Hidrocentrali në Reçicë të Madhe kundërshtohet nga aktivistët e mjedisit (Video)

    Edhe pse Komiteti i Konventës së Bernës rekomandoi Maqedoninë e Veriut për anulimin e të gjitha hidrocentraleve të miratuara dhe të planifikuara në zonat e mbrojtura në vend, por edhe ato jashtë, të cilat mund të prekin zonat e mbrojtura, ato vazhdojnë të ndërtohen edhe sot e kësaj dite. Një gjë e tillë është duke ndodhur edhe me ndërtimin e një hidrocentrali të vogël në Reçicë të Madhe të Tetovës. Banorët e kësaj zone ankohen se nga ndërtimi i hidrocentralit do të prishet flora dhe fauna. Banorët nuk deshtën të prononcohen me emra për Nistori, por në mënyrë anonime.

    “Rrugën e kemi ndërtuar me paratë tona, me vetë iniciativë. Nga punimet është prishur rruga, kanë ndërtuar transformator në mes të rrugës. Nuk mendoj se do ta largojnë dhe nuk mendoj se do të riparohen rrugët. Hidrocentrali nuk e di se çfarë dobie mund të na sjell neve si banorë, përveç investitorëve. Ne nuk e dijmë a ka ndonjë studim fizibiliteti, ku janë dëmet e dobitë e këtij ndërtimi të hidrocentrali.”, shprehet banori nga Reçica e Madhe.

    “Që në fillim kur është dhënë lajmi se do të ndërtohet hidrocentrali në fshatin tonë, banorët e fshatit kanë qenë kundër një vendimit të tillë. Arsyja për shkak të dëmeve që do ketë fshati nga ky hidrocentral. Ne si fshat më shumë merremi me bujqësi dhe kjo përbën pengesë për bujqit. Pas shumë debateve dhe mbledhjeve, banorët e vërejtën se nuk do arrin ta ndalojnë dhe ranë dakort. Marrëveshja ishte që të bëhet rruga që e lidh fshatin me autostradën Tetovë – Gostivar dhe po ashtu rrugët që do të dëmtohen, të kthehen në gjendje normale”, shprehet banori tjetër.

    Mirëpo nga ana tjetër, kryetari i Bashkësisë Lokale të Reçicës së Madhe, Gajur Sinani për Nistori i mohon të gjitha këto dhe thotë se ndërtimi i hidrocentralit e posedon të gjithë dokumentacionin e rregullt nga ana e qeverisë, por edhe të pushtetit lokal.

    “Nuk është e vërtetë se rrugët nuk do të riparohen, por edhe transfarmatori do të largohet nga kjo pjesë e rrugës. Unë jam marrë vesh me të gjithë banorët e fshatit dhe individët të cilët e kundërshtojnë hidrocentralin, kërkojnë ryshfet nga investitori. Unë dua asnjë problem me njerëzit e mi të Reçicës, sepse më respektojnë dhe i respektoj. Kjo bëhet për të mirën e banorëve, sepse Reçica e Madhe tokat bujqësore i ka rrugës Universitetit dhe andej në Falisht dhe normalisht me ndërtimin e hidrocentralit, tokës do t’i hip vlera. Sepse rruga ku punohet hidrocentrali, më poshtë do të asfaltohet, do të ketë rrugë. Punimet nuk mund të jenë në mënyrë ilegale dhe përmbushin të gjithë procedurat e kërkuara. Investitori ka kontratë dhe do ta respektojë. Nëse do të ishte diçka e dëmshme, do të isha unë i pari që do ta kundërshtoja, por kjo ka leje nga qeveria, por edhe nga Komuna e Tetovës dhe një gjë e tillë nuk përbën problem”, shprehet Sinani.

    Komuna e Tetovës – Kompania duhet të respektojë afatin ligjor

    Në kompetencë të Komunës së Tetovës është aspekti infrastrukturor, ku inspektorati i komunës pas kontrollit të kryer ka konstatuar se kompania nuk posedonte me lejen për pjesën infrastrukturore ka pasur një ndërprerje dhe kryerësit të punimeve i është dhënë një afat konform ligjit që të përgatisë të gjitha dokumentet e nevojshme. Pas kompletimit të dokumentacionit komuna e Tetovës, gjegjësisht komision për urbanizëm ka dhënë pëlqim për lejen infrastrukturore që kompania të vazhdojë me punimet në lidhje me hidrocentralin në Reçicë të Madhe. Komuna e Tetovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kompanisë në fjalë, kuptohet pas kompletimit të dokumentacionit dhe respektimit të afateve ligjore.

    OJQ-të vazhdimisht kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Ata më herët kërkuan nga qeveria të bëjë ndryshim dhe tarifat t’i zëvendësojë me premi për mbështetje të prodhimit të energjisë elektrike. Sipas tyre nuk i respektojmë udhëzimet e Bashkimit Europian të cilat synojnë të heqin dorë nga sistemi mbështetës përmes çmimeve tarifore dhe kalimin në sistemin mbështetës përmes premive.

    Arianit Xhaferi – aktivist i Mjedisit për Nistori thotë se ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në vend ka pasoja të mëdha. Me futjen e gypave në tokë, mjedisit, lumjeve u shkaktohet një dëm i madh dhe me humbjen e burimeve të ujit, bujqësia nuk mund të zhvillohet, në veçanti në fshatrat e Pollogut. Sipas, tij, edhe nëse ka përfitime nga ndëtimi i hidrocentraleve, ato më shumë i shkojnë investitorit se sa në arkën shtetërore.

    “Mund të sjell një shembull konkret, gjegjësisht ndërtimi i hidrocentralit në Reçicë të Madhe – te vendi që ka qenë dikur “Uji i tharët”. Domethënë dëmi që është bërë aty është shumë më i madh se sa në disa vende tjera. Aty ka pasur bazene të vogla me uj termal, i cili ka shërbyer si ilaç natyror dhe njerëzit e kanë shfrytëzuar për sëmundjet e lëkurës dhe ajo tashmë është shkatërruar. Futen nëpër gypa lumenjtë që do të dëmtojnë bujqësinë e banorëve, sepse Reçica e Madhe, kryesisht merren me bujqësi dhe ata nuk do të kenë ujë për t’i ujitur tokat e tyre, domethënë po humbasin të vetmin burim të jetesës që e kanë. Ato janë toka bujqësore, nuk ka se si t’u hip vlera. Mund t’u hip vlera vetëm si toka ndërtimore. Ndërtimi i këtyre hidrocentraleve nuk është bërë pro parimeve që i kërkon BE. Asnjë nga hidorcentralet në fjalë, përfshirë këtë edhe në Reçicë nuk kanë një studim fizibiliteti apo se çfarë ndikimi do të kenë në mjedis. Shumica e këtyre hidrocentraleve kanë vetëm një elaborat sa për sy e faqe, një copy-paste i të gjithë hidrocentraleve tjera”, shprehet Xhaferi.

    Në pyetjet dërguar MMJPH se, sa hidrocentrale të vogla janë ndërtuar gjithsej deri më tani në Maqedoninë e Veriut dhe sa prej tyre janë anuluar, ministria nuk dha informacione. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Rreth 100 mijë lëndë gjyqësore mbeten të papërfunduara gjatë një viti në RMV

    Lajmi i rradhës

    Mbeturinat “grindin” banorët dhe kryetarin! I kërkojnë të mos hidhen në Osllome, Dehari nuk di se ku t’i çojë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë