike janë duke bërë dëme të mëdha në përgjithësi në sektorin e bujqësisë, sidomos në rajonin e Pollogut. Vitin e kaluar, u dëmtuan sipërfaqe të mëdha të të mbjellurave me prodhime bujqësore, ndërsa shteti ende nuk ka dhënë dëmshpërblime për bujqit e Komunës së Tetovës, shkaku i problemeve me dokumentacionin. /Koha/






