Grida Duma, largohet nga politika – dorëzon mandatin

    E emocionuar, me zërin që i dridhej, por edhe e revoltuar, Grida Duma njoftoi sot largimin nga politika, duke dorëzuar mandatin e deputetes.

    Ndërsa e konsideroi vendimin e saj, të vështirë, por të duhur, Grida Duma tha se ai pasonte një reflektim të gjatë, për të bërë të duhurën për partinë, votuesit por edhe atë vetë.

    Në fjalimin e saj të gjatë, Grida Duma dha mesazhe të forta mbi situatën në PD, sulmet në adresë të saj prej kohës që hyri në polikë, por edhe pengjet për goditjet nën brez.

    Fjala e plotë:

    Moment i vështirë për mua dhe i rëndësishëm. Ju falenderoj që keni ardhur, dhe për çfarë keni bërë në oborret e partive, të PD ku kam patur rastin të kuptoj që herë pas here ju bëni më shumë se ne.

    Pak çaste më parë, kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes.

    Pas një reflektimi të gjatë, reflektim i cili vjen pas një përpjekje edhe më të gjatë, për të bërë të duhurën për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është në fakt vendimi i duhur.

    Unë mendoj që në politikë, fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe të rimendohen vetëm kur ato shkojnë në një kahje me fatet e vendit, me fatet e njerëzve, me fatet e votuesve që ne përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse e kanë bërë shpesh të kundërtën.

    Pikërisht sepse fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni i vetëm të cilit i përgjigjem, nuk mund të zgjidhja më të thjeshtën dhe vetëm për veten time. Më e thjeshta, për mua do të ishte të kisha qëndruar, të prisja mos ndodhin dështimet që disa i parashikojnë siç edhe e di që ka nga ata që po presin skutave të përgjojnë për shansin e tyre të humbur t’i ndrijë prap pazareve.

    Mund edhe të qëndroja thjesht për të mbijetuar e bëjnë shumë, duke thjesht vegjetuar, mund edhe të bëja sikur nuk e shoh thellësinë e problemeve të brendshme dhe shitjen e herë pas hershme në luftën e jashtme, por unë shumë vite në politikën e vijës së parë, nuk i jam larguar kurrë përgjegjësisë e as betejës, e madje kam qenë para jush duke mbrojtur edhe betejat për të tjerët.

    E vërteta është që nuk i jam larguar përgjegjësisë edhe kur politika më ka prekur të paprekshmen. Më ka cënuar sinore të paprekshme, kur më kanë goditur personalisht, mizorisht, mjerisht. Më kanë goditur personalisht edhe unë e di pse, sepse nuk gjetën dot në kaq e kaq vite, një aferë korrupsioni, një pazar pushteti, një ndyerje duarsh në përfitime, dhe pikërisht sepse nuk i gjetën jam sulmuar nga hienat me intriga të pacipa që të më brejnë personalisht.

    Ndoshta për vete e kam ditur që do ta paguaj këtë kosto në një vend si i yni kaq larg zhvillimit etik, por sot do t’ju them një gjë që shpesh e kam evituar ta them në media.

    Sot do t’iu them që ka një gjë që nuk do t’ia fal kurrë politikës së llumit. Që ndoshta do të jetë pengu i ditës time të fundit të jetës, ky peng është fakti që goditja që më bënin mua nën brez, godiste pandërprerë më thellë, më shumë shpirtërisht, tim bir.

    Nuk e kam falur kurrë, nuk do t’ia fal kurrë, as do t’ia harroj këtë politikës së llumit! Mbetem gjithmonë me ngushëllimin që sëpaku këto goditje për të të kenë qenë një mësim, nëse mund të fitohet nga e keqja, për të mos u gënjyer nga fytyrat e rrejshme të kllounëve që do t’i shfaqen shumë në jetë, siç më janë shfaqur mua, të cilat herë pas here dalin edhe me fytyrën e ngrirë, politikisht korrekte sikur po shpikin rrotën dhe shfaqen me amoralitetin e atyre që kanë vetëm një aurë gogsimash moralitetesh. Do t’i shfaqen shumë siç do na shfaqen shpesh në vendin tonë në tranzicion edhe atij fytyra shumëfrymëshe që ndoshta do të duken sikur do buzëqeshin, por do zgërdhihen dhe janë zgërdhierje të atyre të korruptuarëve të nginjur që në një mënyrë apo një tjetër, ndërsa mballicin pazaret e veta, stërkalat e pështymës na bien të gjithëve si bejte ndershmërish e pastërtisë.

    E megjithatë nuk e kam lënë nuk e kemi lënë betejën me miq e kolegë të vyer, me bashkëpunëtorë me demokratë edhe kur kemi vijuar fushatat pa mjete pa infrastrukturë, atëherë kur vendimet e gabuara të lidershipit nga lënia e mandateve të lënia e bashkisë e lodhën e gërryen forcën madhore të PD.

    U quajt, besnikëri dhe luajalitet kjo atëherë, që mbështetëm atë që vetë nuk e aprovova, që qëndruam me luajalitet atë që disa kolegë nuk e deshën nuk e votuan e megjithatë, i qëndruam me luajalitet vendimit të shumicës, që u thirr oborreve.

    Para dhe pas 6 marsit të vitit 2022 në situatën më të vështirë kam bërë sa munda që PD, të kishte përkrah saj aleatin më të madh në gjenezën e vet, në historinë e vet, aleatin strategjik SHBA, vijoj të mendoj që duhet ta ketë aty përkrah, sepse është partia që i takon.

    Ashtu siç kam ditur që pas 6 marsit të 2022, të bëj gjithçka madje duke dhënë dorëheqjen për të vlerësuar, solidaritetin dhe njohjen njerëzore që demokratët treguan për të vlerësuar liderin e tyre historik, në një mënyrë apo tjetër, duke ndjekur dinjitetin njerëzor më tepër se sa pazaret politike, apo ndoshta dhe pragmatizmat politikë, dita ta njoh edhe këtë realitet.

    Gjatë këtyre kohëve, ajo që vijoji ishte një përpjekje e madhe e imja dhe disa kolegëve për të mbajtur balancat, për të treguar të vërtetat, për të qetësuar konfliktet, për të arsyetuar politikisht, për të mirën e demokratëve dhe pastaj shqiptarëve.

    Sot, para zgjedhjeve lokale nuk jemi në të njëjtin realitet që nuk e dinim. Maksimizimi i forcës së PD nuk ka ndodhur. Sot nuk jemi dje, nuk jemi një vit më parë kur shoku mendor që na erdhi nga trauma e vendimeve të SHBA, na dha një traumë politike, na mpiu politikisht.

    Sot dimë, kuptojmë shumë më shumë nga pësimet që nuk i kërkuam, por arritëm t’i mbajmë, t’i duronim. Sot dimë se rruga e vetme e duhur për maksimizim është bashkimi si parakusht, jo copëtimi.

    Lënia e mandatit tim në fakt është moslënia e përgjegjësisë që unë i njoh vetes. Të qëndroja me sikure balancash që prodhojnë cic-mice karrierash politike të njërit apo tjetrit, nuk funksionon më në ndërgjegjen time.

    Nuk është në ndërgjegjen time që të mos di që politika është të thuash dhe të bësh, dhe jo të thuash e të bësh sikur lave gojën nga përgjegjësia pavarësisht se nuk bëhet. Nëse nuk bëra dot, nuk bëra dot që të mos ndodh dot një 6 mars i dytë, do të thotë që duhet të di të bëj duke dhënë një model një shembull, që ndoshta sot ndryshon pak nga mendësitë nga ndërgjegjësimet për ujërat e ndenjura që durojmë të gjithë me kompromise.

    Sigurisht, mund të akomodohesha në komoditete personale. Një gjë është e sigurt, duhet të bëjmë më shumë për fitoren reale. PD sot dhe gjithmonë është jo vetëm opozita shqiptare, por përcaktuese e fatit të shqiptarëve. Përcaktojnë fatet e shqiptarëve kudo në Ballkanin Perëndimor. Të gjithë kudo janë do të pësojnë efektin zinxhir të vendimeve që PD merr sot. Kemi detyrën të zgjedhim atë që i shërben më shumë vendit Më takon të vendos atë që bëj unë më mirë.

    Do ta lë këtë mandat me besimin që siç kam bërë brenda politikës do di të bëj kudo që të jem si figurë politike me shpresën e Zotit. Jam e djathtë se u rrita si e djathë pa etiketime, ky është identikiti i personalitetit tim. Sepse besoj tek individët e fortë, tek ata që konkurrojnë si motor zhvillimi. Jam e djathtë sepse do di të prodhoj prap aq sa mundem, ndoshta dhe thjeshtësisht me ndërgjegjësim.

    Lajmi Paraprak

    Përsëri anulohet seanca gjyqësore për spitalin modular, Besimi: Mezi pres të dëshmojë pafajësinë time të pakontestueshme

    Lajmi i rradhës

    Shefi i ri prokurorëve premton transparencë, Abazi: Nuk kam raporte personale me Ali Ahmetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë