Infrastruktura, kryefjala e pushteteve lokale

    Njëra ndër rrugët më të dëmtuara në Tetovë ka qenë pjesa e rrugës në dalje të Tetovës për në fshatin Sellcë. Krahas që ishte shtruar me kalldrëme shumë vite më parë, e njëjta për shkak të pjerrtësisë – shkaktonte shumë telashe dhe vështirësi gjatë sezonit të dimrit për banorët e fshatrave Sellcë dhe Vicë, por edhe vizitorëve në Kalanë e Tetovës dhe fshatin Llacë.

    Bëhet fjalë për një pjesë të rrugës “Goce Dellçev”, afër shkollës Kikish e deri në vazhdimin e rrugës për në fshatin Sellcë. Kjo rrugë, sipas Komunës së Tetovës, është lënë pas dore dekada me radhë dhe filloi të rikonstruohet para një muaji, ndërsa këtyre ditëve është lëshuar në përdorim për qarkullim.

    “Pas dy dekadash, rruga ‘Ivo Llolla Ribar’, e cila çon drejt fshatrave Sellcë dhe Vicë, është me infrastrukturë cilësore dhe moderne. Gjatë qeverisjes sonë kemi dëshmuar se secila rrugë është e rëndësishme për ne. Me këtë dëshmojmë se atë që kemi premtuar edhe e realizojmë”, nënvizoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    Në ndërkohë, është asfaltuar edhe një pjesë e rrugës “Vëllezërit Milladinovi”. Nga Komuna e Tetovës theksojnë se bëhet fjalë për rrugën afër shkollës së mesme tekstile, e cila gati një vit është në rikonstruim e sipër.

    “Çdo rrugë dhe rrugicë e Tetovës do të jetë pa gropa dhe me infrastrukturë cilësore”, theksuan nga pushteti lokal në Tetovë. Ndërkohë, poashtu ka vijuar asfaltimi edhe i pjesës tjetër të rrugës nga shkolla tekstile deri te rruga “Ohridska”.

    Kjo rrugë ka filluar të rikonstruohet që vitin e kaluar, ndërsa punimet disa herë janë ndërprerë shkaku i telasheve dhe vështirësive me rrjetin nëntokësor të kanalizimit. Banorët disa herë janë ankuar se vonesat në rregullimin e rrugës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë dhe kanë dëmtuar automjetet e tyre.

    Nga ana tjetër, nuk kanë munguar akuzat e ndërsjella në mes të Komunës së Tetovës dhe këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, qoftë për vonesat në realizimin e punimeve në këtë rrugë, qoftë për meritat se kush e financon asfaltimin e rrugës. Ndryshe, në Tetovë infrastruktura mbetet kryefjala e çdo pushteti lokal. Shkak për këtë është se shumë rruga edhe pas asfaltohen dëmtohen shumë shpejt nga mosmirëmbajtja e rregullt e tyre.

    Autoritetet lokale pas rregullimit të rrugës nuk tregojnë interesim që të njëjtat të mirëmbahen, prandaj edhe shumë rrugë të asfaltuara janë me gropa. Problem në vete është se ka prerje të asfaltit nga ana e qytetarëve të cilët bëjnë kyçje në rrjetin e ujësjellësit dhe pas dëmtimit rruga nuk kthehet në gjendjen e mëparshme dhe lihet në mëshirë të fatit duke u shkatërruar gjithnjë e më shumë.

    Krahas kësaj, dëmtimi i rrugëve bëhet edhe nga punët që kryejnë ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale pas intervenimeve në rrjetin e ujësjellësit të qytetit. Tërë këto probleme që ndodhin pas asfaltimit të rrugëve, e shkatërrojnë infrastrukturën edhe në ato rrugë që janë rregulluar para disa viteve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Cila NjZ kryeson me numër vendvotimesh në RMV

    Lajmi i rradhës

    Një sy mbyllur për studentët e Luginës!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë